Dana Awartani është një artiste tradicionale me përvojë që jeton në Arabinë Saudite dhe Mbretërinë e Bashkuar. E përkushtuar për ringjalljen e mjeshtërive historike nga bota islame, Dana punon me një gamë të gjerë materialesh, përfshirë qeramikën, pigmentet natyrore dhe zdrukthëtarinë e frymëzuar nga shekujt e gjeometrisë dhe modeleve historike islame. Një intervistë me Dana Awartani:

  • A mund të na flisni pak më shumë për veten si artiste?

Unë besoj se kam lindur për të qenë artiste. Unë kam bërë art gjithë jetën time, për aq sa unë mund të kujtoj, dhe e dija që nga mosha 14 vjeçare që dëshiroja të isha artiste. U zhvendosa në Londër për studimet universitare dhe mora një diplomë bazë në Art dhe Dizajn dhe një diplomë Bachelors në Arte të Bukura, të dyja syresh nga Kolegji Qendror i Artit dhe Dizajnit të Saint Martins. Ishte një përvojë kaq e mahnitshme të ishe në atë universitet. Më mësuan se si ta zhvilloja artin tim në një nivel më profesional dhe rrethuohesha nga artistët më të talentuar nga e gjithë bota. Deri në atë moment puna ime ka qenë gjithnjë bashkëkohore dhe kam bërë shumë instalacione dhe art 3D për të diskutuar çështjet e shoqërisë moderne në Arabinë Saudite. Më vonë mora pjesë në Prince’s School of Traditional Arts, dhe pikërisht aty pasioni im për artin islam lulëzoi me të vërtetë. Atje kam marrë diplomën Master dhe po atje unë qeshë ekspozuar ndaj një mënyre krejtësisht të re për ta parë dhe krijuar ‘artin’. U dhashë plotësisht pas asaj që mësova aty dhe, nga ana tjetër, krijova një respekt të thellë për parimet e arteve tradicionale. Puna ime ndryshoi në mënyrë drastike, si në mediumet që përdorja ashtu edhe konceptet që unë diskutoj në punën time. Kryesisht, unë përqendrohem në përshfaqjen e kuptimeve të fshehura në artin islam nëpërmjet përdorimit të simbolizmit në modelet dhe ngjyrat, si dhe kombinoj teknikat dhe konceptet tradicionale për të krijuar pjesë me një ndjenjë të lehtë moderne për to. Aktualisht unë jam duke ekspozuar punën time në mbarë botën dhe bëj seminare për të rritur ndërgjegjësimin për artin islam në rajon. Gjithashtu po trajnohem me një mjeshtër të stolisjes në Turqi që me shpresë ta fitoj ixhāzen apo çertifikatën time në artin e stolisjes në të ardhmen e afërt.

  • Mbi ç’projekte jeni duke punuar tani?

Aktualisht po punoj në një seri pikturash për Panairin e ardhshëm të Artit në Abu Dabi. Ato bazohen në historinë e gjashtë ditëve të krijimit në traditën islame. Ky është një projekt mjaft emocionues pasi po zhvilloj një metodë të re pikture që nuk e kam përdorur më parë. Jam duke kombinuar teknikat që i kam aplikuar me vizatimet e gjeometrisë sime me pikturën tradicionale të stolisjes, kështu që do të jetë një ekuilibër i këndshëm mes të dyjave.

© Dana Awartani

  • Çfarë do të thotë të jesh një ‘artist islam’?

Unë do ta përkufizoja një ‘artist islam’ si dikë që krijon punë të frymëzuar nga arti, kultura dhe tradita islame. Ndonëse unë nuk jam vërtet një tifoze e atij termi, ai është përdorur në mungesë të një përshkrimi më të mirë. Në ditët e sotme gjithçka duhet të përcaktohet ose etiketohet; nuk mund të jetë thjesht ajo që është. Unë do të doja ta shihja veten si një artiste dhe kjo është e gjitha. Në këtë mënyrë, nuk po e kufizoj veten dhe zhvillimin tim artistik në një titull të caktuar, sepse kurrë nuk e di se në cilën rrugë mund të më shpjerë arti im në të ardhmen: mund të ndryshojë tërësisht.

  • A mund ta përkufizoni çfarë është dhe çfarë kuptimi ka për ju arti islam?

“Arti islam mund të përshkruhet më së miri si një art i shenjtë. Është një art që është bërë thjesht për hir të përkushtimit dhe shprehjes shpirtërore dhe fetare, jo art që përdoret për të shprehur mesazhin apo historinë personale të artistit. Tradicionalisht artisti e mban veten larg nga çdo lëvdim ose njohje e punës së tij. Arti islam gjithashtu mishëron dhe shpreh mësimet e Islamit, qoftë përmes formave më të dukshme si kaligrafia dhe miniatura, qoftë qasje më abstrakte në sajë të përdorimit të gjeometrisë dhe arabeskës. Arti islam është krahasuar me një formë të dhikrit ose një ndërmendje të Zotit, që është një formë adhurimi në një mënyrë shumë më krijimtare.

Për mua personalisht arti islam është një mënyrë për që unë të zbuloj më shumë për fenë time nga një këndvështrim dhe qasje tjetër. Është gjithashtu një mënyrë që unë të zbuloj veten dhe përmes çdo vepre që krijoj unë mësoj diçka të re dhe të paçmueshme.

© Dana Awartani

  • Çfarë ju frymëzon?

Udhëtimet në vendet ku gjenden kryeveprat e artit dhe arkitekturës islame janë zakonisht kohët më frymëzuese për mua. Kohët e fundit kam shkuar në Turqi dhe Iran, çka ishte një përvojë mahnitëse sepse isha në gjendje të dëshmoj diversitetin e artit islam të perandorive e mëdha osmane dhe safavide të së kaluarës. Po shpresoj të vizitoj Marokun dhe Indinë, të cilat gjithashtu janë vende shumë frymëzuese për t’i vizituar si artist. Për fat të keq nuk ka shumë ekspozita të artit islam, ku mund të shkoj dhe të shijoj punë të ngjashme me atë që bëj, por kam zbuluar se pjesëmarrja në shfaqjet e artit modern është gjithashtu shumë e rëndësishme. Sapo u ktheva nga Bienalja e Venecias. Ishte një përvojë absolutisht e mahnitshme dhe suçelëse të ishe krejtësisht e rrethuar nga të gjitha llojet e krijimtarisë dhe artit nga një mori origjinash, kulturash dhe feshë të ndryshme. Unë besoj se si artiste, duhet të ekspozohem ndaj një larmie formash të artit, sepse është e shëndetshme që të kesh një ekuilibër dhe një kuptim të gjerë të artit si një fotografi më e madhe. Jam befasuar për mirë nga disa gjëra që më kanë frymëzuar.

  • A mund të na thoni çfarë ju tërheq në format tradicionale islame?

Arti islam është kryesisht i përbërë nga modelet gjeometrikë për shkak të mungesës së imazheve figurative dhe ikonave për të parandaluar artin të jetë një formë adhurimi. Kjo gjë ka sjellë në jetë një fond shumë të pasur dhe të larmishëm modelesh që variojnë nga motivet florale në kompozime më të strukturuara gjeometrike. Pra, nëse bëni art islam, puna juaj ka shumë të ngjarë të përbëhet nga modelet gjeometrikë. Gjëja kryesore që unë dua dhe respektoj tek ta është se ndonëse janë shumë të ndryshëm, ata ende kanë një ligj të përbashkët. Ideja e simetrisë, harmonisë dhe strukturës qëndron gjithmonë në themel të tij. Kur konsideroni artin e stolisjes, në fillim mund të mendoni se artisti ka patur liri të plotë krijuese dhe ka krijuar një gjerdan të rastësishën motivesh florale. Por nëse shqyrtoni me më shumë rigorozitet modelin në të cilën bazohen, do të shihni spirale proporcionale që përsëriten në të gjithë kompozimin. Asgjë nuk është kurrë e rastit, asnjë formë nuk është kompozuar pa iu bindur ligjeve të harmonisë. Ky është një nga parimet kryesore të artit islamik në tërësi. Arsyeja për këtë është filozofia e përpjekjes për të mishëruar dhe përcjellë harmoninë dhe strukturën e gjithçkaje në këtë tokë nëpërmjet modelit.

© Dana Awartani

  • Përse gjeometria është kaq e rëndësishme në artin islam dhe çfarë do të thotë gjeometria për ju?

Gjeometria luan një rol përcaktues në artin islam; ajo mund të shihet si themeli apo parimi. Çdo element i artit islam është i ndërthurur sipas përmasave gjeometrike dhe përdoret për të rrëfyer një histori. Nëse shqyrtoni kaligrafinë, çdo shkronjë formohet duke përdorur masa gjeometrike shumë të përpikta që duhen ndjekur. Në miniaturë dhe solisjen e dorëshkrimit, forma e faqes përgjithësisht kompozohet duke përdorur parime gjeometrike. Shembulli më i dukshëm është arkitektura islame. Po të shqyrtoni Kupolën e Shkëmbit në Jeruzalem, do të shihni se ajo është ndërtuar mbi një bazë tetëkëndore me një kupolë rrethore. Kjo u bë jo vetëm sepse është më e qendrueshme nga ana arkitekturore dhe ofron strukturën më të fortë për të mbajtur kupolën, por edhe për të pasqyruar idenë se, siç përmendet në Kuran, “tetë engjëj do të mbajnë fronin në Ditën e Gjykimit”. Siç e pohova më lart, gjeometria ka gjithmonë një kuptim të brendshëm dhe të jashtëm. Asnjë formë ose numër nuk përdoret pa një qëllim. Ajo ka një rol praktik dhe simbolik për të luajtur. Kjo është arsyeja pse unë jam kaq e magjepsur nga gjeometria e shenjtë. Unë gjithmonë dua të zbuloj se çfarë do të thotë dhe pse është përdorur secila gjë. Gjeometria mund të përdoret si një gjuhë vizuale shumë e ndërlikuar dhe elegante për ata që e kuptojnë atë.

© Dana Awartani

  • Ju punoni me materiale të ndryshme si stolisja e dorëshkrimeve, parketi, qeramika, xhami i kristalit, miniaturat dhe mozaikët. Përse këto mjështëri historike?

Më pëlqen të përdor metodat historike kur krijoj veprat e mia sepse janë aq të pastra dhe personalisht besoj se janë teknika të përsosura dhe të patëmeta. Duhet të mos harroni se shumë metoda moderne të prodhimit të produkteve të caktuara janë huazuar nga këto teknika historike. Por cilësia e punës është cënuar për shkak të zgjedhjes më ekonomike të përdorimit të makinerive që bëjnë të mundur prodhimin masiv.

Shumë punime në pllakë ose punime druri janë të frymëzuara nga modelet dhe ngjyrat tradicionale, por ato janë bërë me anën e makinerive, jo me dorë. Materialet janë zakonisht të lira ose kimike, që me të vërtetë ua zhveshin vlerat estetike. Unë personalisht besoj se nëse po investoj kaq shumë kohë dhe energji në punën time, unë duhet të përdor materialet me të pastra dhe më natyrale të disponueshme. Për shembull unë preferoj të përdor pigmentet natyrale që i bëj vete në vend që të blej bojë nga një dyqan. Duke përdorur materiale natyrore unë jam kam sigurinë që pikturat e mia do të zgjasin përgjithmonë dhe ngjyrat kurrë nuk do të zbërdhulen përgjatë viteve. Boja e gatshme ka shumë kimikate jonatyrore dhe priret të nisë të zbehet pas njëzet vitesh. Procesi i krijimit të artit është ndoshta aspekti më i rëndësishëm i punës sime.

  • Çfarë i ofron botës islame puna jote artistike?

Mbi të gjitha unë shpresoj se puna ime e bën botën islame krenare për trashëgiminë dhe kulturën e saj të mahnitshme. Gjithashtu, unë po përpiqem të shfaq një anë tjetër, disi më mistike dhe shpirtërore të Islamit. Edhe pse i panjohur për shumë njerëz, ekziston dhe unë besoj se shumë njerëz nga fetë dhe kulturat e ndryshme mund të lidhen lehtësisht me atë aspekt pasi ai ka një prerje të madhe me fetë e tjera. Tani është më e rëndësishme se kurrë të përpiqemi ta përshkruajmë Islamin në një mënyrë pozitive dhe të shfaqim bukurinë e fesë dhe arritjet e mëdha që perandoritë myslimane ia dolën të nxjerrin në dritë në histori.

© Dana Awartani

  • Muaji i Shenjtë i Ramazanit është një periudhë frymëzuese për shumë njerëz. Çfarë ju vjen ndërmend kur mendoni për Ramazanin?

Për mua personalisht, Ramazani është një kohë për t’u kaluar kohën me familjen time dhe për t’u ripërtërirë. Muslimanët janë mjaft fatlumë për obligimin e ritualit gjatë Ramazanin sepse personalisht besoj se kjo periudhë nuk u dedikohet vetëm agjërimit dhe lutjes. Është një kohë kur mund të përqendrohesh në përmirësimin e vetes dhe jetës tënde në tërësi. Është i vetmi moment gjatë vitit, kur mund të ndërmarrësh një hap prapa, të ngadalësosh dhe të rivlerësosh jetën tënde dhe të përpiqesh ta bësh atë më të mirë, për t’u siguruar që je aq i/e lumtur dhe i/e shëndetshëm/e sa mund të jesh.

  • Ç’ndikim ka Ramazani mbi punën tuaj?

Koha ngadalësohet shumë gjatë këtij muaji dhe unë kam përgjithësisht më pak hutim në jetën time, gjë që më jep më shumë kohë për t’u përqendruar në punën time. Jo domosdoshmërisht Ramazani ndikon drejtpërsëdrejti në punën time në mënyrë thelbëspre, sepse si artiste duhet të jem vazhdimisht e frymëzuar pavarësisht se ç’periudhë e vitit është. Dhe duke marrë parasysh fushën time të veprimtarisë, gjithmonë kam nevojë të lexoj tema fetare për të zhvilluar ide të reja për veprat e ardhme.

  • A e konsideroni krijimtarinë artistike pjesë të mënyrës se si e shfaqni fenë dhe si pjesë e praktikës tuaj fetare, ashtu si, të themi, falja e namazit apo të shkuarit në xhami?

Besimi im është midis Zotit dhe meje dhe është mjaft personal. Unë nuk projektoj asnjë nga pikëpamjet e mia specifike fetare në punën time, sepse kjo është çështje tjetër dhe do të ndryshonte natyrën e veprës. Puna ime i kushtohet më shumë nxitjes dhe edukimit të njerëzve në besimin e Islamit si një e tërë nga një këndvështrim tjetër dhe jo nga pikëpamjet e mia. Ka kaq shumë mënyra për të shprehur besimin dhe në një mënyrë më pak të dukshme unë do ta konsideroja artin tim si një formë adhurimi. Rumiu e përmblidhte atë që puna ime do të thotë për mua kur thoshte: Le të jetë bukuria e asaj që doni ajo që ju bëni. Ka një mijë mënyra për t’u gjunjëzuar dhe për të puthur tokën.

  • Cilat janë përshtypjet e paharrueshme që keni marrë për punën tuaj?

Mbresat më të zakonshme dhe më të paharrueshme janë kur njerëzit befasohen kur mësojnë kuptimin që fshihet pas gjeometrisë. Ngazëllehem shumë kur shoh njerëzit që tregojnë interes ndaj atij aspekti të punës sime, sepse besoj se ai i bën ata ta shohin artin islam jo vetëm si një art dekorativ por edhe si diçka që është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe intelektuale. Më kujtohet një budist amerikan që takova në Bienalen e Venecias. Ai arriti të lidhë punën time me besimin e tij dhe vuri re shumë ngjashmëri ndërmjet koncepteve në Islam dhe Budizëm.

© Dana Awartani

  • Cilët janë objektivat tuaj si artiste?

Qëllimi im kryesor është të frymëzoj dhe edukoj njerëzit rreth meje, t’i mësoj ata ta duan dhe respektojnë artin islam që fatkeqësisht po bëhet një traditë në zhdukje. Unë mendoj se është detyra ime si muslimane dhe arabe që vazhdimisht ta promovoj fenë dhe kulturën time në një dritë të mirë. Unë ëndërroj që një ditë muslimanët të mos e kenë më këtë stigmë të tmerrshme dhe njerëzit në të gjithë botën të vendosin të shohin të mirën dhe bukurinë në fenë tonë. E vetmja gjë që mund të bëj për ta mbështetur këtë është që të përdor artin tim si mjet. Unë me të vërtetë besoj se arti është një nga mënyrat më efektive për të dërguar një mesazh që ka ndikim: është një gjuhë vizuale me të cilën mund të lidhet çdokush. Unë gjithashtu shpresoj të edukoj brezin e ardhshëm që të mësojë rreth artit islam. Është e turpshme që kurdo që u mësohet arti në shkollë, ai gjithmonë bazohet në teknikat perëndimore të vizatimit dhe pikturës dhe kurrë nuk mësoni për kulturën tuaj.

  • A keni një vepër arti për të cilën jeni më shumë krenare?

“Po, patjetër! “Es-Semāuāt el-Mubārika” (Qiejt e Bekuar). Është një pjesë qeramike me mdhësi dy metra e përbërë nga përafërsisht 6,000 pllaka individuale që duhej ta bëja vetë, pastaj t’i bëja finiturën. Jam shumë e lidhur me atë pjesë sepse më është dashur gjashtë muaj që ta përfundoj, që është periudha më e gjatë që më është dashur ndonjëherë për të krijuar një vepër arti. Ishte gjithashtu një pjesë ku mësova një teknikë shumë efektive dhe të re të krijimit të zel-līxhit. Megjithëse ishte jashtëzakonisht intensive dhe çdo pllakë duhej të ishte perfekte ose nuk do të përshtatej në fund, mësova domethënien e vërtetë të durimit dhe këmbënguljes.

© Dana Awartani

  • A keni një urim të veçantë për Ramazanin për lexuesit tanë?

Po! Shpresoj që secili të ketë një muaj të bekuar dhe që të gjitha lutjet dhe dëshirat e tyre të pranohen. Për ata që agjëronin në vende ku orët e agjërimit janë shumë të gjata, shpresoj që ky muaj nuk do të jetë i vështirë për ta. Së fundi kam shpresë që të gjithë ata që lexojnë për punën time do të frymëzohen dhe do të synojnë të mësojnë më shumë për atë formë jashtëzakonisht komplekse dhe të bukur që është arti islam.

Malika Bouaissa

Përktheu: Vehap Kola