Toka e Chinguett-it, e njohur zakonisht si Mauritania për botën anglishtfolëse, është e mirënjohur për nxjerrjen e dijetarëve të mëdhenj, shenjtorëve dhe grave të shquara erudite. Studiuesit që udhëtojnë drejt Mauritanisë kanë vënë re se “edhe gratë e tyre memorizojnë literaturë të shumtë”. Tradicionalisht, gratë mauritaneze kanë shkëlqyer në poezi, sīrah dhe gjenealogji, por ato që përvetësonin shkencat tradicionale konsideroheshin me të drejtë dijetare.

Merjem Bint Buajba, që kishte memorizuar krejt Kuranin dhe tekstet bazë të shkollës malikite, ishte një grua e shquar mauritaneze. Unë ka patur nderin ta njoh Merjemin, një grua altruiste dhe e gjindshme dhe bashkëshortja fisnike e Shejkh Murabit el-Ḥaxhxh, pasi i kam takuar që të dy njëzet e pesë vjet më parë në një tendë të vogël në komunitetin shpirtëror rural të Tuuamiratit në Mauritani.

Udhëtimi im drejt atij destinacioni nisi katër vjet e gjysmë më herët, në 1980, në një librari në Abu Dabi, ku takova Shejkh ´Abdallah Ould Ṣiddiḳ të fisit të njohur Taxhakanat. E njoha menjëherë se ishte nga Afrika Perëndimore falë dir’ah-ut, uniformës së dallueshme dhe të gjerë afrikano-perëndimore që mbante veshur, si edhe turbanit, një shenjë e rrallë në rajonin e Gjirit Persik atëbotë. Kisha takuar dijetarë nga Afrika Perëndimore kur isha në Mali dy vite e gjysmë më herët dhe kisha treguar interes për të studiuar me ta, kështu që pyeta shejkhun nëse njihte njeri që jepte mësime në tekstet klasike malikite në mënyrë tradicionale. Ai pohoi se ishte vetë mësues pikërisht i asaj tradite, më dha numrin e tij dhe më tha se isha i mirëpritur kurdoherë në shtëpinë e tij për leksione. Kështu filloi edukimi im islam.

Fillova të studioj me Shejkh ´Abdallah Ould Ṣiddiḳ krahas mësimeve të detyruara në Institutin Islam në El Ajn. Ndryshe nga shumica e mësuesve mauritanezë, ai nuk e vinte theksin tek memorizimi dhe përdorimi i rrasës së gurit të njohur si lauh. Studioja drejtpërdrejt nga librat. Pas disa viteve dhe shumë dobive prej tij dhe dy juristëve të mëdhenj maliki, Shejkh Shejbāni dhe Shejkh Bayyah Ould Sālik, edukimi im mori një kthesë të madhe kur takova një elektriçist të ri nga fisi Massuma të quajtur Jahja Ould Khati. Ai ishte i pikëpamjes se ndërsa këta dijetarë ishin të shkëlqyer, njeriu i shquar i vërtetë i epokës së tij ishte Murabit el Ḥaxhxh, që jetonte në një pjesë të harruar të Mauritanisë, shumë larg nga civilizimi dhe shpërqendrimet e kësaj bote. Ai më tregoi se Shejkh ´Abd er Rraḥmān, i biri i Murabit el Ḥaxhxh, ishte për momentin në Emirate.

Pak më vonë, në shtëpinë e Shejkh Bejjah, një burrë i moshuar i tribusë Massuma që më kishte marrë nën kujdes dhe prej të cilit kam përfituar shumë në studimet e mia, takova Shejkh ´Abd er Rraḥmānin. Në momentin e takimit me të, u shtanga nga tjetërbotshmëria e pranisë së tij, që nuk ishte e pazakonte për dijetarët mauritanezë, por që shfaqej qartësisht tek ai. Më kujtohet se po mendoja kështu: “nëse ky është i biri, atëherë unë duhet të takohem patjetër me të atin”. Fillova të studioj edhe me mikun e ngushtë dhe shoqëruesin e tij, Shejkh Ḥamīd, pasi e ndihmova të akomodohej dhe, me ndihmën e Shejkh Bashir Shakfah, një tjetër mësues i imi dhe asokohe drejtuesi i Zyrës së Vakëfeve në El Ajn, t’i siguroj atij një pozitë si imam në xhaminë kryesore të El-Ajn, ku unë shërbeja si muezin.

Nga Shejkh Ḥamīdi unë kam mësuar virtytet e memorizimit. Ndonëse kisha studiuar disa tekste dhe arabishtja ime ishte mjaft e rrjedhshme atëbotë, Shejkh Ḥamīdi ishte i bindur se pa memorizim mekanik mbetesh i varur nga librat dhe nuk mund të zotërosh njëmend dituri në vete. Mauritanezët, më tregonte ai, bëjnë dallim ndërmjet dijetarëve të orëve me ditë dhe dijetarëve të orëve të natës. Një dijetar i orëve me ditë ka nevojë të lexojë librat për t’iu qasur dijes, por një dijetar i natës mund t’i qaset dijes kur nuk ka dritë, përmes forcës së memories së tij dhe ruajtjes së dijes. Kësisoj, e kuptova se duhej t’ia filloja.

Unë kisha studiuar Ibn Ashirin, er Risālah, dhe seksione të Aḳrab el Mesālik privatisht, botimet e hershme të El Fiḳḥ el Mālikī fī Theubibi el-Xhedīd, që perdoreshin në Institut; dhe kisha studiuar hadith me Shejkh Aḥmed Bedāui, një nga dijetarët e mëdhenj të Sudanit. Por kisha memorizuar pak përveç asaj që më kishte mbetur natyrshëm. Shejkh Ḥamīdi bleu një rrasë guri për mua dhe filloi të më mësojë bazat edhe një herë, por me memorizim mekanik. Ishte përulëse, por lartësuese njëkohësisht, të shihje që kjo traditë është mbartur përgjatë epokave përmes këtyre modeleve të provuara nga koha.

Atëherë u bëra imam në një xhami të vogël pranë xhamisë së madhe dhe drejtoja faljet për një komunitet të përbërë kryesisht nga punëtorë afganë, që i dërgonin fitimet e tyre për të mbështetur familjet dhe përpjekjet e luftës kundër rusëve, që e kishin pushtuar Afganistanin katër vite më parë. Ato kohë filluan të më shfaqeshin ëndrra në të cilat shihja një njeri të madh, që më vonë mësova se ishte Murabit el Ḥaxhxh. Një nga ato ëndrra përfshinte një grua të moshuar, të cilën gjithaq nuk e kisha parë kurrë më parë.

Vendosa të lija jetën time të rehatshme dhe të këndshme në Emirate në vitin 1984 dhe u nisa për Mauritani përmes Algjerisë, ku kisha planifikuar të qëndroja disa muaj për të memorizuar Kuranin. E mora këtë vendim ndonëse isha paralajmëruar se në Mauritani kishte thatësirë atëbotë dhe kushtet e jetesës ishin jashtëzakonisht të ashpra. Njëfarësoj, u ndjeva i vendosur të shkoj dhe asgjë nuk më ndalte dot.

Pasi kalova disa muaj me Sidi Bou Said në medresenë e tij në Tizi, Algjeri, vazhdova udhëtimin për Tunizi, mora një vizë për Mauritani dhe mora avionin për Nouakchott, që shtrihet në bregun atlantik të Saharasë. Arrita në atë kryeqytet, me kushte jashtëzakonisht primitive dhe lagje të varfra që rrethonin qendrën e vogël të qytetit, pa adresë dhe pa ndonjë plan specifik: thjesht për të gjetur Murabit el Haxhxhin.

Shkova në treg dhe pyeta nëse ndokush i përkiste fisit Massuma dhe më drejtuan te një dyqan i vogël ku u takova me Abdi Salim, një njeri shumë miqësor që ishte nga e njëjta degë e fisit Massuma prej të cilit rridhte edhe mësuesi im, Shejkh Ḥamīdi. Kur i tregova Abdi Salimit se doja të gjeja Murabit el Ḥaxhxhin për të studiuar me të, fytyra i shkëlqeu dhe e mbështeti idenë me gjithë zemër. Më mori dhe më çoi tek dikush nga Mukhtar el Ḥabīb, dega e fisit Massuma prejt të cilës ishte edhe Murabit el Ḥaxhxhi dhe ata më morën në shtëpinë e Maulaj el Maqāri el Massumi, një mjedis i ngushtë i ndërtuar me kuti çaji me një kanal ujërash të zeza nga pas. Të tilla ishin të gjitha shtëpitë përqark, për sa mund të të kapte syri. Meulaj el Maqāri el Massumi ishte një nga njerëzit më mikpritës që kam takuar ndonjëherë dhe më vonë mësova se kushdo që e takonte dashurohej pas tij. Qëndrova tek ai dhe familja e tij për disa ditë.

Si me porosi, Shejkh ‘Abd er Raḥmān shpejt erdhi nga Emiratet për të vizituar të ëmën dhe atin e tij, dhe nuk ishte çudi që ai e kishte për zakon të rrinte me Meulaj el Maqāri sa herë vinte në kryeqytet. Ai do të më shoqëronte mua në udhëtimin drejt shkollës së familjes së tij në Tuuamirat, por udhëtimi kërkonte deve. Një mesazh i qe dërguar vendfushimit të Murabit el Ḥaxhxhit përmes njoftimeve në radion shtetërore, që ishte edhe mënyra se si njerëzit në kryeqytet komunikonin me nomadët në shkretëtirë. Mesazhi thoshte se Shejkh ‘Abd er Raḥmān dhe Ḥamza ´Abdal Uāḥid (emri që kisha marrë kur u konvertova dhe që e përdorja ato kohë) do të arrinin në qytezën e Kamurit në filan datë dhe kishin nevojë për deve që të shkonin në fshatin e tyre, Tuuamirat. Atëherë ne u nisëm në një udhëtim goxha të pakëndshme në një kamion drejt Kamurit, që ndodhej disa qindra kilometra në brendësi të shkretëtirës së Saharasë. Rruga, atëbotë, përfundonte në Bou Talamit dhe dy të tretat e saj ishin thjesht shkretëtirë e rrahur gjatë kohës nga kamionët e ngarkuar dhe automjetet. Ishte udhëtimi në rrugën më me gunga, më të ndotur dhe më të vështirë që kisha ndërmarrë ndonjëherë.

Pas dy ditësh qullitëse, arritën në një qytezë të bukur të njohur si Geru, që në atë kohë nuk kishte teknologji dhe ndërtesat ishin të gjitha me qerpiç të mirë. Qindra studentë studionin në shtatë medresetë e quajtura mahdhara në Geru. Gjatë natës, me përjashtim të disapak llampave, qirinjve dhe llampave të vajgurit, ishte errësirë e gjitha kështu që qielli i Saharasë mund të shihej në të gjithë madhështinë e tij yjore. E gjithë qyteza ishte e mbushur me zërat qetësues të këndimit të Kuranit dhe teksteve të tjera.

Ne qëndruam tek Shejkh Khatri, vëllai i bashkëshortes së Murabit el Ḥaxhxhit, Merjemit, dhe kushëri i Murabit el Ḥaxhxhit. Ndërsa ishim në Geru, pata fatin të njoh një shenjtor dhe dijetar të madh, Sidi Minnu, që tashmë ishte një burrë në moshë të thyer. Ai kishte memorizuar të gjithë Ḥisn el Ḥāsinīn e Imam el Xhazarit dhe e këndonte çdo ditë. Pjesa tjetër e kohës së tij i kushtohej lutjes për gjithë ummetin. Një herë, ishim ulur në rërë dhe ai mori një grusht rërë e më tha, “kurrë mos qëndro larg nga toka, sepse ajo është nëna jonë”. Aty ai tha diçka që më goditi në palcë: “Unë nuk jam bërë kurrë pishman për asgjë në jetë, as nuk kam dëshiruar diçka që nuk mund ta kisha, por tani do të doja të isha i ri që të mund të të shoqëroja në këtë udhëtim të madh tëndin në kërkim të dijes për hir të Zotit.”

Pas disa ditësh, ne dolëm për Kamur, të cilin e kishim kaluar gjatë rrugës për Geru dhe morëm devetë e u nisëm për tek Murabit el Haxhxhi. Në mbrëmje kishim arritur në Galaga, një luginë me një liqen të madh që ngrihet dhe bie me reshjet e shiut dhe stinët. Pas mëngjesit, bëmë për nga zonat e larta, disa milje prej të cilave fushonte fisi i Murabit el Haxhxhit.

Ndërsa arritëm në Tuuamirat, isha hutuar plotësisht nga natyra e tij krejt e lehtë. Ishte vendi kuintesencial që kemi harruar. E gjithë skena më solli ndërmend diçka nga Dhjata e Vjetër. Shumë nga njerëzit nuk kishin parë kurrë më parë një njeri të bardhë në jetën e tyre ndërsa të rinjtë vetëm kishin dëgjuar për pushtimin francez, por nuk kishin parë kurrë francezë apo të huaj të tjerë. Hyra në tendën e Murabit el Ḥaxhxh.

Sytë më ranë mbi njeriun më të fisëm dhe madhështor që kisha parë në jetën time. Ai më thirri, më vendosi dorën në sup, më priti ngrohtë dhe pastaj më pyeti, “a qenka siç e ke parë në ëndërr?” Unë shpërtheva në një lum lotësh. Në të vërtetë, kisha përjetuar një ëndërr me të që ishte shumë e ngjashme me takimin tonë real. Pastaj, ai u kthye në mësim. Më dhanë diçka për të pirë dhe disa studentë nisë të më masazhojnë, gjë për të cilën u qeshë shumë mirënjohës, sepse i gjithë trupi po më dhembte nga udhëtimi i vështirë.

Murabit el Ḥaxhxh ngulmoi që të qëndroja me të në tendën e tij dhe të flija pranë tij. Shpejt m’u dha shansi të njihja gruan e tij të jashtëzakonshme, Merjen Bint Buajba. Plotësisht e vëmendshme ndaj nevojave të mia, ajo u kujdes që të ndjehesha rehat dhe më bëri një përshkrim të rrjedhshëm të vendit dhe njerëzve aty. Merjemi ishte një nga njerëzit më vetëmohues që kam njohur. Ajo e kalonte pjesën më të madhe të mëngjeseve më kacekun me qumësht që quhej xhaffafah, që e përdorte për të bërë dhallë për familjen e saj, për studentët më të varfër dhe për lumin dukshëm të pandalshëm të vizitorëve që vinin për vizitë. Ajo rrethohej nga sahanë prej druri për të shpërndarë qumështin e mëngjesit dhe mbrëmjes që milte nga lopët dhe dinte me përpikmëri sa cilat lopë jepnin më shumë qumësht dhe cilat më pak. Ajo ndihmohej me shkathtësi në punët e shtëpisë nga shërbëtorja e saj besnike dhe vetëmohuese, Kabula, që qëndronte me të që nga fëmijëria dhe që gjithmonë buzëqeshte.

Gjatë qëndrimit tim atje, arrita të njoh Merjemin si grua fisnike dhe të qeshur, veçanërisht natyrën e saj të edukuar. Në një moment, u sëmura rëndë nga ethet endemike të malaries në Mauritani dhe Merjemi u kujdes për mua si nënë. Një ditë u shpreha se isha mësuar të ushqehesha me perime dhe dieta e tyre me qumësht, kuskus, dhe mish të thatë të gatuar ishte e rëndë për mua. Merjemi menjëherë filloi të më jepte hurma çdo ditë përpara ushqimit dhe gjithashtu u kërkoi disa prej haratinëve të mbillnin karrota për mua. Shpejt, ajo nisi të të më gatuante karrota të vogla dhe të m’i shërbente bashkë me vaktet.

Merjemi ishte gjithnjë në një gjendje të përmendjes së Zotit. Emri i saj i plotë ishte Merjem Bint Muḥammed el Emin Ould Muḥammed Aḥmed Buajba. Në moshë të re, ajo u martua me Sidi Muḥammad Bin Salik Ould Fahfu el Emsami, i njohur si Murabit el Ḥaxhxh Fahfu. Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme me virtyte dhe cilësi madhështore dhe shquhej për mbi gjashtëdhjetë vitet e saj të shërbimit për studentët në Kolegjin Islam të Tuuamiratit. Merjemi qe rritur gjatë një epoke vështirësish të mëdha në Mauritani dhe më tregonte se njerëzit ishin aq të varfër sa shumë prej tyre thjesht mbulonin lakuriqësinë e tyre me gjethe. Babai i saj Muḥammed el Emin, që njihej si Lamana, ishte dijetar dhe kalorës e gjuajtës ekspert. Merjemi gjithnjë shfaqte me krenarinë më të madhe për atin e saj dhe me rrëfente gjithnjë aktet e tij heroike. Njëherë lëvdova te shoqin e saj dhe ajo qeshi dhe m’u përgjigj, “të kishe njohur tim atë!”.

Merjemi ishte në një gjendje dorëzimi të plotë ndaj Zotit të saj dhe gjithnjë u jepte kurajë njerëzve të studiojnë. Bota e saj ishte ajo e një province të vogël fisnore, por shpirti i saj ishte njëmend universal. Kur u martua me Murabit el Ḥaxhxh, ajo u shqua për dijen e saj, zotërimin mjeshtëror të arabishtes dhe shkëputjen e plotë nga çështjet e kësobotshme. Pasi ai ishte martuar me Merjemin, babai i saj i tha atij: “Mund të të duhet të mendosh për mundësi më të mira jetesë tani që je i martuar”, fjalë të cilave Murabit el Ḥaxhxh iu përgjigj: “Mundësitë e kësaj bote janë aq të shumta për mua sa yjet e natës, por unë s’dua ta njollos shpirtin me kërkimin e tyre”.

Në vitet e tyre të para, Merjemi studioi disa tekste me të shoqin. Ajo memorizoi Kuranin tërësej përveç teksteve malikite bazë. Gjithashtu, ajo studio me të krejt El Uadih el Mubīn të Sidi Abdal Ḳadir Ould Muḥammed Selim me qindra rreshtat e tij mbi çështjet e doktrinës. Ajo gjithashtu lexoi edhe komentarin e tij të zgjeruar, Buhjat el Rāghibīn ‘ala el Uadih el Mubīn, të cilën e mbajti pranë për shumë vite. Ajo e dinte tekstin dhe kuptimet e tij përmendësh dhe ishte jashtëzakonisht kompetente në çështjet e doktrinës. Merjemi kishte memorizuar dhe praktikuar edhe librin e lutjeve dhe faljeve të Imam Neveviut të njohur si El Edhkār.

Ata që kanë qenë të bekuar për të kaluar kohë në Tuuamirat do të shihnin gjithnjë ulur nën tendën e saj ose të rrethuar nga poçat dhe tasat e qumështit dhe tespihet e saj të lutjeve. Kur arrinin studentë të rinj, ajo gjithmonë interesohej për ta, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe vendin nga vinin. Ajo qeshte dhe thoshte se kishte luḳba, një shprehje mauritaneze për “kureshtjen”, por e vërteta është se ajo gëzohej nga studentët dhe donte t’i bënte ata të ndiheshin si në shtëpi. Aq e pabesueshme sa ç’mund të tingëllojë, ajo nuk harronte askënd që kishte studiuar në shkollë dhe kur i vizitonte disa vite më vonë, ajo i thërriste në emër dhe i pyeste për pjesëtarët e familjeve të tyre, emër për emër. Kur arrita së pari herë, ajo më pati pyetur për emrat e të gjithë pjesëtarëve të familjes, që, duke qenë se ishin emra të krishterë, do të ishin më të vështirë për t’i mbajtur mend se sa emrat mauritanezë. Por, kur u ktheva shumë vite më vonë, ajo më pyeti për secilin prej pjesëtarëve të familjes sime, emrat e të cilëve unë ia kisha përmendur vetëm një herë. “Kejfe Elizabet? Kejfe Dejvid?Kejfe Xhon?Kejfe Troj? Kejfa Marajah?” U shtanga krejtësisht. I thashë së në një kohë tjetër ajo do të ishte një dijetare e madhe e hadithit, me aftësinë e saj të mistershme për të mbajtur mend emrat.

Merjemin e kam parë për herë të parë në një nga ëndrrat që më shfaqeshin në vitin 1983 në Emirate, një vit përpara se ta takoja drejtpërdrejt. Një ditë, isha ulur në tendë duke studiuar me Murabit el Haxhxh, kur e pashë në sfond dhe e kuptova se ajo ishte personi që kisha parë në ëndërr.

Herën e fundit që e pashë Merjemin, bota kishte ndryshuar shumë në jetën e saj, por kishte diçka të pandryshueshme tek ajo. Mbanash milhafahve elegante që filluan të vishnin gratë e fisit, ajo u qëndroi traditave të vjetra të paraardhësve të saj dhe vishej në nilah tradicional të ngjyer në blu që linte pas një hije shpirtërore llullaqi në lëkurën e grave, si dhe burrave që vishnin turbanë të bërë me të njëjtin material. Pavarësisht vështirësive të jashtme në jetën e saj, ajo mbeti një prej njerëzve më të lumtur dhe të qeshur që kam njohur ndonjëherë.

Merjemi kishte shpresuar gjithmonë të bënte pelegrinazhin por ndjehej e obliguar që së pari të kujdesej për përgjegjësitë e saj, familjen dhe shkollën që besonte se ishin detyrim për të. Ajo nuk ishte asnjëherë në qendër të vëmendjes, por imazhi i kaltër i milhafas së saj ishte i shqueshëm në sfondin e takimeve kur dinjitarët dhe vizitorët vinin dhe tregonin respektin e tyre për Murabit el Ḥaxhxhin, gjithmonë në shërbim të të gjithëve. Njëherë, kur një grup studentësh perëndimorë shkuan për vizitë, një prej grave i kërkoi Murabit el Ḥaxhxhit të lutej dhe ai u përgjigj se ajo duhej t’ia kërkonte këtë gjë edhe Merjemit, pasi lutjet e saj ishin të atilla që, insha’Allah, Zoti i dëgjonte dhe do t’u përgjigjej. Ndonëse ajo nuk ishte e njohur si i shoqi, apo e shquar për ndonjë arritje të të madhe, ajo ishte një yll ndriçues. I biri më pati thënë një herë, “Ajo ishte një prej të fshehurave, shumë herë më e ditur dhe e përmbushur se ç’e mendonin njerëzit që e njihnin apo jetuan me të.” Nuk mund ta kisha thënë më mirë. Kur i tregova vëllait të saj, Khatrit, se ajo ishte si nënë për mua, ai ma ktheu, “Ajo ishte nënë për të gjithë besimtarët.” Nuk mund të kishte fjalë më të qëlluara.

Merjem Bint Buajba, bashkëshortja e dashur e dijetarit dhe mësuesit të madh Murabit el Ḥaxhxh Ould Fahfu dhe ndihmuesja vetëmohuese dhe e dashur e studentëve të dijes së shenjtë në mahdharanë e Murabit el Ḥaxhxhit, vdiq pas një sëmundje të shpejtë por të thellë rreth orës gjashtë të mbrëmjes së të dielës, 15 Rabi el Thāni, të motit 1430 h.