Muslimanët dhe lindja e Jezu Krishtit

Shpërndaje

Kur Profeti Muhamed ﷺ migroi në Medinë, ai u befasua kur pa komunitetin hebre që agjëronin një ditë të njohur si ‘Ashura’, që përkonte në muajin arab (më vonë islam) të Muharremit. Gjatë jetës së tij në Mekë, Profeti ﷺ e kishte për traditë ta agjëronte këtë ditë. Kur ai i pyeti hebrenjtë përse agjëronin në këtë ditë, komuniteti i tyre iu përgjigjën se kjo ishte një kremtim për shpëtimin e Moisiut nga Faraoni.

Profeti ﷺ u tha komunitetit të tij se edhe ata ishin besimtarë të Moisiut dhe ishin të denjë për ta përkujtuar momentin e shpëtimit të tij. Pa e vënë në diskutim autenticitetin e datës, ndonëse kalendari hebre ishte i ndryshëm nga ai arab, Profeti ﷺ pranoi arsyen e tyre dhe nxiti edhe bashkësinë e tij që të agjëronin. Pranimi i vërtetësisë së një ngjarje të shenjtë nuk lidhet me kohën e ndodhjes së saj sa lidhet me kuptimin që ka ajo, që është kremtimi i saj në hare nga bekimet dhe dashuria e Zotit për të drejtët.

Mbajtja e marrëdhënieve me ngjarjet fetare që janë të lidhura ngushtë me simbolet e shenjta është e zakonshme në Islam dhe e rrënjëzuar thellë në besim. Haxhi, pelegrinazhi i përvitshëm, është shtylla e pestë e Islamit dhe e tejmbushur me kuptime të tilla. Për shembull, rrotullsjellja rreth Shtëpisë së ndërtuar nga Ibrahimi dhe biri i tij Ismaili; ecja ndërmjet Safasë dhe Mervase, ku Haxheri shkoi të kërkonte ujë për foshnjën e saj; hedhja e guralecëve në Mina, ku djalli u përpoq të tundonte Ibrahimin ﷺ nga sakrifikimi i birit të tij; dhe therja ritual e bagëtive që shenjon vullnetin e Ibrahimit ﷺ për të sakrifikuar birin e tij për Zotin. Kjo është madhështia e ritualeve fetare: ato janë forma të mbushura me kuptime të thella dhe jo thjesht veprime që duhen përsëritur ritualisht.

Kurani na mëson neve: “Ndërmendju atyre ditët e Zotit. Vërtet, në to ka shenja për kë është i duruar dhe mirënjohës”. Ndërsa i afrohemi ngjarjes së lindjes së Jezu Krishtit ﷺ, ne ndjejmë përballjen me një ditë nga ‘ditët e Zotit’. Kjo ditë ishte përveçuar nga një mrekulli e pashoqe që lidhet me lindjen e tij. LIndja e tij lidhej me kuptimet e paqes, për të cilën kemi aq nevojë sot.

Po, Zoti e bëri Jezu Krishtin ﷺ symbol të paqes për këtë botë.

A nuk na bën me dije Kurani fjalët e Krishtit ﷺ, “Paqe qe mbi mua ditën që u linda dhe mbi mua do të jetë ditën që do të vdes dhe ditën që do të ringjallën sërish”? Vetëm këto fjalë janë të mjaftueshme si arsye për gëzimin tonë në këtë ngjarje madhështore, pavarësisht datës së saj të saktë dhe dallimeve në mendime që ekzistojnë ndërmjet degëzimeve të krishtera. Lindja e Jezu Krishtit ﷺ nuk e ka rëndësinë e saj në datën e saktë, por në kuptimin e mishëruar në ardhjen e tij në këtë botë.

Unë i shpreh urimet Profetit Muhamed ﷺ për lindjen e Jezu Krishtit ﷺ, i cili me shumë dashuri e përshkruante birin e Marisë si vëllain e tij dhe thoshte për të, “unë jam më i afërti me Jezusin, birin e Marisë në këtë botë dhe në botën tjeteër.”

Në të njëjtën kohë, u shpreh urimet muslimanëve, të krishterëve dhe gjithë njerëzimit në këtë ngjarje të bekuar.

Dhe i them Jezu Krishtit ﷺ: zotëria im, shpirt i Zotit dhe fjala e Tij, paqja qoftë mbi ty ditën që u linde, ditën që do të vdesësh dhe ditën që do të ringjallesh përsëri.

Habib Ali al Jifri

Përktheu: Vehap Kola