Çfarë është Sheriati dhe përse është i rëndësishëm

Shpërndaje

Është ora 10.30 e darkës. Ti je një burrë me ngjyrë duke ngarë makinën nëpër rrugë dytësore të Gjidhëkundit, ShBA. Makina të prishet sapo i bie bateria telefonit, kështu që të duhet të dalësh dhe t’i trokasësh dikujt në derë për të kërkuar ndihmë. Ju ngjet të ndeshni një grumbull shtëpish, disa syresh që kanë varur me krenari flamuj amerikanë, të tjera pa flamuj. Cilës prej këtyre shtëpive do t’i afroheshit?

Ndërsa ndokënd kjo mund ta tulasë, pjesa më e madhe e njerëzve me ngjyrë të cilëve ua kam shtruar këtë skenar zgjedhin shtëpinë pa flamur. Kjo nuk nënkupton aspak mungesë patriotizmi. Përtej këtyre rrethanave, ata janë krenarë, nderojnë dhe valëvisin flamurin. Në fakt, veshjet Ralph Lauren me flamuj amerikanë të vegjël dhe shik si emblemë nuk mund t’i mbash në garderobë në disa komunitete me ngjyrë. Sidoqoftë, historia dhe simbolizmi politik që retorika dhe veprat e disave i kanë mveshur Old Glory*-t thjesht e kanë shndërruar atë në disa rrethana nga flamur kombëtar për ne në një shenjë që paralajmëron rrezik.

E njëjta gjë është e zbatueshmë për Sheriatin. Pjesa më e madhe e amerikanëve nuk ia kanë idenë se çfarë nënkupton dhe çfarë përfaqëson në të vërtetë. Por veprat dhe retorika e disa njerëzve kanë prodhuar të njëjtin efekti: Sheriati është bërë një shenjë rreziku, edhe pa shtrembërimet e të ashtuquajturve islamofobë. Shumë muslimanë nuk e pëlqejnë këtë logjikë dhe ndjehen të ofenduar prej saj njësoj si disa amerikanë do të ishin ofenduar nga insinuimi se flamuri ynë mund të luajë rolin e një dubli për racizmin. Sakaq, të dy grupet do të bënin mirë nëse do të vërenin se njerëzit nuk e kanë ndërmend të injorojnë përvojat e tyre faktike vetëm e vetëm që t’i bëjnë të tjerët të ndjehen mirë në botën e tyre të idealeve të ndërtuar ideologjikisht.

Prapëseprapë, vetëm naiviteti i utopianizmit më kokëfortë dhe cinik do të mohonte vlefshmërinë e një ideali të bazuar vetëm mbi realitetin e një përvoje. Ne nuk besojmë se ideali i çrrënjosjes së varfërisë është fals vetëm sepse ekzistojnë akoma kaq shumë njerëz të uritur. Përkundrazi, nëse ata që kanë burimet dhe mundësinë për të çrrënjosur varfërinë vazhdimisht dështojnë ta bëjnë këtë, ne besojmë se ose ata nuk angazhohen plotësisht ndaj këtij ideali, ose janë mjerisht të verbër dhe paaftë në përpjekjet e tyre për ta realizuar atë.

Në nivelin më bazik, Sheriati është universi musliman i idealeve. Ai është rezultat i përpjekjes së tyre të përbashkët për të kuptuar dhe zbatuar Kuranin dhe mësimet plotësuese të Profetit Muhamed (të quajtura Sunnet) me qëllim që të fitojnë aprovimin e Zotit e sigurojnë mirëqenien njerëzore në këtë jetë, si dhe të arrijnë shpëtimin njerëzor në jetën e përtejme. Ndërsa Kurani dhe Sunneti janë transhendentë dhe të pandryshueshëm, Sheriati në vetvetë është rezultati i negociueshëm i interpretimeve konkurruese. Në fakt, pjesa më e madhe e muslimanëve priren të mos flasin për Sheriatin, por për fiḳḥ-un, që fjalë për fjalë do të thotë “kuptim” dhe nënvizon dallimin ndërmjet urdhëresave të Zotit në njërën anë dhe në anën tjetër përpjekjes njerëzore për t’i kuptuar ato. Ndërkohë, kjo shpjegon dy karakteristika të tjera të pashmangshme të Sheriatit: diversitetin e opinionit dhe ndryshimin e pandalshëm. Në Islamin sunit (dhe për të qenë i drejtë me shiizmin do të duhej një trajtim më vetë) ekzistojnë katër shkolla të fiḳḥ-ut, të gjitha barazisht ortodokse, të gjitha barazisht autoritative. Është kështu sepse sunizmi nuk ka ngritur asnjëherë një autoritet klerikal apo “kishë” për të përcaktuar doktrinën. Krejt ndryshe, doktrinat e vetme që konsiderohen të detyrueshme mbi komunitetin si i tërë ishin ato mbi të cilat komuniteti i dijetarëve kishte arritur konsensus unanim — jo mendim dominues. Pa këtë, palët konkurruese ishin thjesht të detyruara të bienin në ujdi ose jo, ndërsa asnjë shkollë apo individ — as Kalifi apo udhëheqësi laik — nuk mund të mëtonte të drejtën e pagabueshme të imponimit të një doktrine si e vërteta e pakundërshtueshme.

Sa i përket ndryshimit, rregullat e Sheriatit ndahen në dy kategori: rituali fetar (lutja e detyrueshme, agjërimi, etj) dhe çështjet civile-penale (martesa, shitjet, shkelja e kurorës, xhihadi etj). Ndërsa rituali fetar është relativisht statik dhe i adresuar, dispozitat mbi çështjet civile-penale u nënshtrohen ndryshimeve në përputhje me rrethanat. Në fakt, këtu vijmë te veçoria e katërt e rëndësishme e Sheriatit: përveç interpretimit të shpalljes me qëllim aplikimin e tyre në realitet, Sheriati gjithashtu përfshin edhe përpjekjen për të studiuar realitetin për të përcaktuar mënyrën se si shpallja, mësimet profetike dhe tradita kumulative e shqyrtimit do t’i përgjigjeshin atij. Në këtë kuptim, Sheriati mund të sanksionojë, apo edhe të përfshijë, të gjitha idetë apo institucionet që nuk janë diktuar nga shpallja. Për shembull, në Arabinë e Profetit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin me të) nuk kishte kubé, shkolla të fiḳḥ-ut apo minaré. Me të njëjtën logjikë, fakti se nuk kishte demokraci apo ‘të drejta të njeriut’ nuk i bën ato automatikisht ‘jo-islame’. Shkurt, Sheriati përfshin përpjekjet për të propozuar përgjigje të devotshme ndaj një realiteti në ndryshim të vazhdueshëm. Kësisoj, shumë nga dispozitat e Sheriatit i nënshtrohen ndryshimeve në rrethanat të cilave ai duhet t’u përgjigjet.

Duke thënë këtë, Sheriati nuk është thjesht ‘dispozita’. Ndërsa përkthimi i zakonshëm ‘Ligji Islam’ nuk është tërësisht gabim, ai është i pamjaftueshëm për ta përfshirë, sepse Sheriati përfshin parime etike dhe morale të shumta, nga nderimi i prindërve, te ndihmesa e të varfërve, deri tek sjellja e fisme me fqinjët. Për më tepër, pjesa më e madhe e ‘dispozitave’ të Sheriatit nuk mbartin sanksione të detyruara tokësore. Urdhëresat që mbulojnë abdestin (pastrimin ritual), konsumimin e mishit të derrit apo mënyrën e të veshurit janë poaq pjesë e Sheriatit sa ç’janë ato që rregullojnë transaksionet, divorcin apo xhihadin. Ndërkohë, nuk ka ndonjë dënim tokësor për ata që shkelin këto urdhëresa. Si pjesa më e madhe e ‘dispozitave’ të sheriatit, kompetencat e shpërblimit dhe ndëshkimit në këto sfera i rezervohen Zotit në botën e përtejme.

Fatkeqësisht, shumë amerikanë janë bindur të besojnë se Sheriat do të thotë jo vetëm dispozita, por edhe ndëshkime penale, si fshikullimi me kamzhik. Tre pika të shkurtra: së pari, sanksionet penale përbëjnë një pjesë shumë të ngushtë të Sheriatit. Nga 1,081 faqe e tekstit dyvëllimësh në arabisht prej të cilit unë kam studiuar Sheriatin, vetëm 60 faqe u kushtoheshin drejtpërdrejt sanksioneve penale (xhihadi, meqë ra fjala, zinte vetëm 19). Së dyti, sanksionet penale të Sheriatit nuk kanë lindur si tipar apo instrument i shtetit mysliman, por kanë funksionuar në fakt për të vendosur kufinj në përdorimin e forcës së shtetit. Së treti, ndëshkimet për sjelljet kriminale nuk mund të ndahen nga dispozitat e provës — njësoj Sheriat edhe këto — që rregullojnë zbatimin e tyre (p.sh. dëshmitarët okularë të shumëfishtë). Në terma praktikë, me fjalë të tjera, në mungesë të vetërrëfimit, dispozitat mbi gjëra të tilla si shkelja e kurorës apo imoraliteti funksionojnë pothuaj tërësisht si paralajmërime morale. Vetëdija për Zotin e lindur nga Sheriati, jo frika nga ndëshkimi, i mbajnë këto ideale. Sigurisht, shumë amerikanë do të kundërshtojnë se çështje të tilla nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë dispozitë të qortimit fetar. Por, falë disa realiteteve tona gjithnjë e më shqetësuese (lindjet jashtë martese etj), me gjasë kjo do të nxiste biseda të frytshme.

Përse ka rëndësi Sheriati? Ai ka rëndësi për muslimanët sepse ai përfaqëson idealet që përkufizojnë ekzistencën islame të ndërtuar në mënyrën e duhur. Islami pa Sheriat do të ishte Islam pa idealet islame. Ndërsa pjesa më e madhe e amerikanëve jomuslimanë mund ta shohin Islamin pa Sheriat si Islami thjesht pa dispozitat apo sanksionet fetare, për muslimanët Islami pa Sheriat gjithashtu do të nënkuptonte Islam pa urdhëresa rreth abdestit, faljes, bamirësisë, shitjes, ushqimit, devocionit ndaj prindërve, të drejtave civile etj. Ndërsa diskuri amerikan rreth Sheriatit me shumë gjasë do të vazhdojë t’i shërbejë prirjes egoiste të “krahasimit të idelaeve të mia me realitetet e tjetrit”, Sheriati vetë do të vazhdojë të frymëzojë muslimanët, — vëçanërisht në jetët e tyre private — të përpiqen, me shpresë dhe përunjësi, të ngushtojnë hendekun ndërmjet të papranueshmes “është” dhe të pakapshmes “duhet”.

Përktheu: Vehap Kola

Burimi: http://www.huffingtonpost.com/sherman-a-jackson/what-is-shariah-and-why-d_b_710976.html

*Nofka e njohur që përdoret për flamurin amerikan.