Ndoshta kurrë më parë bota nuk ka patur më shumë nevojë për një rrëfim të saktë të jetës së Profetit Muhamed ﷺ. Gjatë dy dekadave të fundit, interesi për Islamin ka shpërthyer dhe prirja ende vazhdon pas ndërrimit të shekullit, por jo gjithmonë për arsyet e drejta. Ngjarje, një pjesë e të cilave u prodhuan nga myslimanë që e paraqesin veten si avokatë të Islamit, kishin prirjen t’i japin fesë së fundit hyjnore një imazh të nxirë. Ndonëse i huaj për vetë natyrën e Islamit, ekstremizmi është orvatur të diktojë qëndrimin e tij të vijës së ashpër mbi Islamin. Ai vazhdoi ta luante rolin e tij spikatës, duke ofruar një tokë pjellore për ata që duan të zhvleftësojnë Islamin dhe ta paraqesin atë në një dritë të keqe. Media botërore, gjithmonë e para për t’u ushqyer me lajme sensacionale, e ka mbajtur Islamin si një temë të përhershme në mbulimin e ngjarjeve nga ana e saj, veçanërisht ato që ndodhin në rajone të nxehta të botës.

Akuza që shpeshherë i lihet në derë Islamit është terrorizmi. Kjo ka grumbulluar një forcë shumë më të madhe pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit të vitit 2001, por s’do mend se nuk nisi prej tyre. Disa muaj më herët kanalet e lajmeve rarpotonin se një audience në ShBA u ishte kërkuar të përmendin fjalën e parë që u vinte në mendje kur përmendej Islami dhe një shumicë substanciale e përgjigjedhënësve thanë ‘terrorizmi’. Kjo na kujton se kur ndodhi shpërthimi në Oklahoma City disa vite më herët, pak media ishin përgatitur të bëjnë durim për të pritur evidencat përpara se të drejtonin gishtin e akuzës ndaj Islamit. Nuk është e nevojshme të thuhet se hetimet shpejt provuan se asnjë mysliman nuk kishte të bënte me ngjarjen. Por shpejtësia me të cilën media reagoi dhe akuzat e tyre të pabaza ishin tregues të një bindjeje që qarqe të caktuara kishin bërë ç’mos të zhvillohej, duke ushqyer një shoqërizim të rremë të Islamit me terrorizmin.

Asgjë s’mund të jetë më larg të vërtetës. Në fakt, Islami e konsideron veprimtarinë terroriste kundër civilëve një krim shumë të rëndë që duhet dënuar. Në ligjin islam, dënimi lidhet gjithmonë me natyrën e kundërvajtjes dhe synon të frenojë kundërvajtësit përpara se atë të hyjnë në një zinxhir veprimi që shpie në kundërvajtje. Ky element frenues shihet, për shembull, në faktin që Islami kërkon që dënimet për shkelje të caktuara duhen kryer në sytë e publikut. Kështu drejtësia konsiderohet e bërë, ndërsa kundërvajtësit e mundshëm bëhen të vetëdijshëm jo vetëm për magnitudën e dënimit që mund të pësojnë, por edhe për publicizimin që mund të gjenerojë shkelja. Pra, Islami i kundërvihet krimit përpara se ai të ndodhë, duke u përpjekur të reduktojë ndodhshmërinë e tij. Në të njëjtën kohë, dënimet penale islame i shërbëjnë një qëllimi të dyfishtë të detyrimit të fajtorëve të paguajnë për krimet e tyre dhe frenimit të çdo shkelësi të ardhshëm. Qëndrimi islam ndaj terrorizmit është zbatim i qasjes së tij ndaj krimit, me synimin për të përmbushur qëllimin e tij të dyfishtë.

Kohët e fundit kemi dëgjuar zëra gjithnjë e më të spikatur që flasin për një përplasje të civilizimeve, duke e vendosur Islamin karshi civilizimit perëndimor dhe duke folur rreth pashmangshmërisë së një lufte shkatërrimtare mes tyre. Por, Islami nuk kërkon të shkatërrojë asnjë civilizim. Në ditët e tij të lavdisë, kur Islami u përhap në shumë vende me qytetërime, tradita dhe kuadër vlerash të larmishëm, Islami ndërveproi me ta tërësej, duke inkurajuar çfarëdo që pajtohej me qëllimin e tij për të ndërtuar një shoqëri njerëzore të mbështetur në idenë qendrore të unitetit të Zotit. Kësisoj, ai ishte në gjendje të merrte më të mirën që kishin për të ofruar këto qytetërime, duke hedhur poshtë vetëm çfarë nuk i shërbente shoqërisë njerëzore dhe që nuk ishte e pajtueshme me konceptet e tij qendrore. Edhe në Arabi, vendlindjen e Islamit, ku adhurimi i idhujve ishte normë, Islami pranoi të gjithë vlerat që mbizotëronin në atë shoqëri, duke i adoptuar ato si të tijat. Pra, Islami ishte i aftë të përbrendësojë në civilizimin e tij të gjithë vlerat e shëndosha që përkraheshin nga shoqëritë njerëzore, duke i gërshetuar ato gjithë sa ishin në një tërësi të plotë. Qasja e tij mbetet e njëjta. Ai është i hapur ndaj ideve dhe koncepteve më të mira që mund të kenë njerëzit, duke hedhur poshtë vetëm çfarë është shtypëse dhe e rreme, që mund të ndrydhin mendimin e lirë të njeriut.

Sidoqoftë, britja për një përplasje të qytetërimeve vazhdon, me zëra të spikatur që përpiqen t’i hedhin benzinë zjarrit. Gjykime të cekëta nga figura publike, që shprehen se civilizimi perëndimor është superior ndaj Islamit shpeshherë citohen në media. Nuk është nevoja të thuhet se një britje e tillë nuk i shërben asnjë qëllimi të njëmendtë. Nga ana tjetër, disa politikanë, të vetëdijshëm për elementin mysliman në komunitetet e tyre mund të përpiqen të mbulojnë ndjenjat e tyre të pakëndshme me deklarata diplomatike. Të tjerë flasin në terma pajtues dhe bëjnë gjeste miqësore, por këto përgënjeshtrohen shpesh nga veprimtaria e tyre agresive.

Por, përse duhet të ketë një përplasje qytetërimesh, kur si Islami ashtu edhe civilizimi perëndimor vënë një theks të fortë në lirinë e mendimit, besimit dhe shprehjes së njeriut? Sipas meje, përfytyrime të shtrembëruara në të dy krahët kanë kontribuuar në një polarizim qëndrimesh, që është i panevojshëm, i dëmshmëm dhe potencialisht shumë i rrezikshëm. Fatkeqësisht, përfytyrime të tilla të shtrembëruara kanë prishur kaq shumë disa aspekte të Islamit saqë këto kuptohen në mënyrë të gabuar si nga miqtë edhe nga armiqtë. Kjo ka thelluar mosbesimin dhe dyshimin në të dy krahët.

Mjafton që të dy anët të jetojnë sipas vlerave të tyre themelore të lirisë për miqësi dhe bashkëpunim të ndërsjellë për të zëvendësuar mosbesimin, frikën dhe madje armiqësinë e fshehtë që ka karakterizuar marrëdhëniet ndërmjet dy kampeve për shekuj të tërë. Për keqardhje, në rrethanat aktuale kjo është më e lehtë për t’u thënë se ç’është për t’u bërë. Sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe ngjarjet që rrodhën pashmangshmërisht do t’i ashpërsojnë qëndrimet, në vend që të ndihmojnë promovimin e kuptimit të ndërsjellë. Kur politikanët përpiqen fort për të mbrojtur të pambrojtshmen dhe për të justifikuar atë që thellë në zemrat e tyre ata e dinë se është e pajustifikueshme, zor se ata mund të shpresojnë të fitojnë mbi këdo që respekton vlerat e civilizuara. Ngjashmërisht, kur ata që pretendojnë se janë avokatë të Islamit shkojnë shumë më larg se roli që Zoti i ka parashkruar Profetit të Tij në mbrojtjen e mesazhit të Tij, rezultati i vetëm që mund të arrijnë janë e kundërta e objektivave për të cilat janë përcaktuar.

Çfarë është e nevojshme është një rivlerësim i nocioneve të parakonceptuara, me qëllim që të jemi në gjendje të përcaktojmë se çfarë është e mirë dhe të kapemi pas saj. Perëndimi mund të krenohet për rrokjen e bazës së lartë morale, por ai mund t’i japë besueshmëri kësaj vetëm nëse vijon të aderojë në vlerat e tij morale në kohë armiqësie dhe jo t’i hedhë ato në tundimin më të parë. Ndërsa, kur mbrojtësit e Islamit kërkojnë më shumë se liri për t’iu drejtuar të tjerëve dhe shpjeguar atyre mesazhin e Zotit, ata i bëjnë një shërbim të keq vetë kauzës të cilës duan t’i shërbejnë.

Detyra e vetme që duhet t’i vendosë vetes mbrojtja islame është përcjellja e mesazhit tek njerëzit. Vendimi për ta pranuar apo refuzuar atë është plotësisht punë e tyre. Asnjë shtypje nuk duhet ushtruar mbi ta për t’i futur në Islam. Ushtrimi i shtypjes së tillë është i huaj për vetë natyrën e besimit islam. Kur u drejtohet profetëve të tij, Zoti thotë në Kuran: “Nëse ata u kthejnë shpinën juve, dijeni se Ne nuk ju kemi dërguar juve kujdestarë për ta: detyra juaj e vetme është t’u përcillni mesazhin që u është besuar.” (42:48).

Ky është misioni të cilit Profeti Muhamed ﷺ i kushtoi të gjitha përpjekjet, që nga momenti që atij iu besua mesazhi i Zotit deri në çastin kur jeta e tij në tokë u përmbyll. Kur e studiojmë jetën e tij, ne e gjejmë këtë shumë të dukshme, si në kohën kur mesazhi i tij u përball me armiqësi të pandalshme që nuk respektonte asnjë vlerë, ashtu edhe kur ai fitoi pushtet të cilit, po të kish dashur, do ta përdorte për t’i detyruar kundërshtarët e tij të nënshtroheshin. Kjo vepër synon të paraqesë jetën e tij të bekuar në dritën e saj të vërtetë. Ajo mbulon ngjarjet kryesore në jetën e Profetit Muhamed ﷺ nga fëmijëria në moshën e madhe. Është krejt e natyrshme që ne i kushtojmë më shumë vëmendje ngjarjeve që ndoqën fillimin e shpalljes së Kuranit, mesazhit përfundimtar të Zotit për njerëzimin. Në çdo ngjarje ne njohim rolin e tij si mesazher i ngarkuar me përçimin e mesazhit dhe shohim shembullin që ai vendos që ne ta ndjekim. Ndjekja e shembullit të tij është pjesë e kërkesave për të qenë mysliman. Të braktisësh shembullin e tij nga pëlqimi për disa praktika të tjera do të thotë të mohosh pjesën e dytë të shtyllës së parë të fesë islame, përkatësisht, deklaratës se nuk ka hyjni tjetër përveç Zotit dhe se Muhamedi është i dërguari i Zotit.

Kur lexon rreth jetës së Profetit ﷺ, aktiviteti ushtarak i bashkësisë myslimane nën udhëheqjen e Profetit ﷺ duhet vënë në perspektivën e duhur. A ishte Muhamedi një luftëtar, siç mund të sugjerojë një vështrim i përciptë i jetës së tij? Nëse po, çfarë marrëdhënie ka kjo me detyrën e përvijuar në vargun kuranor përfundimtar të cituar më lart, që kufizon detyrën e tij në përcjelljen e mesazhit të Zotit?

Në klimën e botës aktuale, ka njerëz që orvaten të kufizojnë arsyet për të shkuar në luftë në Islam, apo për Islamin, në një minimum absolut. Lexova së fundi në një gazetë britanike një artikull nga një autor i shquar mysliman, që thotë se lufta gjatë jetës së Profetit ﷺ zinte në tërësi jo më shumë se një javë në një periudhë 23 vjeçare nga fillimi i mesazhit deri në fund të jetës së tij. Të tjerë mundohen të justifikojnë luftimin në historinë islame duke thënë se Islami e lejon luftën vetëm kur ajo është mbrojtëse.

Nga ana tjetër, ka mbrojtës qëllim-mirë të Islamit që e vënë mënyrën ushtarake në krye të listës së detyrave islame, duke e konsideruar xhihādin si një detyrim madhor islam që vjen menjëherë pas pesë ‘shtyllave’ të Islamit. Të tjerë bëjnë çmos të dëshmojnë se Islami ka një qasje militariste, duke treguar se ai bën thirrje ‘luftë të shenjtë’ kundër jobesimtarëve.

Një studim i njëmendtë i jetës së Profetit ﷺ tregon se asnjëra nga këto pikëpamje nuk është korrekte. Profeti ﷺ është përfshirë në fushata ushtarake në shkallë të plotë, që në pjesën më të madhe, ishin luftime një ditore, por përgatitjet dhe angazhimi përpara betejës, si dhe gjendjet e rrethimit që ndodhën në raste të caktuara zgjatën shumë më shumë se kaq. Ekspedita e Hendekut dhe Rrethimi i Kurejdhas që ndodhi menjëherë pas saj zgjatën pothuaj dy muaj gjatë të cilave shteti mysliman në Medine ishte në mobilizim ushtarak të plotë, ndonëse pak luftime reale ndodhën në terren. Këto ishin ngjarjet që përmbysën pakthyeshmërisht balancën e pushtetit në Arabi në favor të bashkësisë myslimane.

Është e lehtë ta përshkruash qëndrimin islam ndaj luftës si pastërtisht mbrojtës, por asnjë dobi nuk nxirret prej kësaj. Islami merr gjithmonë një qëndrim aktiv dhe u bën thirrje ndjekësve të tij të marrin të gjitha masat për të garantuar sigurinë e bashkësisë myslimane. Nëse kjo nënkupton luftimin, ashtu qoftë. Duhet të kemi parasysh, ndërkohë, që Islami nuk miraton shpalljen e luftës përveç asaj situate kur mjetet paqësore nuk funksionojnë. Ne shohim shembuj të kësaj natyre në vetë veprimet e Profetit ﷺ ndërsa ai mori masa efektive për të konsoliduar shtetin e tij në Medine dhe për të garantuar sigurinë e tij. Ai, asnjëherë, nuk nisi betejë dhe nuk ngriti armë për të luftuar një fis apo grup që dëshironte të jetonte në paqe me Islamin. Edhe kur Kurejshët ngulmuan për të përqafuar një vijë të ashpër pak përpara betejës së Bedrit, duke bërë një vesh shurdh ndaj zërit të urtësisë që buronte nga disa prej të urtëve të tyre, Profeti ﷺ ishte i prirur të shmangte përplasjen ushtarake. Saherë që ai përpiqej të kapte në befasi armikun, strategjia e tij ishte që t’i tregonte armikut se fillimi i një luftimi ishte i pavlerë. Si rrjedhojë, gjakderdhja në këto beteja përgjithësisht qe shmangur.

Nga ana tjetër, ata që vënë theks të madh në rolin e xhihādit në bashkësinë myslimane, që është njëmend i rëndësishëm, shpesh e kufizojnë xhihādin në luftimin me armë, duke dëshmuar se Islami mbështetet mbi forcën ushtarake për të arritur objektivat e tij. Kjo është sërish një pamje e shtrembëruar, qoftë kjo e hedhur nga mbrojtësit apo nga kritikët e Islamit. Xhihādi është një kërkesë e Islamit, nuk ka dyshim. Por kjo ngërthen kuptimin e duhur dhe të gjerë të fjalës xhihād, që do të thotë “të bësh përpjekjet më të mëdha”. Çdo myslimani i kërkohet të punojë për Islamin në vendin e tij/saj në bashkësinë myslimane, duke u përpjekur për çështjen e Zotit dhe përparimin e interesave të myslimanëve anekënd botës. E gjithë kjo është pjesë e xhihādit, apo përpjekjes që bëjmë për ta bërë besimin tonë një realitet të jetuar.

Përpjekjet që duhet të bëjmë mund të marrin, në raste të caktuara, formën e sipërmarrjes ushtarake, por ky është përjashtimi, jo rregulli. Duhet vënë re se as edhe një herë të vetme në Kuran, termi xhihād nuk është përdorur në kuptimin e përplasjes ushtarake, ndonëse Kurani komenton shumë beteja që ndodhën gjatë jetës së Profetit ﷺ. Kur i referohet luftës, Kurani përdor në mënyrë konstante termin ḳitāl, që ka kuptimin “luftim”.

Ata që pretendojnë se Islami bën thirrje për një luftë të shenjtë tradhëtojnë injorancën e tyre për këtë fe të madhe. Askund në Kuran, në fjalët e Profetit ﷺ apo veprat e juristëve kryesorë të Islamit nuk shfaqet ky term. Në terminologjinë islame, ‘e shenjta’ i përshkruhet vetëm Zotit.

Kur e themi këtë, njerëzit kanë të drejtë të pyesin rreth arsyes pas numrit të madh të ekspeditave që Profeti ﷺ dërgonte jashtë Medinës, veçanërisht gjatë viteve të para të vendosjes atje. Një kuptim i drejtë i këtyre ngjarjeve mund të krijohet nga leximi i këtij libri[1] që përpiqet të dokumentojë ngjarjet kryesore të jetës së Proetit ﷺ. Këtu ne mund të themi se një shtet i ri i themeluar në një qytet në mes të një hapësire të madhe dhe armiqësore, ku lufta tribale ishte një dukuri e përditshme, nuk kishte si të mos priste të sulmohej. Në të vërtetë, sulmet priteshin nga disa drejtime. Si rrjedhojë, ishte e domosdoshme që Profeti ﷺ dhe bashkësia myslimane të ndërmerrnin çdo masë paraprake, që të ishin plotësisht të përgatitur për të përballur çdo rrezik që mund të kërcënonte ekzistencën e saj në çdo kohë. Një kërcënim i tillë ishte në të vërtetë i pashmangshëm, duke kulmuar në një aleancë të të gjithë forcave armiqësore që marshonte me qëllimin e deklaruar shfarosjen e bashkësisë myslimane kryekrej. Islami mund ta tejkalonte këtë rrezik falë ndihmës dhe mëshirës së Zotit në radhë të parë, politikës së urtë të Profetit ﷺ dhe përkushtimit solid të myslimanëve ndaj kauzës së tyre.

Është e pamundur të dokumentosh jetën e Profetit ﷺ pa i kushtuar rëndësi këtyre aktiviteteve ushtarake. Historianët e parë që shkruan rreth Profetit Muhamed ﷺ besonin se këto ishin ngjarjet më të rëndësishme, sepse ato përfshinin forcat armiqësore. Kështu, ata i titulluan historitë e tyre El Meghāzī, apo Ekspeditat. Ata mund të kenë patur ndjesinë se ishte e lehtë të mblidhje përmasat njerëzore dhe sociale të shoqërisë që kishte ndërtuar Profeti ﷺ, sepse ato mund të shiheshin akoma në bashkësinë myslimane dhe mënyrën e saj të jetesës. Më vonë, një biografi e Profetit ﷺ dhe histori e periudhës që dëshmoi ngritjen e bashkësisë së parë myslimane nuk mund të anashkalonte rëndësinë e aspektit ushtarak, sepse përmes këtyre ngjarjeve ushtarake bashkësia ia doli të nguliste të drejtën e saj për të ekzistuar dhe prosperuar.

Për myslimanët, studimi i jetës së Profetit Muhamed është një detyrë që i pajis ata me aftësinë për të gjykuar mbi mënyrën si duhet vënë në jetë Islami. Për pasojë, vendosja e elementit ushtarak në perspektivën e duhur fiton, veçanërisht në ditët e sotme, një rëndësi të shtuar. A është e mundur të arrihet një ripërtëritje e plotë islame pa i shpallur luftë shoqërisë ekzistuese? Cila shoqëri duhet konsideruar armiqësore? A mundet një lëvizje ripërtëritëse të ndërmarrë sulme parandaluese kundër një shoqërie jomiqësore? Çfarë kufizimesh zbatohen ndaj përdorimit të forcës ushtarake në kontekstin e përtëritjes islame? Përgjigjet e duhura për këto pyetje dhe të ngjashme me to duhen përftuar nga studimi i jetës së Profetit ﷺ, pasi ajo ofron modelin për t’u ndjekur në vënien në jetë të mësimeve kuranore. Një studim i tillë është i detyruar të tregojë se kur Profeti ﷺ predikonte mesazhine tij në Mekë dhe myslimanët vuanin nga përndjekja, asnjë veprim ushtarak nuk qe lejuar. Më vonë, kur myslimanët themeluan shtetin e tyre të ri në mes të forcave armiqësore, lufta qe lejuar siç e kërkonte situata. Disa vite më vonë, kur bashkësia myslimane ishte në gjendje të merrnin iniciativën, lufta shmangej me çdo mjet. Edhe kur u krijua mundësia për t’u hakmarrë ndaj tyre që përndoqën myslimanët për vite me radhë dhe përzunë Profetin ﷺ nga qyteti i tij, u bë çdo përpjekje për të mos derdhur gjak dhe për t’i bërë armiqtë e djeshëm miq të sotëm. Qëllimi përfundimtar ishte ndërtimi i një bashkësie të lidhur fort me bazë besimin, në të cilën të gjithë ruajnë një lidhje vëllazërie.

Në botën tonë moderne, ata që mbrojnë Islamin duan ta shohin Islamin të udhëheqë njerëzimin edhe njëherë, pasi ata besojnë se vetëm një udhëheqje e tillë mund t’i sjellë paqe dhe lumturi një bote që ka vuajtur shumë nga padrejtësia. Në përpjekjen e tyre për ta arritur këtë, ata duhet të udhëhiqen nga shembulli i Profetit ﷺ, duke kuptuar se detyra e tyre, për përmbushjen e të cilës ata janë përgjegjës përpara Zotit, nuk shkon përtej përcjelljes së mesazhit të Islamit për njerëzimin. Nëse përpiqen të shkojnë përtej kësaj, ata marrin përsipër rrezikun e madh të shndërrimit të përpjekjeve të tyre në orvatje kundërproduktive. Ata duhet të kenë gjithmonë parasysh se Zoti e ka kufizuar rolin e Profetit ﷺ në kufinjtë e kësaj sipërmarrjeje, sepse Ai e di se ky është roli që sjell rezultatet më të mira. Nuk u takon atyre të zgjerojnë rolin e tyre përtej kësaj pike.

Për pjesën tjetër të njerëzimit, të kuptuarit e drejtë të natyrës së mbështetjes publike të Islamit është shumë e dobishme për trajtësimin e qëndrimeve të tyre ndaj Islamit dhe lëvizjeve përtëritëse islame. Të kuptuarit e tillë do t’u mësojë atyre që gjithë çfarë duhet të bëjnë për të jetuar në paqe me mbrojtësit e Islamit është të sigurohen që liria e besimit dhe shprehjes të jetë pjesë e botës reale, jo thjesht e botës ideale. Mbi të gjitha, një liri e tillë është e patjetërsueshme për çdo qenie njerëzore. Islami i jep asaj vendin më të lartë ndërmjet të gjitha të drejtave njerëzore. Ajo ka përparësi ndaj të drejtës së jetës. Evidenca në mbështetje të kësaj gjendet në dy vargje kuranore: “Përndjekja është edhe më e keqe se vrasja.” (2:191) “Përndjekja është krim edhe më i madh se vrasja.” (2:217) Sipas Dr. M. H. Khayat, një dijetar bashkëkohor, “këto vargje shprehin një parim të qartë që përndjekja, e cila nënkupton ‘mohimin e lirisë’ është shumë më e keqe dhe krim më i madh se vrasja, e cila është ‘mohim i të drejtës së jetës’. Ky parim na shpie në një përfundim logjik, që liria është më e rëndësishme se jeta. Kjo nuk është aspak e çuditshme, duke patur parasysh që vetë humaniteti i njeriut është rezultat i kësaj lirie”.[2] Me një theks të tillë mbi lirinë, Islami i trajton kundërshtarët e tij me respekt, me kushtin që ata të respektojnë të drejtën e njerëzve për zgjedhje të lirë. Nga këndvështrimi i tij, civilizimi perëndimor nuk do të kishte asnjë arsye të grindet me këtë qëndrim pasi garantimi i një lirie të tillë për të gjithë njerëzit kërkon krenari.

Përktheu: Vehap Kola

Adil Salahi

*Marrë nga hyrja e autorit në librin e tij me titull Muhammad: man and prophet (Muhamedi, njeri dhe profet).

 

[1] Titulli i librit të autorit është Muhammad: Man and Prophet

[2] M.H. Khayat, Health as a Human Right, to be published by the World Health Organization, Cairo, 2002.