Problemi me Progresivizmin

Shpërndaje

Shumica dërrmuese e jona, me apo pa vetëdije, jemi progresivistë. Ajo që nënkuptoj me këtë është se ne e shohim veten dhe epokën aktuale si, historikisht, e fundit dhe më madhështorja. Pyetja është, a jemi të justifikuar për ta besuar këtë gjë?

Në mënyrën se si po e përdor termin, “progresivizmi” është filozofia e përgjithshme se njerëzimi është në një rrugë të paprerë progresi. Ndërsa qytetërimi njerëzor përparon përgjatë kohës, ai përmirësohet gradualisht në planin intelektual dhe moral paralelisht me rritjen e dijes tonë për botën përreth nesh. Sigurisht, mund të ketë aty këtu hapa pas (p.sh. luftëra botërore, gjenocid, etj), por kahja mbizotëruese është ajo e përparimit.

Progresivizmi e gjurmon origjinën e tij në Iluminizmin dhe kulmin e tij në pranimin e gjithëpërhapur të Darvinizmit në shekullin e njezetë, që i dha progresit shprehjen e tij të parë shkencore. Mendimtarë influencues dhe diversë si Locke, Descartes, Kant, Hegel dhe Marks, të gjithë mbështeteshin në fuqinë e racionalitetit njerëzor për të tejkaluar lapërdhitë e natyrës njerëzore dhe për të vazhduar të shtyjnë njerëzimin drejt një fati shkëlqimtar me zgjedhjen e tij të lirë.

Sipas kësaj pikëpamjeje, jo vetëm që njerëzit, si racë, po rriten në dije rreth botës empirike — kryesisht përmes shkencës — por ata po përparojnë edhe në përkryershmërinë morale. Barbarizmi i të shkuarës shihet për atë që ishte. Vetëpërcaktimi fetar, liria e ndërgjegjes, të drejtat e patjetërsueshme, të drejtat e grave dhe një mori e tërë doktrinash të tjera liberale humaniste janë zhvilluar, secila syresh me një gjëmimë daullesh në marshin drejt realizimit përfundimtar të njeriut.

S’do mend që ka patur edhe skeptikë ndaj këtë lloj progresi. Rryma më e spikatur e kritikës arsyeton se njeriu modern, që jeton në një botë teknokratike kryesisht kapitaliste globaliste, është qartësisht jo më mirë se paraardhës të caktuar të tij. Kapitalizmi i industrializuar, me gjithë arritjen e tij teknike, ka lëshuar një goditje të rëndë ndaj shëndetit të planetit. Ndërsa demokracia liberale, me gjithë aspiratat e saj për drejtësi dhe barazi, ka shtruar rrugën për shtet-kombin modern, që me prirjet e tij për korrupsion dhe dhunë, nuk mund të funksionojë. Sa i përket darvinizmit, zbatimi i tij në sociologji dhe inxhinierimin social në fillim të shekullit të njëzetë dhe më pas ka korrur rezultate pothuaj astrologjike. Duke kaluar përmes këtyre shembujve dhe të tjerëve si këto, ekziston arsye e mjaftueshme për të menduar se, larg së qeni në përparim, në fakt raca njerëzore është në një rrëpirë të thikët.

Si një kritik i progresivizmit, unë preferoj një qasje ndryshe. Ndërsa është e dobishme të tregosh problemet e ndezura që kanë pllakosur botën moderne, kjo vijë kritike nuk adreson premisat qëndrore të progresivizmit, që është se ndërsa koha kalon, dija njerëzore akumulohet.

Një progresivist, për shembull, mund të argumentojë se të gjithë të keqtë e botës moderne përfaqëson thjesht zbatimin e papërsosur të vlerave të respektueshme të zhvilluara gjatë shekujve. Për shembull, teknologjia mund të përdoret nga aktorë qëllimkëqinj për të inxhinieruar armë të shkatërrimit në masë ndërsa të tjerët shpikin procedura të reja mjekësore për të shpëtuar jetë. Ekzistenca e individëve që mund të abuzojnë me teknologjinë e përparuar për qëllime të ulëta nuk e zhbën faktin që dija njerëzore ka progresuar në një mënyrë të respektueshme. Njësoj ndodh me kapitalizmin, demokracinë dhe vlerat e institucionet e tjera.

Ajo që do të doja të sugjerojë, ndërkaq, është se dija njerëzore nuk akumulohet. Ky mund të tingëllojë si një pretendim i dyshimtë, veçanërisht në dritën e teknologjisë dhe shkencës. Qartësisht, e thënë me gjuhën e teknologjisë, ne jemi vite dritë larg paraardhësve tanë, apo jo? Sidoqoftë, unë nuk do ta paraqes tërësinë e argumenit dhe konsideratat e tij tani, por ajo që parapëlqej të ndaj janë disapak arsye përse duhet të rishikojmë dhe, ndoshta, të jemi skeptikë ndaj nocionit që dija akumulohet përgjatë historisë.

Thelbi i gjithë kësaj është se, nëse ecim me idenë se dija njerëzore akumulohet, atëherë kjo prodhon një tufë implikimesh, në krye të të cilave qëndron ky: nëse dija nuk akumulohet, ç’gjëje mund t’ia atribuojmë “ngadhënjiet mahnitëse” të epokës moderne, me gjithë teknologjinë tonë dhe të drejtat e njeriut? A nuk ngjall kureshtje që gjatë 150 viteve të shkuara njerëzit kanë qenë në gjendje, dukshëm, të arrijmë më shumë se ç’ishte bërë në 5000 vite histori të marrë së bashku?

Pra, si arrijmë të gjykojmë nëse dija është akumuluar apo jo? Siç duket, ne nuk mund të hulumtojmë të gjithë historinë njerëzore dhe ndërtojmë hartën e vëllimit kumulativ të dijes në një periudhë të dhënë me qëllim që të prodhojmë një grafik që ilustron progresin.

Me perspektivën tonë të kufizuar nga e cila të mund të gjykojmë, cilat janë arsyet e tjera që mund të na bëjnë të mendojmë se dija akumulohet?

Për sa flasim, ekzistojnë 5 arsye madhore përse duhet të jemi skeptikë ndaj idesë së dija akumulohet nga një mijëvjeçar në tjetrin.

Unë mendoj se shumica e njerëzve tërthorazi e konceptualizojnë “dijen” si një koleksion faktesh. Nëse dija është thjesht një grup faktesh, atëherë ajo i shërben arsyes se faktet e reja zbulohen vazhdimisht, regjistrohen në mënyrë besnike dhe agregohen në koleksion, si shtimi i një libri në një librari.

Por kjo është një teori jashtëzakonsht naïve. Një pjesë e madhe e dijes tonë, për shembull, është praktike, d.m.th, dije “si-të-bëjmë-çfarë”. Të dish si, për shembull, të drejtosh një makinë apo të luash në një instrument muzikor nuk mund të shprehet plotësisht si një grup faktesh. Kur shtrohet çështja e standardeve të etikës njerëzore, traditave shoqërore dhe standardeve estetike, shumëçka nga dija e njeriut është praktike, e pashprehur ose të dyja bashkë.

Sa i përket dijes së pashprehur, edhe dija që mund të shprehet në mënyrë faktike (apo në mënyrë pohuese), ne shpesh e lëmë pa përmendur. Në jetën tonë të përditshme, për shembull, ne të gjithë mbështetemi në vëllime të dijes së pashprehur për të drejtuar jetën me sukses, por zor se do të mund ta shprehnim me fjalë qoftë edhe një fraksion të vogël të asaj dijeje.

Meqenëse dija praktike dhe e ajo e nënkuptuar janë të pashprehura, shpeshherë është e pamundur ta kalosh atë dije tek të tjerët përmes shkrimit. Sigurisht, një pjesë vendimtare e aftësisë tonë për të akumular dije është aftësia për ta regjistruar atë dije. Për shkak të kësaj, dija praktike dhe ajo e brendshme mbeten, në pjesën më të madhe, të paregjistruara dhe, kësisoj, i ikin akumulimit.

(Nëse kemi kaluar kohë me të moshuarit, ju shpeshherë i dëgjoni ata të vajtojnë se si brezat e rinj kanë humbur shumë dije praktike dhe janë injorantë për “artin e të jetuarit”, vuajnë mungesën e “kuptimin praktik”, etj. Me gjasë ka diçka shumë më të thellë në këto ankesa dhe jo thjesht grindavecëri.)

Si një student universiteti, shpeshherë mund të studioja në librarinë e departamentit të matematikës. Nëse kurioziteti më merrte me të mirë, do të merrja një libër nga rafti dhe ta shfletoja. Librat pasuniversitarë të matematikës mund të ishin shkruar shumë mirë edhe në shkrimin kuni. Nuk ekziston ndonjë rrugë përmes të cilës të kuptoj qoftë edhe një faqe të vetme nga Algjebra e Lie apo Analiza Komplekse pa instruksionet e bollshme dhe praktike të mësuesve të kualifikuar të matematikës.

Çështja është se është e vështirë të izolosh dijen jashtë kontekstit të një ligjërimi të caktuar. Teksti në një faqe, për shembull, nuk është dije, nëse nuk ka kush ta kuptojë atë. Nëse kthehemi pas tek shembulli i matematikës së avancuar, përfytyroni të gjithë instruksionin dhe institucionet e proceset, shpjegimet që duhet të përfshihen në trajnimin e një individi të vetëm — d.m.th studentit të matematikës — vetëm që të jeni në gjendje t’i kuptoni ato tekste matematike. Me fjalë të tjera, teksti vetë nuk mund të mbartë dije. Me këtë premisë, pse duhet qoftë edhe vetëm të supozojmë se dija mund të lokalizohet brenda nje teksti? Në realitet, dija është një dukuri shumë më e gjerë që nuk mund të materializohet në një objekt lehtësisht të konsumueshëm dhe të transferueshëm.

Pra, nëse donim të siguroheshim që dija e Algjebrës së Lie të ishte e ruajtur për 500 vitet e ardhshme, detyra jonë nuk do të ishte aq e thjeshtë sa ruajtja e një libri apo një serie librash mbi temën. Për të ruajtur dijen, do të na duhej të mbanim institucione matematike, instruksione matematike, dhe një vëllim të mjaftueshëm ligjërimi për 500 vjet. Pra, një punë që nuk është aq lineare, as e thjeshtë për t’u përmbushur.

Ne s’mund të presim që të gjithë kulturat dhe qytetërimet e kaluara të kenë patur dëshirën të regjistrojnë dhe ruajnë dijen e tyre faktike për të mirën e njerëzimit në të ardhmen e largët. Ideja se dija në vetvete është shpëtimtare dhe duhet përhapur për të mirën e njerëzimit si një tërësi është një nocion thelbësisht religjioz, e shoqëruar kryesisht me fetë abrahamike. Përse u dashka ndërmarrë detyra e mundimshme e ruajtjes së ideve më të mira dhe elementëve të diturisë për njerëzit e të ardhmes (duke marrë të mirëqenë se ju besoni, në radhë parë, se do të ketë një lloj vijimësie të jetës në të ardhmen me njerëz që do të përfitojnë nga ajo dije — një premisë që nuk pranohet nga shumë kultura)?

Nga ato kultura që besonin në rëndësinë e ruajtjes së dijes, sa prej tyre përdorën metodat e regjistrimit që ne të mund t’i përdornim (apo njihnim) sot? Për shembull, sa të arritshme janë për ne traditat gojore të fisit Bo të ishujve Andaman? Me shumë mundësi jo shumë të arritshme, duke marrë në konsideratë faktin se së fundmi fisi është shuar dhe nuk ka mbetur askush që të flasë gjuhën e tyre.

Edhe nëse marrim të mirëqenë se një qytetërim i kaluar zotëronte një vëllim të madh dijeje faktuale DHE se dija nuk ishte shumë e varur nga konteksti DHE se qytetërimi besonte se ishte e rëndësishme që ta regjistronte dhe ruante atë dije përtej të ardhmes së parashikueshme, problemi praktik do të mbetej mënyra e regjistrimit të saj. Siç dihet, letra nuk është aq e qëndrueshme. Edhe gëzofët e kafshëve, papiruset apo edhe guri i qëndrueshëm kanë kufizimet e tyre. Teknologjia moderne nuk çalltis shumë më mirë, pasi kushdo që ka humbur një dokument apo dy (apo tre) për shkak të një harddrajvi defektoz mund ta provojë këtë.

Historikisht, shumë librari të mëdha, që arkivonin veprat e paçmuara të të shkuarës, janë djegur dhe shkrumbuar pa respekt. Në epokën moderne, fjala e shkruar mund të jetë disi më e qëndrueshme, ku informacioni ruhet në “cloud”. Por, shfaqen rreziqe serioze që lidhen me mbështetjen në arkivat elektronike të të dhënave, për të mos përmendur kostot e energjisë që e shoqërojnë operimin e pandërprerë të serverave të të dhënave. Ndaj duhet parë se ç’pjesë e informacionit të sotëm elektronik mund të qëndrojë 50, 100, 300 apo 100 vitet e ardhshme. Vetëm koha do ta tregojë.

Përpikmëria e ulët e materialeve si letra apo papirusi janë pa dyshim një pjesë madhore e arsyes përse ne sot kemi atifakte tesktuale shumë të kufizuara nga qytetërimet e shkuara. Ne nuk mund të vlerësojmë sa informacion dhe dije potenciale nga mijëvjeçarët e njohur të historisë njerëzore është humbur.

Mbanash varësisë nga konteksti, si mund ta interpretojmë vëllimin e kufizuar të materialeve që kemi nga qytetërimet e shkuara? Është më shumë se një vështirësi e vogël për të përkthyer gjuhët e lashta apo të shuara. Edhe kur gjuha në fjalë mund të përkthehet, t’i përftosh kuptim nga teksti bëhet një sfidë e madhe e llojit të saj.

Për ta vlerësuar më mirë këtë pikë, shqyrtoni historinë magjepsësë të Human Interference Task Force. Në vitin 1981, Departamenti i Energjisë i ShBA-ve krijoi një task-force me shkencëtarë, antropologë dhe sociologë për të zgjidhur një problem shumë specifik. Çështja ishte se ShBA-të ruanin tonelata mbetjesh nukleare toksike në Malet Yucca dhe zona të tjera. Për shkak të natyrës së mbetjeve nukleare, zona do të paraqesë rrezik të jashtëzakonshëm për jetën njerëzore mijëra vite më vonë. Si mund t’i paralajmërojmë brezat e ardhshëm rreth këtij rreziku që t’i qëndrojnë larg? Si mund të komunikojmë me njerzit 10,000 apo 100,000 vite më pas?

Mund të lexoni më shumë rreth sfidës së Task Forcës aty këtu. Materiali në Wikipedia rendit disa nga idetë me interesante, p.sh. krijimi i një “klerikalizmi atomik” që mund të bëhej një fe me ndalime të llojit “mos kalo kurrë në këtë zonë”, mbarështimin e maceve të modifikuara gjenetikisht që ndryshojnë ngjyrën saherë i afrohen një rrezatimi nuklear, që të shërbejnë si paralajmërim, etj. Task-forca mori në shqyrtim monumente të ndryshme që mund të komunikonin rrezikun dhe paralajmërimin njëkohësisht.

Problemi i dukshëm me të cilin u përbal task-forca ishte se, që “paralajmërimi” të vihet re, duhej të ishte i shqueshëm. Por sa më i shqueshëm paralajmërimi, aq më shumë mund të tërhiqte vëmendjen e arkeologëve në të ardhmen, të cilët do të donin të studionin dhe gërmonin zonën siç veprojnë sot arkeologët. Siç është shprehur një blogger, “nëse paraqesim njerëz të sëmurë, nga do ta dinim se është një paralajmërim i dobishëm dhe jo thjesht një mallkim supesticioz i lashtë? Mendoni se sa efektivë ishin [vizatimet] e mallkimeve të faraonëve në frenimin [e egjiptologëve]”.

Me këto vështirësi, mendoni se sa e sikletshme do të ishte të kuptohej materiali nga njerëz të shkuarës 1000 deri 3000 vjeçare, njerëz që, më shumë gjasë, as nuk kishin për qëllim të komunikonin me ne.

Për shembull, egjiptologët kanë kataloguar mori tesktesh hieroglife antike. Disa prej atyre teksteve janë me gjasë më të kthjellët se të tjerët. Kur interpretimi bëhet i vështirë, atëhere, mbi ç’burime do të mbështetet interpretuesi?

Merrni në shqyrtim “Syrin e Horusit”, një simbol i gjetur në shumë artifakte arkeologjike egjiptiane. Egjiptologët e kuptojnë atë si simbol i fuqisë dhe fatit të mirë, një personifikim i një perëndeshe të caktuar, duke kënaqur shumë teori të tjera mitologjike rreth domethënies së këtij teksti.

Pyetja interesante është: po nëse të gjithë këto teori të jenë të gjitha të gabuara dhe ne të jemi shumë larg sfondit kur vjen puna tek rrokja e kuptimit të synuar të skribëve të lashtë? Po sikur të mos ketë asgjë mitologjike në Syrin e Horusit? Po nëse egjiptianët e lashtë po regjistronin elementë të rëndësishëm të dijes, apo po regjistronin elementë të rëndësishëm të dijes përmes imazheve mitologjike, apo diçka krejt tjetër? Ne jemi krejtësisht të pazotë të bëjmë dallime të tilla, por, me apo pa të drejtë, disa prej nesh mund të mendojnë se ka elementë të vlerë të dijes së regjistruar nga egjiptianët në gur, që njerëzit sot mund ta përdorin për qëllime të dobishme. Çështja është se, edhe nëse ato hieroglife përmbajnë dije që mund të kontribuojë në akumulimin e dijes njerëzore totale, ne në kohët e sotme nuk do të mund ta shihnim këtë gjë.

Nëse dija nuk akumulohet, çfarë do të thotë kjo? Unë besoj se ekzistojnë implikime të një spektri të gjerë. Një prej tyre është se pa akumulimin e dijes është e vështirë të kuptohet çfarë kuptimi mund të kishte progresivizmi.

Për më tepër, siç është përmendur më herët, nëse dija nuk akumulohet, ç’gjëje mund t’ia atribuojmë “përparimin moral dhe teknologjik” të modernitetit?

Le ta themi në këtë mënyrë: nëse jeni progresivistë, të besosh se epoka moderne është në njëfarë mënyre unike në përparimin e saj vis-à-vis njerëzve të së shkuarës, bëhet e nevojshme që të shpjegoni përse ky përparim shfaqet vetëm në 150 vitet e fundit. Çfarë mund të thuhet për 4850 vitet e tjera të qytetërimit njerëzor? Pse askush tjetër nuk i ka përjetuar “mrekullitë: e epokës moderne? Në mënyrën si e shoh këtë, ka vetëm dy mundësi:

  1. Dija akumulohet gjatë kohës kështu që epoka aktuale është më e përparuara. Siç e pamë, kjo nuk ështe e bazuar.
  2. Kronocentrizmi: pikëpamja se njerëzit modernë janë, faktikisht, natyrisht më inteligjentë dhe moralë se njerëzit në të shkuarën. Ne jemi të veçantë dhe unikë! Siç duket, kronocentrizmi është po aq i mbrojtshëm akademikisht sa edhe entocentrizmi.

Prandaj, nuk ka një shpjegim të shëndetshëm për progresivizimin. Ose ne jemi epoka më e përparuar intelektualisht dhe moralisht e njerëzimit që ka jetuar ndonjëherë, ose ne s’jemi. Nëse jemi, ne s’kemi një shpjegim të mirë përse. Nëse nuk jemi, kush është dhe çfarë evidencash të mundshme disponohen nga përparimi i tyre (veçanërisht duke marrë të mirëqenë pikën 5 më lart)?

Për qëllimin tonë në këtë artikull, unë nuk po hedh një pretendim mbi debatin nëse epoka jonë është apo jo historikisht më e përparuara. Unë thjesht po nxjerr në pah shkallën e injorancës tonë.

Por, ju lutem! A mos jemi duke e vënë seriozisht në pikëpyetje se civilizimi sot është më i përparuar se ç’ishte 2000 apo 3000 vite më parë? Kjo është qesharake.

Për pothuajse çdo shembull që mund të jepni për përparimin e ditëve moderne dhe mungesën përkatëse në të shkuarën, mund të shtrohet pyetja, “nga e dimë këtë?” Nga e dime se njerëzit në të shkuarën e largët, nëpër mijëra kulturat, gjuhët, gjeografitë e periudhat kohore, ishin relativisht të paaftë në çështjet e mjekësisë apo shëndetit, edukimit apo qeverisjes, tregëtisë dhe udhëtimit, etj? Nëse kësaj i shtojmë faktin se pjesa dërrmuese e mbresave tona nga e shkuara janë ngjyrosur në mënyrë të pandreqshme nga progresivizmi në radhë të parë, kjo i bën gjykimet e përparimit relativ praktikisht të pamundura.

Përktheu: Vehap Kola