Emri i Profetit Musa është më i përmenduri në Kuran mes Profetëve, ashtu sikurse historia e përballjes së tij me Faraonin e Egjiptit është prej historive që haset shpesh pjesë-pjesë gjatë leximit të tij.

Kjo sepse sundimi i Faraonit është përfaqësuesi par excellence i sistemit despotik, i cili përpiqet t’i kontrollojë dhe robërojë njerëzit, t’i mbajë ata të zënë në grackë nëpërmjet formave të kontrollit që ushtron, në mënyrë që përfytyrimi i tyre për jetën dhe botën të shfytyrohet. Ky sistem është në antitezë të plotë me modelin profetik, të përfaqësuar nga Profeti Musa, i cili synon t’i çlirojë njerëzit nga format e kontrollit totalitar që i shtyp ata.

Gjatë shpjegimit të librit të William Chittick “Vision of Islam”, shejh Hamza Yusuf ndalet dhe shtjellon elementët përbërës të sistemit që ngriti faraoni i Egjiptit. Simboli i sistemit faraonik është piramida, e cila me majën e saj përfaqëson Faraonin dhe rrethin e tij të afërt, ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë e mbështet dhe është në funksion të tij. Në këtë sistem, njerëzit shihen si shërbyes të atyre që janë në pushtet.

Bazuar në ajetet kuranore, shejh Hamza Yusuf thotë që sistemi i Faraonit përbëhej nga katër dimensione:

  • Dimensioni politik: i përfaqësuar nga Faraoni
  • Dimensioni ekonomik: i përfaqësuar nga Hamani
  • Dimensioni policor: i përfaqësuar nga ushtria, e cila mbështeste dy të parët
  • Dimensioni propagandistik: i përfaqësuar nga magjistarët, të cilët manipulonin dhe magjepsnin njerëzit

Pushteti i Faraonit i druhet bartësve të mesazhit profetik në shoqëri, të cilët kanë aftësinë të nxjerrin në pah gënjeshtrat e kulturës faraonike. Zoti premton se dërgimi i Musait me mision profetik ka si qëllim “t’i tregojë Faraonit, Hamanit dhe ushtarëve të tyre atë gjë, së cilës ata i trembeshin” (El-Kasas 28, 6).

Veçoritë kryesore të karakterit të Faraonit janë arroganca dhe vetëpëlqimi. Zoti e përshkruan atë si “kryelartë në vendin e tij, i cili tejkalonte gjithë kufijtë” (Junus 10, 83). Deliri i tij i madhështisë e bëri të thërriste me të madhe: “O populli im, a nuk më takon mua sundimi i Egjiptit, edhe këto lumenj që rrjedhin poshtë meje?! A nuk po e shquani?!” (Ez-Zukhruf 43, 51).

Arroganca e tij arriti kulmin kur e mblodhi dhe i deklaroi popullit të tij: “Unë jam zoti juaj, më i larti!” (En-Nazi’at 79, 24) dhe kur i kërkoi Hamanit t’i ndërtonte një kullë: “O Haman, më ndërto një kullë, se ndoshta gjej rrugët e qiellit për të mbërritur te Hyu i Musait, sepse unë mendoj me të vërtetë që ai është një gënjeshtar” (Ghafir 40, 36-37).

Sa i takon Hamanit, “shumë dijetarë muslimanë që kanë shqyrtuar nga afër të dhënat historike për figurën e Hamanit, kanë arritur në përfundimin se ky emër i referohet titullit të një funksioni shtetëror, ashtu sikurse titulli Faraon, dhe jo emrit të një individi. Ai kishte funksione të rëndësishme qeverisëse, si administrimi i punëve publike dhe ndërtimeve, dhe ishte i dyti në rëndësi pas Faraonit” (S. Hossein Nasr).

Roli i propagandës në funksion të ruajtjes së pushtetit faraonik shfaqet në përballjen e Musait me magjistarët. Përpara ballafaqimit me Musain, të vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej rendit faraonik nga mesazhi profetik, magjistarët ju drejtuan njerëzve të mbledhur me fjalët: “Pa dyshim, këta të dy (Musai dhe Haruni) janë dy magjistarë që dëshirojnë t’ju nxjerrin nga vendi juaj me magjinë e tyre dhe t’ju largojnë nga stili juaj shembullor i jetës” (Ta Ha 20, 63).

Nëse më parë Faraoni deklaronte me mburrje prej tirani se Egjipti dhe çfarë kishte i takonin atij, në momentin që ndjen se pushteti po fillon t’i rrëshkasë, makineria propagandistike i bën thirrje patriotizmit të njerëzve dhe frikës nga ndryshimi dhe e panjohura.

Magjistarët e quajnë Egjiptin ‘vendi juaj’ dhe jo më ‘vendi i Faraonit’ teksa i drejtohen turmës, për ta bërë atë të ndjehet bashkëpjesëtare e pushtetit dhe përfituese e të mirave të tij. Ata synonin t’i bënin njerëzit të besonin se tanimë vendi nuk i takonte më vetëm tiranit, por gjithë popullit. Pushteti nuk ishte më diktatorial dhe arrogant, por demokratik.

Magjia e ekzekutuar prej magjistarëve ishte magjepsëse dhe madhështore. Zoti e përshkruan atë me fjalët: “Kur vërvitën litarët, i magjepsën sytë e njerëzve dhe i frikësuan ata, se magjia që sollën ishte madhështore” (El-A’araf 7, 116). Edhe “Musai ndjeu frikë në shpirtin e tij” (Ta Ha 20, 67) nga shfaqja që dëshmoi. Pasi magjistarët i magjepsën sytë e njerëzve, duke bërë që litarët t’u dukeshin si gjarpërinj që lëviznin, “Musai u frikësua se mos magjia do t’i pengonte njerëzit të shquanin shenjat dhe argumentet e tij.

Kështu njerëzit do të dyshonin dhe nuk do ta ndiqnin, ndërsa ata që e kishin ndjekur do të fillonin të dyshonin” (Ebu Mansur el-Maturidi). Vetëm fjalët e Zotit e qetësojnë Musain dhe i japin udhëzimin e duhur për të vazhduar: “I thamë: Mos u frikëso, ti je pa dyshim më i larti! Vërvite atë që ke në dorën e djathtë, sepse ka për të përpirë efektin që prodhuan. Ai që paraqitën është vetëm një iluzion magjistari, e magjistari nuk lulëzon, kudo që të jetë” (Ta Ha 20, 68-69).

Qëndresa e besimit e mposhti efektin e magjisë, dhe bëri që magjistarët ta kuptojnë të vërtetën dhe t’i nënshtrohen asaj. Me konvertimin e magjistarëve, rendit faraonik i humbi elementi propagandistik që magjepste njerëzit, dhe pushteti u shfaq zbuluar në formën e tij të vërtetë, brutale dhe të dhunshme. Faraoni ju drejtohet me këto fjalë magjistarëve: “A i besuat atij përpara se t’ju jepja leje?! Ai nuk është vetëm se përgjegjësi juaj, ai që ju ka mësuar magjinë. Do t’jua copëtoj duart edhe këmbët, do t’ju kryqëzoj në trungjet e palmave dhe keni për ta marrë vesh cili prej nesh jep dënimin më të rëndë dhe më të gjatë” (Ta Ha 20, 71).

Historitë e izraelitëve pasues të Musait përmenden shpesh në Kuran, sepse muslimanët pasues të Profetit Muhammed ﷺ do të hasin sprova të ngjashme me të izraelitëve. Sukseset dhe dështimet e izraelitëve janë një eksperiencë e vyer për muslimanët, për të kuptuar çelësin e sukseseve dhe për të shmangur shkaqet e dështimeve.

Muslimanët do të përballen patjetër me sisteme politike dhe pushtetarë që do t’i përngjasojnë atij të Faraonit me të cilin u përball Musai. Në suren Dukhan, Zoti e identifikon vetë personin e Faraonit me ndëshkimin që vinte prej tij: “Ne i shpëtuam fëmijët e Izraelit prej ndëshkimit poshtërues: prej Faraonit” (Ed-Dukhan 44, 31-32). Ky ajet mund të kuptohet sikur “ai me vetë personin e tij ishte një ndëshkim përçmues, për shkak të tejkalimit në ndëshkimin dhe poshtërimin e njerëzve” (Fakhr ed-Din er-Razi).

Obligimi fetar dhe atdhetar i çdo muslimani është të përpiqet, me mjetet në dispozicion, që të bëjë rezistencë dhe të kundërshtojë ata pushtetarë që ndjekin rrugën e Faraonit në përdorimin e pushtetit politik, ekonomisë, policisë dhe medias për të shfrytëzuar, nënshtruar dhe poshtëruar njerëzit.

Marrë nga: Në Brendësi të Kuranit