Kjo lutje për ruajtjen nga sprovat është një nga lutjet gjithëpërfshirëse, të cilën Allahu ia ka frymëzuar Profetit ﷺ që ta shqiptojë në namaz. Hadithin e transmeton Imam Ahmedi, se kur disa sahabë e panë një ditë Profetin ﷺ të dilte nga shtëpia të paqtuar dhe me fytyrë të ndriçuar, e pyetën:

– O i Dërguari i Allahut, të shohim të paqtuar dhe me fytyrë të ndriçuar.

– Si të mos jem, me erdhi Zoti i im i Lartë mbrëmë në formën më të bukur dhe më pyeti:

– O Muhamed!

– Si urdhëron, Zoti im.

– Për çfarë diskutojnë ata që janë në shoqërinë më të lartë (engjëjt)?

– Nuk e di për çfarë, o Zot.

Këtë pyetje e bëri dy ose tri herë, më pas vuri dy Pëllëmbët e Tij midis shpatullave të mia dhe ndjeva freskinë e tyre në mes të gjoksit, derisa m’u zbulua çfarë ka në qiej dhe në tokë. Pastaj më pyeti:

– Për çfarë diskutojnë ata që janë në shoqërinë më të lartë?

– Për shlyerësit e mëkateve.

– Cilët janë shlyerësit e mëkateve?

– Ecja në këmbë për te namazi me xhemat, ulja në xhami pas namazeve dhe përsosja e abdestit në kohë të ftohtë.

– O Muhamed, kur të kryesh namazin thuaj: “O Allah, të kërkoj kryerjen e të mirave, lënien e të këqijave, dashurinë për të varfrit dhe të kthehesh tek unë (me falje). E nëse dëshiron t’i sprovosh njerëzit, ma merr jetën të pasprovuar.”

Në një variant tjetër, lutja transmetohet kështu:

“O Allah, të kërkoj kryerjen e të mirave, lënien e të këqijave, dashurinë për të varfërit, që të më falesh dhe të më mëshirosh. E nëse dëshiron ta sprovosh një popull, ma merr jetën të pasprovuar. Të kërkoj dashurinë Tënde, dashurinë e atij që të dashuron Ty dhe dashurinë e veprave që më afrojnë te dashuria Jote.”

Profeti ﷺe mbyll me këto fjalë hadithin: “Këto janë fjalë të vërteta, prandaj studiojini ato dhe pastaj mësojini ato.”

Lutja e transliteruar në arabisht është: “Allahumme, ‘innī ‘es’eluke  fi´lel khajrāt, ue terk el-munkerāt, ue ḥubb el-mesākīn, ue ‘en teghfira lī ue terḥamenī. Ue ‘idhā ‘eradte fitnete ḳaumin, feteueffenī ghajra meftūn. Ue ‘es’eluke ḥubbek, ue ḥubbe mej juḥibbuk, uel-´amelel-ledhī juḳarribunī ‘ilā ḥubbik”.