Grupi, jashtëzakonisht ekstremist edhe për vetëm al-Kaedën vijon të përbëjë lajmin kryesor. Por kësaj here, nuk është përdorimi i zakonshëm i masakrave dhe terrorit, që i shoqëron kudo që përparon. Grupi ekstremisht që njihej si Shteti Islam i Irakut dhe Levantit (ISIL) ka deklaruar një ndryshim emri dhe formimin “zyrtar” të atij që ata e quajnë Shteti Islam.

Sipas grupit, një këshill figurash authoritative ka zgjedhur udhëheqësin e tyre enigmatik Ebu Bekr el-Baghdadi si kalif, apo pasuesin politik zyrtar të Profetit Muhamed. Nisur nga brutaliteti i Shtetit Islam dhe pretendimet e tyre gjithëpërfshirëse për përmbushjen e një detyrimi islam për të themeluar një regjim islam të unifikuar për muslimanët, është ngritur një re spekulimi dhe histerie rreth deklaratës së tyre të fundit . Kjo është veçanërisht e vërtetë pas njoftimit shoqërues të një plani pesëvjeçar për dominim global.

Disa faktorë kanë kontribuar në ngritjen e Shtetit Islam dhe zgjerimin e radhëve të tyre me muslimanë të rinj të joshur nga retorika religjoze dhe videot e propagandës impresionuese në stilin e Hollivudit. Pak njerëz në Perëndim mund ta kuptojnë përçmimin e thellë që kanë muslimanët për marrëveshjen e fshehtë Sykes-Picot të vitit 1916. Pothuaj 100 vite më vonë, kufinjtë e projektuar për të ndarë tortën koloniale europiane të Lindjes së Mesme pas Luftës së Parë Botërore vijojnë të mbeten të gjithëpranishme në psikën muslimane. Nuk është e pazakontë të dëgjosh predikuesit muslimanë ta citojnë këtë marrëveshje kur flasin për politikën dhe mungesën e unitetit politik ndërmjet muslimanëve. Shto këtu edhe sunduesit despotikë në rajon; luftën civile në Siri dhe politikat sektare të qeverisë irakene që kanë margjinalizuar sunitët, të gjithë kato kanë krijuar një bazë pjellore për ngritjen e një grupi të këtillë si Shteti Islam. Po të merren në konsideratë të gjitha këto, faktikisht, nuk është edhe aq befasi.

Në kërkim të unitetit të muslimanëve

Është e rëndësishme të kuptojmë se Shteti i Islamit nuk e ushqen retorikën e tij fetare nga vakuumi. Megjithë ndarjet ndërmjet sekteve të ndryshme muslimane sot dhe përgjatë historisë, një çështje rreth të cilës kanë rënë dakord në të shkuarën dhe tani të gjithë dijetarët muslimanë është uniteti politik ndërmjet muslimanëve. Tradicionalisht, kalifati është një term dallues për regjimin politik në Islam. Ai shenjon sistemin e qeverisjes që menaxhon jo vetëm çështjet civile dhe ekonomike të njerëzve, por përfaqëson edhe një kod etik në të cilin aderon sunduesi, që mbështetet në Islamin.

Është e mirënjohur në traditën islame se Islami, si fe, mbulon jo vetëm çështjet private dhe individuale, por edhe çështjet politike të muslimanëve në përgjithësi. Në fakt, Islami është mjaft unik ndërmjet feve botërore në këtë aspekt. Sidoqoftë, jo domosdoshmërisht kjo nënkupton kthimin në Mesjetë.

Natyra dinamike e ligjit islam, dhe aftësia e tij për t’u adaptuar në realitetet e reja kontekstuale nuk është vlerësuar sa duhet. Që nga zhvillimi i tij i hershëm, dijetarët muslimanë e kanë ndarë sistemin juridik islam në dy kategori të gjera: aktet e adhurimit dhe aktet e transaksioneve njerëzore. Pikërisht, në aktet e transaksioneve njerëzore, që përfshijnë edhe regjimin politik, teoria juridike islame e shfaq fleksibilitetin e saj dinamik.

Ndryshe nga al-Kaeda, Shteti i Islamit është veçanërisht i rrezikshëm në përpjekjet e tij taktike për të ngritur autoritetin e tyre fetar. Kur vjen fjala te kalifati, Ibn Khalduni (1332-1406), historiani dhe sociologu musliman, thoshte “qëllimi i kalifatit është uniteti [i muslimanëve] dhe braktisja e përçarjeve”. Kjo është pranuar si një detyrim komunitar ndaj muslimanëve – që është shumë kuptimplotë, nëse kemi parasysh përçarjen aktuale të vendeve muslimane. Shteti i Islamit e shfrytëzon këtë parim në deklaratën e tij, kur shpall themelimin e pretenduar prej tyre të një kalifati musliman, sepse “ka ardhur koha që ju të braktisni këtë partishmëri, shpërbërje dhe përçarje të neveritshme”.

Është interesante të vërehet se në deklaratën e tyre, Shteti i Islamit gërsheton koncepte moderne të nacionalizmit dhe shtetit komb me tribalizmin e arabëve para Islamit, duke i prezantuar muslimanët me një dikotomi të rreme të “ose jeni muslimanë dhe jeni me ne, ose jeni renegatë dhe kundër nesh”. Meqë është fjala këtu, sa i përket ideologjisë së Shtetit Islam, shiitët nuk janë muslimanë dhe, që këtej, derdhja e gjakut të tyre është e lejuar. Çdo musliman sunit që nuk zotohet për besnikëri ndaj tyre, trajtohet gjithashtu me forcë brutale.

Fasadë

Vështirësia në dallimin e të vërtetës nga e rremja në shpalljen madhështore të Shtetit të Islamit është se, me përjashtim të përiudhave të konflikteve të brendshme, kalifati ka përfaqësuar unitetin për muslimanët nën një udhëheqës të vetëm (qoftë edhe udhëheqës kukull) për 1300 vjet, përpara shpërbërjes së Perandorisë Osmanë dhe përzënies së kalifit të fundit, Abdulmexhidit në 1924. Për muslimanët, nuk është ide radikale të ëndërrosh Islamin e ribashkuar, dhe kësisoj, një numër shumë i madh janë nostalgjikë për këtë unitet. Shteti i Islamit shfrytëzon këtë nostalgji në deklaratën e fundit dhe i kushton një pjesë të madhe të saj citimeve nga dijetarë të ndryshëm muslimanë dhe pasazheve nga Kurani, për t’i dhënë legjitimitet fetar kalifatit të tyre. Por, e gjithë kjo është një fasadë.

Një parim juridik në teorinë juridike islame pohon se, “nuk ka asnjë polemikë rreth terminologjisë”. Mes domethënieve të tij, ky parim vepron si një barrierë ndaj përpjekjeve të masës së muslimanëve për të përdorur ato që konsiderohen terma islamë për të krijuar legjitimitet të veprimeve të caktuara. Me fjalë të tjera, ky është një mjet për të parandaluar mashtrimin. Kjo ilustrohet në përdorimin modern të financave islame, që në shumicën e rasteve përdorin një lustër terminologjike islame, por në thelb, nuk dallojnë nga praktikat e huadhënies me bazë kamatën, të zbatuara nga bankat e zakonshme. Kësisoj, dijetarët muslimanë janë veçanërisht refuzues të emrit që mbart një veprim, dhe përqëndrohen në thelbin e veprimit me qëllim që të përcaktojnë nëse është i vlefshëm fetarisht.

Përveç përqëndrimit në thelbin e veprimit, dijetarët muslimanë shqyrtojnë, gjithashtu, edhe mjetet e vëna në punë dhe pasojat e ardhshme që pritet të rrjedhojnë. Nuk është e mjaftueshme që të deklarohet kalifati si një detyrim komunitar për muslimanët dhe të përdoret si një justifikim për çdo lloj veprimi, me qëllim përmbushjen e këtij obligimi. Për më tepër, nëse plani i implementimit të kalifatit përfshin edhe mundësinë më të vogël të aktiviteteve vdekjeprurëse, që i shfaq me aq krenari i Shteti i Islamit në materialet e tyre propagandistike, një përpjekje e këtillojtë nuk mund të konsiderohet si islame.

Një përbërës i domosdoshëm i ligjit islam që ka të bëjë me politikën dhe që injorohet shpesh nga grupe si Shteti i Islamit është konteksti në të cilin ai është përftuar nga Kurani dhe Hadithi, tradita e Profetit Muhamed. Veç kësaj, ata refuzojnë në mënyrë kategorike çdo formë moderne të politikës, duke besuar se modeli i vetëm që do të funksiononte është ai që ekzistonte në kohën e Profetit Muhamed.

Ata refuzojnë çdo nocion të objektivave kryesore të ligjit islam, duke synuar të zbatojnë atë që ata kuptojnë literalisht, edhe nëse një zbatim i këtillë çon deri në mohimin e qëllimit të tij. Për Shtetin e Islamit, uniteti, drejtësia dhe mbrojtja e jetës dhe fesë hidhen tej, për hir të ngritjes së një ideje perverse të atij që ata mendojnë se duhet të jetë kalifati. Në vend të kësaj, ata imponojnë uniformitetin, pabarazinë dhe vrasjen sistematike të grupeve. Ky është fashizëm i veshur me petk islam.

Shpallja e kalifatit të udhëhequr nga Shteti Islam nuk është përmbushje e një urdhërese islame, as nuk është në metodologjinë e Profetit Muhamed, siç pretendojnë ata. Është suksesi i dhunës së llahtarshme të ushtruar nga një grup ekstremist, që duket se po i realizon veprimtaritë e tij terroriste pa ndonjë opozicion shumë të organizuar ushtarak. Kjo është jashtëzakonisht problematike, sepse i siguron Shtetit Islam atë që mund të jetë instrumenti më joshës në rekrutimin e muslimanëve të etur për të jetuar në kalifat, edhe nëse ky është një mirazh i kalifatit të vërtetë.

Poshtëshënim

Ardhja e grupeve ekstremiste që keqinterpretojnë traditën islame për të kamufluar qëllimet e tyre politike është paralajmëruar nga vetë Profeti Muhamed. Një nga shembujt e shumtë të këtij paralajmërimi është rrëfimi i përcjellë nga Profeti përmes kushëririt të tij Ali ibn Ebi Talib, që thotë:

Kur të shihni flamuj të zinj, rrini aty ky jeni dhe mos i luani as duart dhe as këmbët (kjo është një frazeologji arabe që ka kuptimin: ‘frenohuni dhe mos u përfshini në luftim’). Pas kësaj do të shfaqet një popull i pafuqishëm, të cilit nuk do t’i kushtohet vëmendje. Zemrat e tyre do të jenë si copa hekuri. Ata janë përfaqësuesit e shtetit. Ata nuk do të mbajnë as besë, as marrëveshje. Ata do të ftojnë tek e vërteta, ndonëse nuk janë njerëz të saj. Emrat e tyre do jenë llagape [p.sh. Ebu Mus’ab, Ebu Bekr, etj], kurse mbiemrat e tyre do jenë emra fshatrash (ose vendesh) [p.sh. el-Misri, el-Harrani, el-Baghdadi, etj]. Flokët do t’i kenë të gjatë si të grave. [Ata do të mbeten të tillë] derisa të përçahen mes njëri-tjetrit dhe Zoti të nxjerrë të Vërtetën prej kujtdo që Ai të dëshirojë.”1

* Mohamed Ghilan është një Doktorant i shkencave neurologjike në Universitetin e Viktorias, Kanada, dhe studiues i jurisprudencës islame.