Me Emrin e Zotit, Mëshirëgjerit, Mëshirëplotit

Lëvduar qoftë Zoti, Zotëri i botëve

Lutjet dhe përshëndetjet e paqes qofshin mbi më të nderuarin e profetëve, Zotërinë tonë, të Dashurin tonë, Muhamedin dhe familjen e tij, shoqëruesit dhe ndjekësit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në dijen e paktë që kemi nga dija islame është edhe ajo se parimi i unitetit dhe shumësisë është thelbi i çdo gjëje që besojmë. Allahu, i Shumëlarti e ka krijuar botën me kundërti të ndryshme në brendi të saj. E epërmja dhe e poshtmja; e mira dhe e keqja, pastaj është drita dhe është errësira. Të tillë e ka krijuar Ai.

Një prej këtyre dallimeve themelore mendoj është dallimi ndërmjet unitetit dhe shumësisë. Kur hedh shikimin në siran e të Zgjedhurit, bekimi dhe paqja e Zotit e shoqërofshin, që është edhe tema për këtë mbrëmje, sheh saktësisht atë që ai bëri për njerëzit e tij: revolucioni psikologjik dhe shoqëror që la pas kur iu bashkua Zotërisë së tij.

Teuḥīdi, nga dija e paktë islame që kemi, është e vërteta imperative, riafirmimi i Njëtimit. Kur kthehemi brenda veteve tona, gjejmë shumë gjëra; emocionet tona janë të shumta, impulset janë shumë, ëndrrat në diell janë shumë, mëkatet janë shumë. Na dalin përpara secila me kërkesat dhe barrët e saj dhe ne kërkojmë paqe, kërkojmë shërim dhe çlirim prej saj, dhe do ta gjejmë atë vetëm në të vetmin burim, të vetmin vend të origjinës, në pikën e kthimit, që i jep kuptimin, përpjesëtimin dhe balancën çdo gjëje tjëtër.

“Vetëm në përkujtimin e të Vetmit, Zemrat gjejnë paqe dhe qetësi.” çka besoj se çdo qenie njerëzore e kupton. Dhe po kështu ndodh edhe në shoqëri. Kaq shumë individë dhe veçanërisht interesa që na shfaqen nga të gjitha anët, duke e tërhequr shoqërinë në drejtime të ndryshme, dhe ajo mund të sëmuret së jashtmi ashtu siç ne sëmuremi së brendshmi kur shumësia ngadhënjen mbi Njëtimin, mbi Një të Vetmin Legjislues, të Vetmin Burim të vlerave, të Vetmin Garantues të kuptimit, të Vetmen bazë të çdo gjëje mund të na shërbejë të shtypim ato zëra kërcimtarë dhe t’i sjellim në të njëjtin shteg.

Teuḥīdi nuk është thjesht deklarimi i unitetit hyjnor, por është mënyra në të cilën shoqëria mund të gjejë balancë, qëndrueshmëri dhe paqe. Këtë e dimë të gjithë dhe e gjejmë në siran e të Zgjedhurit (pqmt), pas shfaqjes së jashtme të shkatërrimit të 360 idhujve idhujve përreth Qabesë qëndronte realiteti i shkatërrimit të idhujve në shpirtin e kurejshitëve dhe kthimi rejt Qabesë, simbolit të Një të Vetmit, Mbizotëruesit.

Këtë bëri sira: përmbushjen e braktisjes së idhujve të rremë të shumësisë dhe rivendosjen e besimit në Një Zot, Zotit të zotërisë sonë Ibrahimit, mikut të Allahut, paqja qoftë me të. Nuk duhet të dini shumë rreth Islamit për të kuptuar se e kundërta e këtij parimi të Njëtimit është shirku – shumësinë ne e quajmë shirk, si me thënë të pohosh se njësoj si Allahu, i Shumëlarti, ka burime të tjera të vlerës, fuqisë dhe autonomisë autentike në kozmos; që ekziston një rival, një partner; diçka që sfidon autoritetin e Një të Vetmit, Mbizotëruesit.

´Ulematë kanë renditur shumë forma të ndryshme të shirkut, duke na paralajmëruar për këtë, sepse pas së gjithash megjithëse Allahu ia mbishkroi mëshirën Vetë Natyrës së Tij, veçanërisht ky dështim nuk falet. Allahu nuk fal që t’i vihet ortak dhe fal veç kësaj çdo gjë tjetër kujtdo që Ai do. Pra, ky është mëkati i pafalshëm, sepse përtej shumësisë që shohim, ekziston një grumbull i madh gjërash. Apo, përndryshe, përtej shumësisë që shohim, s’ka asgjë tjetër veçse boshllëk, që është misteri i shumësisë që buron nga asgjëja.

Kjo është një lojë, por ka njerëz shpirtrat e të cilëve janë mjaftueshëm të errët për të anuar drejt atij paradoksi. Por, ne themi se përtej shumësisë, është Një i Vetmi, gjithçka tjetër është marrëzi, dhe kjo marrëzi gjendet në vetë natyrën e idhujtarisë.  Merr ose jo formën e përkuljes përpara statujave materiale apo formën e nënshtrimit ndaj çdo rivali real të Autoritetit dhe të Drejtave sovrane unike të Krijuesit tonë, kjo nuk është e rëndësishme.

Ekzistojnë shumë forma të shirkut që dijetarët kanë treguar, por ekzistojnë dy lloje të shirkut që në epokën tonë duket të jenë vdekjeprurës. Ne mund t’i përmendim shkurtimisht cilët janë, pasi mendoj se ky është një leksion i mërzitshëm. Nuk po flasim për statujat prej druri dhe guri, por po flasim për realitete të errëta të vazhdueshme, që kompromentojnë teuḥīdin. Këto dy janë: shirk el-iḥtisāb dhe shirk el-esbāb.

Shirk el-iḥtisāb nënkupton shirkun që ndodh kur, për shkak të dëshirës tone për të kënaqur dikë që nuk është krijues, ose për shkak të frikës nga dikush që nuk është krijues, ne bëjmë gjëra që janë në dukje fetare. Kështu, duke i ofruar xhaminë dikujt, prej të cilit mendojme të nxjerrim ndonjë përfitim kur na shohin, dhe namazi ynë, si pasojë, zgjatet pak, ne kemi ndarë ḳiblen; kemi dy ḳible dhe kjo është një formë e shirkut, ajo është syfaqësi, shirk el asgharshirku i vogël – siç e përshkroi Profeti i Shenjtë, paqja qoftë me të, dhe kjo është katastrofë nëse themi se shirku është i pafalshëm.

Sot ka njerëz që besojnë se jo vetëm përmes shpresës, por edhe përmes frikës, njerëzit duhen detyruar për të hyrë në Islam, ai që i ulëret një motre, ḥixhābi i të cilës nuk është shumë në rregull, dhe ajo rregullon ḥixhābin jo plotësisht për të kënaqur Zotin e saj, por për të hequr qafe ulërimën e atij burri, ai ka imponuar një lloj shirku mbi të, me shumë mundësi. Ḳibla e saj është ndarë. Ajo po e bën këtë jo vetëm për shkak të frikës nga Zoti, por nga frika e atij burri që po i ulëret asaj, çka po ashtu është një kompromis vdekjeprurës i teuḥīdit tonë. Personi me shkopin e gjatë dhe fytyrën e mërrolur, që kërkon të qëllojë njerëzit sepse nuk pajtohen me disa rregulla të Sheriatit, duhet të mendojë rreth pasojave në teuḥīdin e njerëzve kur ai sillet në këtë mënyrë. Po nëse ata shkojnë në xhami, apo agjërojnë, apo bëjnë ndonjë punë tjetër të mirë, jo vetëm për hir të Allahut, apo mbase aspak për hir të Tij, por sepse nuk duan të dëgjojnë ato shfryrje t’u bien shi mbi kokë. Çfarë i ka ndodhur teuḥīdit të tyre?

Në ditët tona ka shumë myslimanë që mendojnë se për shkak të dimensionit politik të fesë, duhet ta përdorësh atë shkop për t’i detyruar njerëzit të shkojnë në parajsë, duke i tërhequr për zverku drejt saj – një konceptim i çuditshëm – çfarë po i bëjnë teuḥīdit të atyre njerëzve? Në një kuptim afatgjatë, ata do të zbulojnë se s’kanë aspak teuḥīd. Ky është shirk el-iḥtisāb, për të cilin dijetarët thonë se është një rrezik më vete në kohët tona të brishta dhe shpirtërisht të paditura.

I dyti është shirk el-esbāb, politeizmi i shkaqeve. Ne besojmë në një Hyjni të Gjithëpushtetshëm  dhe të Gjithëditur. “Asnjë gjethe nuk bie, pa e ditur më parë Ai.” Allahu na krijon neve dhe gjithë çfarë bëjmë ne. Nuk ekziston asnjë agjent i vërtetë në krijim: Ai, Vetëm, i bën gjërat. Kjo trondit imagjinatën… Ne s’mund ta imagjinojmë një qenie të tillë siç është bota, nëse nuk pranojmë se ekzistojnë shkaqe, por ne dimë nga teologjia jonë se kjo është e vërtetë: çdo gjë që ndodh, është ajo çfarë është duke bërë Allahu, i Shumëlarti. Nuk ekziston askush që mund ta rivalizojë. Ai nuk zmbrapset nga mundësi të caktuara në krijim – të ndryshojë  Veten, të prangosë Veten – kjo nuk është e mundur.

Pra, shirk el-esbāb është ideja që gjërat janë jashtë kontrollit, gjërat shkaktojnë gjëra të tjera sipas rregullash a ligjesh të caktuara, çka krijon sërisht një ankth të llojit të shirkut në shpirtin njerëzor. Njerëzit ndjehen të frikësuar sepse bota duket se është jashtë kontrollit. Po sikur, po sikur, po sikur; besimtari nuk është i tillë. Besimtari ka teuekkul dhe e di se pas çfarëdo gjëje që e godet është Allahu, dhe pas çfarëdo bekimi që i vjen është Allahu, i Shumëlarti. Ai beson te ḳaderi, khajrihī ue sherrih, ai beson në përcaktimin, të mirën dhe të keqen e tij, apo të mirën dhe të hidhurën e tij. Ky është thelbi i të qenurit mysliman: i dorëzuar, që i pranon gjërat si janë, që përtej shfaqjes së jashtme të skenës së shkakut dhe pasojës, gjendet realiteti i kontrollit të plotë të pakundërshtueshëm. Kur e kemi këtë, vjen teuekkuli dhe e ndjek nga pas shërimi. Kjo dikur ishte një ndër dhuratat më të mëdha për myslimanin.

Nëse i tejkalojmë këto dy forma të shirkut dhe e shohim botën në këtë mënyrë të paqtë dhe të mirëditur, duke parë përtej sipërfaqes pambarimisht të hollë të gjërave në realitetin e fuqisë, madhështisë dhe dashurisë hyjnore, duke qenë të sigurtë se nuk ka asgjë aty që të mos jetë thjesht shprehje e lirë dhe e pakundërshtueshme e Emrave të Allahut në veprim në çdo moment, qofshin këto Emrat e Bukurisë, apo të Rreptësisë, është e gjitha ajo çfarë Ai po bën dhe çfarë po synon.

Në këtë kuptim, çdo gjë është absolutisht dhe plotësisht e shenjtë. Duke qenë të pajisur më këtë gjë, zemrat tona kthehen, sepse ne nuk e perceptojmë si Zot i mungesës, por si Zot që është absolutisht i pranishëm. Kjo është ajo që quhet me’ījeh: Kurani thotë: Ai është me ju. Ky është Emri i Tij El-Ḳarīb, që pothuajse është harruar. Shumë emra hyjnorë në Kuran vijnë në çifte:

El-Muḥji – El-Mumīt: Ai që jep jetë, Ai që jep vdekje

El-Khafid – Er-Rafī’: Ai që poshtëron, Ai që lartëson.

Por, nuk ekziston një emër që të qëndrojë si plotësues i El-Karib: i Afërti, ai nuk referohet asnjëherë si i Largëti. Jemi ne të largët në format tona të idhujtarisë. Çfarë ndodh në fund të historive të idhujtarëve në Kuran? Na jepet ideja e largësisë: i largët, apo largësi ndaj njerëzve të padrejtësisë, si populli i Nuhut. Por El-Be’īd nuk është asnjëri nga Emrat Hyjnorë. Ku është Ai? Afër. Çfarë do të thotë të jesh afër, nëse nuk po flasim për distancë gjeografike apo qenies afër nesh në kohë, cilat janë mundshmëritë e afërsisë që mund të ekzistojnë?

Por, Allahu i Shumëlartë thotë: Ai është afër. “Kur të robëruarit e mi të pyesin rreth Meje: Jam afër. I përgjigjem lutjes së atij që lutet, kur më thërret Mua. Le të më përgjigjen Mua dhe le të kenë besim në Mua, që të mund të marrin udhëzim”.

Është një ajet i mirënjohur. Unë jam afër. Ai shpall se është afër. Kur shpirtrat tanë shndërrohen në këtë mënyrë, që të mos e shohim botën thjesht si një tik-tak akrepash me ligjet që prodhojnë efekte, por shohim Dorën, Urtësinë, Bukurinë, Madhështinë Hyjnore në çdo gjë, atëherë Ai bëhet Ḳarīb për ne në perceptimin tonë, siç është Ḳarīb në realitetin e krijimit. Kjo është gjendja që duhet të aspirojë çdo besimtar. Në këtë pikë teuḥīdi bëhet jo thjesht diçka ndaj të cilës shprehim aprovim por bëhet realitet që dikton një mënyrë të qenuri.

Shpeshherë besimtarët në botën e sotme shqiptojnë pirgje doktrinore, por zemrat janë akoma përplot ankth, a thua se bota ka rrëshqitur nga kontrolli, a thua se el-Uāhid el-Ḳahhār nuk i drejton më gjërat, por diçka e çuditshme ka marrë botën në dorë dhe ia ka mbathur. Kjo nuk është kështu. Bota është thjesht produkti i Dekretit të Tij paraekzistencial në urtësinë e Tij. Besimtari duhet ta dijë këtë. Kur ai e sheh këtë gjë, atëherë Allahu i Shumëlartë është el-Ḳarīb: njëmend Ḳarīb për atë person.

Ne jemi të ftuar ta ndërmarrim këtë udhëtim nga perceptimi i Allahut si një lloj abstrakti i Tjetrit teologjik të pangjashëm me tjetërgjë në botë të mundshme për t’iu qasur drejt Atij, me të Cilin mund të lidhemi dhe t’i lutemi.  Kujtoni ajetin e bukur, le’al-lehum jershudūn, … që të mund të gjejnë udhëzim. Këtë e gjejmë në logjikën e vetë Fatihasë. Çdo mysliman e di Fatihanë. Çdo mysliman duhet ta shqiptojë Fatihanë, është pjesë e domosdoshme e lutjes së detyrueshme, shqiptim i detyrueshëm. Çfarë ndodh në mes të fatihasë? Është një pohim i mahnitshëm, është i shkurtër.

Allahu është i Mëshirshëm, detyrimi ndaj Tij është një detyrim i shkurtër. Por, meqë do ta themi, mbase dhjetëra mijëra herë në jetët tona, është e nevojshme të mendojmë rreth saj herë pas here, çfarë po themi?  Cila është rëndësia e këtyre disapak fjalëve? Me gjasë pjesa me e madhe prej jush e kanë kuptuar se përbëhet nga dy pjesë.

Pjesa e parë, elḥamdu lil-Lāhi rabbil ´ālemin është deklarim i formës natyrore të adhurimit të Allahut të Shumëlartë. Lëvdimi i përket Atij. Pastaj jepen disa nga Cilësitë e Tij, er-Raḥmāni er-Raḥīm, Meliki jeumid-dīn

Kjo është ajo që arabët e quajnë përemri i mungesës, veta e tretë njëjës në gjuhën tonë. Jo i pranishmi, veta e tretë. Mund ta përdorni vetën e tretë për dikë pranë jush apo në hënë dhe do të jetë përsëri e vlefshme nga pikëpamja gramatikore. Por, në mes të sures, çuditërisht, ne kalojmë në vetën e dytë, në një gjëmimë shumë këmbëngulëse: Ijjāke na’budu ue ijjāke nesta’īn. Befasisht, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë. Ajo kthehet nga një shprehje hamdi në një shprehje du’aje. Në mënyrë të befasishme, në mes të saj, nuk flasim më për jo të pranishmen, por i drejtohemi Atij që është i Pranishëm. Kjo ndodh kur shprehemi në vetën e dytë njëjës: bëhet lutje.

Në këtë pikë feja braktis ngushticat abstrakte të mendjes dhe hyn në realitetin e gjallë të zemrave tona njerëzore. Ai bëhet Ḳarīb, i Afërt kur flasim me Të. Fel-jestexhībū lī, le të më përgjigjen

Mua. Jo thjesht përmes shkrimit të disa traktateve teologjike abstrakte rreth marrëdhënies ndërmjet Atributeve dhe Thelbit, por përmes përgjigjes së një humanizmi të përunjur, të dërrmuar, ndaj Pranisë Absolute të el-Ḳarīb, duke kuptuar sa afër është Ai. Ue hue eḳrabu ilejhi min ḥablin uerīd. Ai është më afër njeriut se damari i qafës. Kaq afër është Ai. Ne jemi urdhëruar të jemi afër. Ky është një ndër urdhrat që i erdhi Profetit të Shenjtë (pqmt), lidhja e sërishme përmes lutjes aktive, uesxhud ueḳterib. Përdhesu dhe afrohu!

Hadithi na tregon se robi është më afër Zotit të tij, kur është në sexhde. Kjo është pika kulmore e lutjes. Prandaj pika kulmore e jetës së besimtarit është të ripohojë që Ai është afër. Ky është realiteti i fesë. Realiteti i fesë është të lotosh gjatë lutjes, të ndjesh momentin e jashtëzakonshëm kur njeriu është i vetëdijshëm se Allahu nuk ka ardhur, as ka shkuar, por Ai është gjithmonë i Pranishëm. Me’īja e Tij, veprimi i pakalueshëm i Emrave të Tij madhështorë pafundësisht të bukur, kullueshmërisht të ndritur, gjithë rreth nesh, brenda nesh s’ka ekzistuar kurrë tjetër gjë. Kjo është mënyra si i sheh gjërat besimtari i vërtetë.

Kjo është e vështirë sepse jemi qenie njerëzore dhe kemi impulsin shtazor që vëren shkak-pasojën. Kemi atë impuls që e bën vërtetë të vështirë ta mbjellësh në zemër atë teologji, ta bësh atë parimin tonë të jetës. Kafshët nuk e kanë këtë. Macja e di që ekziston shkakësia. Kur bie shi macja ndjen lagështinë. Nuk mund ta kuptojë el-Ḳarībin. Por ne qeniet njerëzore e kemi këtë aftësi përmes misterit – tek i cili Fatihaja na fton, nga bota abstrakte e të largëtit në realitetin e gjallë të Atij që është i Pranishëm.

Nuk ekziston një mënyrë më e mirë për ta zbuluar këtë se shqyrtimi i shumë du´ave, lutjeve që Profeti ynë (pqmt) na ka lënë trashëgim në traditën e bukur. Nëse doni të kuptoni vërtet Islamin, unë u them gjithmonë njerëzve – shihni lutjet e Profetit të Shenjtë, ato do ’ju mësojnë më shumë se 1000 vëllime me teologji. Në lutjen mund të shihni realitetin e fesë, përunjësinë e shpirtit njerëzor, madhështinë e qenies njerëzore, kur ajo zbulon teuḥīdin.

Çfarë rezultati ka kjo? Rezultati – dhe sërishmi mësuesit e mi kanë këmbëngulur në këtë gjë – është se kur sheh el-Ḳarīb dhe e përbrendëson këtë, nis ta duash krijimin; njëmend fillon ta duash krijimin. Sigurisht që ka gjëra të frikshme në krijim. Emrat Hyjnorë janë shpeshherë të rreptë; të vrojtosh përmes teleskopit Hubble të hapësirës arrin të kuptosh sa shumë gjëra të frikshme dhe gjëra madhështore gjenden në krijim. Por i gjithi është krijimi i Tij dhe i gjithi është për t’u dashur. Shenja e besimit të vërtetë është shpërthimi i dashurisë nga zemra, që të bën ta shohësh krijimin e Allahut jo thjesht si një grusht dukurish, vargje të ADN-së dhe grimcave atomike që zhduken dhe rikonfigurohen në një univers material thelbësisht të pakuptimtë, por ta shohësh si ajo që Allahu dëshiron  në atë moment, dhe ai është Aḥkemil-ḥākimīn.

Ky është transformimi ndërmjet atyre që dinë dhe atyre që nuk dinë, çka përbën dallim të madh. Nuk janë i njëjti lloj i qenieve njerëzore. Cili është efekti i kësaj gjëje? Efekti është se ai që e sheh Allahun si el-Ḳarīb e do krijimin e Tij, dhe i do qeniet njerëzore më shumë se çdo gjë tjetër në krijim, sepse në qenien njerëzore manifestohen këto cilësi të jashtëzakonshme të Allahut të Shumëlartë, sepse nuk janë thjesht cilësi të bukura dhe madhështore, por janë edhe morale. Mund të gjeni dhimbsurinë në qeniet njerëzore, drejtësinë, butësinë, dhe nëse ato nuk i kanë gjithë këto cilësi aktualisht, të paktën mund të vëresh aftësinë për t’i pranuar ato; duajini për atë që janë, apo për atë që u kërkohet të jenë, por duajini!

Kjo është urtësia në rrugën e mësuesve të mi – një trajtim jashtëzakonisht i dhembshur i të gjithë këtyre krijesave, përfshirë edhe mëkatarët nga mesi i tyre. Kjo ka qenë gjithmonë shenja dalluese e eulijāve dhe shkollarëve të mëdhenj të Islamit. Vetë procesi i krijimin ka si synim qeniet njerëzore dhe kjo nuk është gjë e vogël. Kujtoni atë histori me të cilën nisi parehatia apo gjendja jonë, në suren Bekare, episod i jashtëzakonshëm në fillim të kësaj Besëlidhjeje të fundit madhështore të teuhidit – monoteizmit të pakompromentuar abrahamik: mu në ag të qenies njerëzore, Allahu i Shumëlartë urdhëron engjëjt të përdhesen përpara kësaj krijese të bërë nga argjila.

Tekst i çuditshëm për t’u vënë në një dokument që ka si qëllim të thyejë idhujt e arabëve dhe të reduktojë të qenurit njeri në gjendjen e ´abdit, engjëjt vetë, me afërsinë që kanë me Allahun – el-melāiketel muḳarrabūn – të  urdhëruar të përdhesen përpara kësaj qenieje të çuditshme, të krijuar nga argjila. Ata përdhesen përveç Iblisit, që sigurisht nuk e bën këtë gjë. Kjo është zgjedhja jonë. Ose do ta njohim dinjitetin e pafund, dashurueshmërinë dhe jetëgjatësinë e pafund të qenieve njerëzore, jo për shkak të asaj që jemi si një grumbull qelizash, organesh e grimcash, jo dhe aq të këndshme, por për shkak të dritës së shpirtit – rūḥ – që Allahu e ka krijuar në këtë argjilë – ose arrijmë t’i duam ato me të vërtetë dhe t’i shohim me syrin e dashurisë, ose do të ndjekim rrugën e Iblisit dhe të refuzojmë t’i respektojmë apo t’i admirojmë.  Përse? Për shkak të krenarisë së tij, logjikës dhe teologjisë së tij të rreme, përfundimit të tij të gabuar: jam më i mirë se ai; jam zjarr. Zjarri vjen nga autonomia jonë vetjake, nga energjitë tona të brendshme, nga zemërimi, tërbimi, krenaria – që gjenden me shumicë në fe sot. Ka shumë pak dashuri për robërit e Allahut, sepse ka kaq shumë krenari, zemërim, pështjellim, arrogancë.

Këto janë vetëm disa nga efektet e teuḥīdit. Në këtë gjendje i la njerëzit Profeti (pqmt) duke qenë të ndarë më parë në fise, që ndiqnin statuja të ndryshme, duke u hakmarrë shekull pas shekulli, bashkoi zemrat e tyre falë këtij parimi transformues, unik dhe unikalisht të pazëvendësueshëm të teuḥīdit, të Njëjësisë së Allahut të Shumëlartë. Shumë nga ne flasin për teuḥīdin në ditët e sotme, herë me zemërim, herë me butësi, por teuḥīdi nuk është asgjë nëse mbetet thjesht në tru dhe në manualet teologjike, e nuk hy në zemër dhe nuk transformon mënyrën si jemi. Teuḥīdi nuk duhet të na ndihmojë vetëm për të ripohuar Unitetin e Krijuesit, por të na ndihmojë  edhe të rikujtojmë unitetin e racës njerëzore.

Çdokush i përket ose ummet ed-dāuah, ose ummet el-´ixhābah, ose duhet ftuar, ose është përgjigjur, por janë të gjithë aty, siç ishin në kohën kur engjëjt iu përdhesën Ademit (pqmt), të gjithë zotërojnë kerramnā benī Adem: Ne i kemi fisnikëruar bijtë e Ademit. Të gjithë kanë el-‘ismeh el-ademījeh, ajo që shkollarët maturidij e quajnë si paprekshmëria e përkatësisë në familjen adamike. Kjo është rrjedhoja e vërtetë e teuḥīdit. Mos u kushtoni vëmendje, mos i  respektoni, mos u besoni atyre që flasin për teuḥīdin, zemrat e të cilëve nuk janë tejmbushur me dashurinë për krijesat e Allahut.

Zoti ju bekoftë! Paqja dhe dashuria e Zotit ju shoqërofshin!