Ec mbi ujë: Urtësia e Jezusit

Shpërndaje

Thëniet e mëposhtme të Jezusit (paqja qoftë mbi të) nga burime tradicionale në gjuhën arabe janë nxjerrë nga “Ec mbi Ujë”, një libër nga Hamza Yusuf

Sipas Ahmedit, Jezusi, paqja qoftë mbi të, ka thënë, “Vepra e virtytshme nuk qëndron në të bërit mirë ndaj dikujt që ju ka bërë mirë — ajo është thjesht të kthesh nderin. Vepra e virtytshme qëndron në të bërit mirë atyre që ju kanë bërë keq.” (Ahmedi)

Jezusi, biri i Marisë, ka thënë, “Mos flisni shumë pa përmendur Zotin, sepse duke vepruar kështu, ngurtësoni zemrat tuaja. S’do mend se një zemër e ngurtë është e largët nga Zoti, ndonëse nuk jeni të vetëdijshëm. Mos u bëni si zotërinjtë, të shihni gabimet e të tjerëve. Bëhuni si shërbëtorët, shihni gabimet tuaja. Në të vërtetë, njerëzimi përbëhet vetëm nga dy lloje, të sëmurët dhe të shëndetshmit. Pra, tregoni dhimbsuri ndaj të sëmurëve, dhe lëvdoni Zotin për mirëqenien.” (Muvatta e Malikut)

Transmetohet nga Hilal B. Yusuf se Jezusi, biri i Marisë, ka thënë: “Nëse ndonjërin nga ju e zë dita e agjërimit, le të vajosë flokët dhe mjekrën e tij; le të lagë buzët që të mos e kuptojnë të tjerët se ai po agjëron. Nëse jep sadaka me dorën e tij të djathtë, le ta fshehë atë nga dora e tij e matë. Nëse falet, le ta mbyllë perden mbi derën e tij. Njëmend, Zoti e shpërndan lavdërimin ndër njerëz njësoj siç shpërndan furnizimin.”

( Ibën el -Mubarek )

Transmeton Selim B. Ebi el-Xha’d se Jezusi, biri i Marisë, ka thënë: “Punoni për Zotin dhe jo për barqet tuaja. Shihni zogjtë: ata fluturojnë në mëngjes dhe hyjnë në darkë në foletë e tyre, pa mbjellë dhe pa korrur, por Zoti i furnizon ato. Nëse më thoni, “barqet tona janë shumë më të mëdha se ato të zogjve”, shihni qetë atëherë, bishat e egra dhe gomerët. Ata as e plugojnë as e korrin tokën, por Zoti i furnizon edhe ata. Rununi nga lukset e kësaj bote dhe druajuni atyre, sepse lukset e kësaj bote janë janë ndyrësi në sytë e Zotit.”

( Ibën el -Mubarek )

Transmetohet se Jezusi, biri i Marisë, ka thënë “Nuk ka asnje vlerë të dish diçka që nuk vepron sipas saj. Në të vërtetë, një dije e bollshme i shton vetëm krenarinë njeriut, nëse nuk vepron në përputhje me të.” (Ahmedi)

Njëherë dikush e Pyeti Jezusin, “Si mund të ecës mbi ujë?” Jezusi iu përgjigj, “Me siguri”. Atëherë dikush foli, “Po, edhe ne kemi siguri!” Jezusi i pyeti, “A janë njësoj në sytë tuaj guri, balta dhe floriri?” Ata u përgjigjën, “Sigurisht jo!” Jezusi ua ktheu, “Në sytë e mi, po!” (Ahmedi)

Jezusi, biri i Marisë, ka thënë “Dashuria për këtë jetë është burimi i çdo vepre të gabuar dhe në pasuri ka shumë të keqe”. Ata e pyetën, “Cila është kjo e keqe?” Jezusiu u përgjigj, “Zotëruesi i saj nuk është kurrë i ruajtur nga krenaria dhe arroganca”. Ata i thanë, “Po nëse nuk i ka ato? A ka të keqe në të?” Jezusi tha, “Po, sepse nga kujdesi ndaj pasurisë së tij, ai largohet nga përmendja e Zotit.” (Ahmedi)

Jezusi dhe dishepujt e tij ishin jashtë tempullit të Solomonit dhe dishepujt thanë, “O Mesia i Zotit, shiko Shtëpinë e Zotit. Ç’mund të jetë më e hijshme se kjo?” Jezusi u përgjigj, “Amin. Amin. Por, ju them se Zoti nuk do të lërë asnjë gur prej kësaj Shtëpia në këmbë. Në të vërtetë, Zoti do ta shkatërrojë atë për shkak të veprave të liga të popullit të saj. Zoti nuk ndërton asgjë të vlerë me ar apo argjend, e as me këto gurë. Zemrat e përzotshme janë më të dashura për Zotin se këto gurë. Sepse Zoti e përsos tokën me zemra të përzotshme dhe, në mungesë të tyre, toka shkatërrohet. (Ahmedi)

Jezusi, biri i Marisë, e kishte zakon të thoshte, “O Zoti im, s’do mend unë kam hyre në mëngjes i pazoti as për të ndalur atë që më frikëson, apo për të përshpejtuar atë që shpresoj. E gjithë çështja është në dorën e dikujt tjetër. Unë kam lindur i kufizuar nga veprat e mia. Askush nuk është më i varfër se unë. Mos më bëj mua shkak që armiqtë e mi të mallkohen, as mos më bëj arsye që një miku t’i vijë ndonjë e keqe. Mos më vër vuajtje në rrugën time shpirtërore, as mos i jep fuqi dikujt sipër meje që nuk është i dhimbsur me mua.” (Ibën Ebi ed-Dunja)

Rrëfehet se Jezusi u takua me Iblisin dhe Iblisi i tha, “A nuk është e vërtetë se do të ndodhë vetëm ajo që është caktuar?” Jezusi iu gjegj, “E vërtetë është.” Atëherë Iblisi tha, “Hidhu pra nga maja e këtij mali dhe të shohim a do të mbijetosh dot.” Jezusi ia ktheu, “Robi nuk e sprovon zotërinë e tij, përkundrazi, zotëria e sprovon robin e tij.” (Ebu Na’im)

Disa njerëz i thanë Jezusit, “O Shpirt i Zotit, na trego ç’është pasuria.” Ai u përgjigj, “Zotëruesi i pasurisë ka gjithmonë një prej tre cilësive: ose ai e fiton atë në rrugë të padrejta, ose e pengon të shkojë te ai që e meriton, ose duke e grumbulluar hutohet nga adhurimi i Zotit të tij.” (Ibën Abd el-Berr)

Sufjan eth-Theuri transmeton se Jezusi, biri i Marisë, ka thënë “Dashuria për këtë jetë dhe dashuria për jetën tjetër nuk mund të qëndrojnë në zemrën e besimtarit njëkohësisht, njësoj si zjarri dhe uji nuk mund të rrinë në një enë njëkohësisht.” (Ibn Kethir)

Ubejdullah b. Muslim tregon se Jezusi ka thënë, “Mjerë për zotëruesin e kësaj bote, sepse do të vdesë dhe do ta lërë botën pas. Ai i lidh shpresat në të dhe mashtrohet. Ai i beson asaj dhe braktiset.” (Ibn Kethiri)

Mjerë të mashtruarit, sepse kjo botë u shfaq atyre atë që urrejnë. Në fund, ata duhet të braktisin atë që duan dhe të nisen drejt asaj që u qe premtuar. Mjerë për atë njeri që ka si shqetësim të vazhdueshëm këtë botë dhe veprat e tij më të rëndësishme janë gabimet e tij më të mëdha. Shumë shpejt do ta turpërojnë.” (Ibën Ebi ed-Dunja)

Jezusi ka thënë, “Nuk do të mund ta merrni atë që dëshironi, përveçse përmes durimit ndaj asaj që përbuzni.” (El-Gazaliu)

Është transmetuar nga Salam, se Jazid ed-Dabi ka treguar që një grua i ka thënë Jezusit, birit të Marisë, ndërsa ai po punontë, “Bekuar qoftë barku që të mbajti dhe bekur qoftë gjiri që të dha për të mirë.” Duke u kthyer nga ajo, Jezusi tha, “dhe bekuar qoftë ai që, pasi ka lexuar Shkrimin e Zotit, veproi në përputhje me çfarë përmbante në të.” (Ahmedi)

Jezusi, biri i Marisë, ka thënë, “Zoti më ka dhënë fuqine t’i jap jetë të vdekurit, shikim të verbërit dhe dëgjim të shurdhërit. Por ai nuk më ka dhënë fuqinë të shëroj të marrin nga marrëzia e tij.” (Er-Razi)

Hamza Yusuf

Përktheu: Vehap Kola