Është klishe e vjetër të theksohet mbresa e çrregullit që lë teksti kuranor – të paktën ndërmjet lexuesve apo dëgjuesve që nuk janë rritur me këtë tekst. I vetmi rregull që mund të shquhet qartësisht në Libër është njëpasnjëshmëria e sureve sipas rendit zbritës të gjatësisë. Duket se kjo përkon me një përdorim të caktuar në Antikitet qëkur letrat e Shën Palit janë rregulluar në mënyrë të ngjashme në Dhjatën e Re. Sido që të jetë, ky rregull pastërtisht sasior nuk përkon as me logjikën, as me kronologjinë e tekstit. Përveç kësaj, edhe ky rregull sasior nuk është respektuar në mënyrë rigoroze; disa sure më të gjata ndjekin sure më të shkurtra. A është ky efekt i një çregullsie shtesë apo është shenjë e ndërhyrjes së një parimi tjetër të organizimit? Por, nëse është kjo, cili parim?

Në Traditën Islame

Nëse besojmë çfarë pohon vetë Kurani, çështja e koherencës së ligjërimit kuranor ishte ngritur edhe në të gjallë të Profetit: ‘Mohuesit thonë: “Përse nuk i zbriti Kurani një i tërë!”’ (25:82). Në përgjigje, një tjetër varg përligj karakterin e pavazhdueshëm të shpalljes: ‘Një Kuran që e ndamë në pjesë, t’ua lexosh njerëzve me ndalesa dhe e zbritëm me faza’ (17:106).

Mosvijimësia e tekstit është, pa asnjë dyshim, arsyeja kryesore përse – që nga kryehera deri në kohët tona – është zhvilluar një ekzegjesë ‘atomiste’ që komenton mbi tekstin varg pas vargu, zakonisht duke mos e marrë në sy kontekstin letrar.

Mbanash ekzegjezës, ndërkaq, disa dijetarë dhe retoricienë janë angazhuar në studimet e koherencës së tekstit. Nga shekulli i tretë dhe i katërt pas Hixhrit (shekulli i nëntë dhe i dhjëtë), ishin ndërmarrë një varg studimesh të ‘kompozimit të Kuranit’ (Naḍm el Ḳur’ān). Për fat të keq këto libra janë humbur, por ekziston një dije e pjesshme e përmbajtjes së tyre në studimet e tjera që i ndoqën dhe trajtuan karakterin e paimitueshëm të Kuranit (i´xhāz el Ḳur’ān). Këto vepra – mes temave të tjera – përpiqen t’u përgjigjen kritikave të caktura për mungesën e koherencës në tekstin kuranor. Përgjigjet e tyrë janë, për të qenë të drejtë, shumë të pjesshme dhe të kufizuara: ato merren vetëm me njësi të vogla tekstuale, fraza ose vargje dhe nuk janë mbështetur mbi ndonjë teori të përgjithshme të kompozimit të Librit. Edhe ´Abd el-Ḳāhir el-Xhurxhānī (v.471 ose 474/1078), autor i veprës më madhore mbi paimitueshmërinë e Kuranit – Dalā’il el i´xhāz fī l- Ḳur’ān – (Argumentat e paimitueshmërisë së Kuranit), nuk shkoi kurrë përtej nivelit të frazës, ndonëse ai kishte parathënë parimet e strukturës gjuhësore moderne që do t’i kishte dhënë mundësi të shkonte shumë më larg.

Ndërmjet ekzegjetëve klasikë, nuk ka dyshim se ishte Fakhr ed-Dīn er-Rāzī (v.606/1209) që çeli udhën e këqyrjeve në koherencën e tekstit duke u kushtuar vëmendje renditjeve ( tertībāt ) dhe korrelacionit ( rauābit ) ndërmjet vargjeve. Një shekull më vonë, doli në dritë një vepër që merrej me ‘përshtatshmërinë e vendosjes së sureve të Kuranit’ (El Burhān fī munāsebe tartīb suuar el-Ḳur’ān nga Ebū Xha´fer ibn el-Zubejr (v. 708/1308)). Më pas, në enciklopeditë e ‘shkencave kuranore’ (´ulūm el-Ḳur’ān) nga Zarkashīu (v. 794/1391) dhe Sujūṭīu (v. 911/1505) këto qëmtime u ngjitën deri në konstituimin e ‘shkencës së përshtatshmërive’ (´ilm el munāsebāt) ndërmjet vargjeve dhe sureve. Në këto vepra ekziston një përpjekje për të treguar përse dhe si një varg lidhet me atë që e paraprin apo mënyrën se si fundi i sures përkon me fillimin e sures në vijim. Ekziston kështu një preokupim i caktuar me lidhjen ndërmjet vargejve dhe sureve, por pa arritur në një strukturë organike autentike ndërmjet pjesëve të ndryshme të sures ose ndërmjet vetë sureve. Elementët e larmishëm të kompozimit që janë nxjerrë në dritë (paralelizmat, përsëritjet, antitezat, etj) mbeten të izoluara dhe nuk përbëjnë një sistem. Komentuesi Burhān ed-Dīn el-Biḳā´ī (v. 885/1480) e zbatoi në mënyrë të qartë ‘shkencën e përshtatshmërive dhe korrelacioneve ndërmjet vargjeve dhe sureve’ në komentarin e tij të madh kuranor dhe e paralajmëronte këtë që në titullin e veprës: Rendi i Perlave ose korrelacioni i vargjeve dhe sureve”.[1] Por, sërisht këtu shënimet nuk arrijnë në ndërlikueshmërinë e një sistemi teorik.

Një tjetër mënyrë e qëmtuar gjerësisht nga Rāzīu dhe ekzegjetë të tjerë është ajo e ‘komentimit të Kuranit me Kuran’: kuptimi i një vargu bëhet i qartë nga një tjetër varg i Kuranit. Ky duket se presupozon që teksti kuranor ka një koherencë dhe unitet global. Ibn Tejmijje (v. 728/1327) e konsideronte këtë metodë më të sigurtën sepse ajo nuk nuk i drejtohej ndonjë shpjegimi që ishte i jashtëm për tekstin siç është ‘shkaqet e shpalljes’ ( esbāb en-nuzūl ), që shumica e ekzegjetëve e përdorin ose keqpërdorin: me qëllim që të shpjegojnë vargun, ata mbështeten në një ngjarje (mjaft shpesh shumë anektodike) në jetën e Profetit ose në komunitetin mysliman primitiv që mendohet të ketë provokuar shpalljen e vargut në fjalë. Nëse metoda e shpjegimit të Kuranit me anë të Kuranit ka avantazhin e mbështetjes vetëm në tekst, ajo gjithaq varet nga urtësia e ekzegjetit në zgjedhjen prej tij të vargjeve që duhen vendosur në marrëdhënie me njëra-tjetrën, me rrezikun e arbitraritetit që kjo nënkupton.

Disa komentues të shekullit të dymbëdhjetë kanë shqyrtuar ështjen dhe janë përpjekur të këqyrin strukturën e tekstit kuranor. Shejkh Sa´īd Ḥeuuā (v.1989), në komentarin e tij The Foundations of Exegesis (El-Esās fī l-tefsīr ), i vë vetes detyrën e studimit të koherencës ndërmjet pjesëve të ndryshme të sures. Në hyrjen e tij, ai pohon se një studim i tillë nuk është ndërmarrë kurrë më parë.[2] Ai e ndan tekstin e sureve në pjesë dhe nënpjesë sipas katër niveleve (që ai i quan, në rend zbritës: ḳism, maḳṭā´, faḳra, mexhmū´ai) me qëllimin që të tregojë mënyrën se si marrëdhëniet ndërmjet këtyre njësive sigurojnë koherencën e tekstit. Kjo përpjekje është një progress real, por një progress që mbetet i bazuar mbi një teori letrare mjaft elementare. Si rrjedhojë, shumë ndarje që ai i bën tekstit janë subjective dhe kundërthënëse. Duhet vërejtur se, ndërkaq, Sa´īd Ḥeuuā që ishte i kultivuar në komentarët klasikë, ishte i vetëdijshëm për origjinalitetin absolute të veprës së tij. Mund të konkludohet, që këtej, se do të ishte e kotë të shpresohej në gjetjen e një teorie të përgjithshme të kompozimit të tekstit kuranor brenda hegjemonisë madhështore të shkencave kuranore.

Gjithaq, në të njëjtën dekadë të viteve 1980, ndërsa Sa´īd Ḥeuuā shkruante tefsīrin e tij në një burg sirian, një ekzegjet urdishtfolës pakistanez, Amīn Aḥsen Iṣlāḥī (v.1997), arriti në një përfundim mahnitës në komentarin e tij Reflections on the Qur’an ( Tedebbur-i Kur’ān). Sipas mendimit të tij, pjesa më e madhe e sureve – në mos të gjitha – formojnë çifte tematike përmes ngjashmërisë, antitezës ose komplementaritetit.[3] Analiza jonë retorike e tridhjetë sureve të fundit ia doli ta konfirmojë tezën e Iṣlāḥīt. Dy suret e fundit (113-114) janë qartësisht të ngjashme. Ndwrkaq, tetë suret që i paraprijnë atyre gjithashtu formojnë çifte, tematikisht antitetike, duke vënë përballë besimin (si në rastin e sures 112, ‘Kullueshmëria [e Besimit]’) me mohimin (si në suren 111 ‘Litarët prej Palme’). Surja 93 (‘Drita e Mëngjesit’) dhe 94 (‘Çlirimi’) janë shumë të ngjashme – deri në pikën ku komentatorë të ndryshëm i konsiderojnë ato një sure të vetme. Surja 5 gjithashtu gëzon shumë tema të përbashkëta me suren 4. Zbulimi i Iṣlāḥīt përfaqëson, kësisoj, një hap të parë përpara në teorinë e kompozimit të përgjithshëm të Kuranit, teori që mbështetet në parimin – nëse jo në simetrinë, të paktën binaritetin. Ne do t’i kthehemi kësaj teme në kapitullin vijues.

Në kërkimin modern perëndimor

Që prej fillimit të tij, gjatë mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë – dhe paralelisht me studimet biblike – studimi shkencor i Kuranit nga orientalistët perëndmorë ka adoptuar gjerësisht metodën historike-kritike me shpresën për të themeluar një Histori të Kuranit. Ky është edhe titulli i një prej librave referencë më të famshëm të studiuesit gjerman Theodor Noldeke (v. 1930), Geschichte des Qorāns, botuan në vitin 1860 dhe i plotësuar më vonë nga nxënësit e tij. Ndërmjet përfaqësuesve të tjerë të mëdhenj të kësaj shkolle janë skocezi Richard Bell (v. 1952) dhe francezi Regis Blachere (v. 1973), të cilët botuan të dy përkthime të Kurnit në të cilat ato vunë në përdorim kronologjinë e rindërtuar të tekstit. Siç ishte rasti me studimet biblike, metodat e kriticizmit historic, që përdoron një perspektivë diakronike mbi tekstin, ka mbizotëruar tërësisht kërkimin perëndimor të Kurani deri vonë. Ndonëse metoda e parashtruar në librin tonë nuk e përdor këtë perspektivë, nuk është qëllimi të hidhet poshtë kontributi i jashtëzakonshëm i studimit historik-kritik të Kuranit. Një përmbledhje mund të gjendet në artikullin referencë nga Alford T. Welch në The Encyclopaedia of Islam (2nd edn).[4] Përveç aspekteve rreptësisht historike – si për shembull historia e mbledhjes së Kuranit, krijimi i tekstit, leximet e ndryshme kanonike[5] dhe kronologjia e tekstit – artikulli trajton edhe aspektet gjuhësore – si gjuha e Kuranit, fjalori i tij i huaj, rimat (në fund të vargjeve) dhe refrenet (formula të përsëritura në një largësi nga njëra-tjetra) – si edhe format skematike. Artikulli gjithashtu paraqet format më të rëndësishme letrare që mund të gjendjet të shpërndara në Kuran: betimet (që gjenden në fillim të shumë sureve të shkurtra), pasazhet ‘shenjë’ (përkujtuesve të ‘shenjave’ që Zoti ka lënë në Natyrë ose në Histori), pasazhet ‘thuaj’ (pasazhe të hapura me urdhërorin ‘thuaj’ drejtuar Profetit), historitë (të kushtuara kryesisht profetëve), dispozitat dhe formulat liturgjike. Studimi leksikologjik i teksit dhe rindarja e tij në njësi kuptimore sipas formave të ndryshme letrare janë përvetësime të padiskutueshme në ekzegjezën e tekstit.

Duke filluar në vitin 1981, sakaq, u shfaqen punë studimore të mbështetura në një hipotezë që e kundërshtontë atë që, deri atëherë, kishte qenë mbizotëruese në kriticizmin historic. Në vend të nisjes nga parimi se teksti kompozohej nga fragmente të vogla kronologjia e të cilave mund të rindërtohej duke përdorur tregues si inkoherenca gramatikore apo stilistike, përsëritjet, dallimet në stil apo evoluimi i temave, merret e mirëqenë se teksti, në redaktimin e tij final, duhet të ketë një unitet dhe koherencë që duhej ndriçuar nga ekzegjetët. Qasja diakronike e kriticizmit historic po zëvendëzohet nga një perspektivë sinkronike. Kjo metodë nuk përqëndrohet drejtpërdrejt në historinë e tekstit, por më shumë në strukturën e tij, siç paraqitet në versionin kanonik të Librit që kemi sot dhe i cili është versioni i vetëm që shërben si referencë për fenë islame. Po kështu, nuk ekziston ndonjë përpjekje për të klasifikuar format letrare që gjenden përgjatë tekstit. Përkundrazi, kërkimi qendërzohet në kompozimin e secilës sureje, në vetvete, me qëllim që të kuptojë koherencën dhe barrën e saj kuptimore. Nismëtarë të këtij studimi, Angelika Newirth dhe Pierre Crapon de Caprona, interesoheshin për suret e shkurtra të epokës mekase, që ishin më të lehta për t’u analizuar sesa suret e gjata të Medinës.[6] Ata u rrekën të kuptojnë kompozimin e sureve duke përdorur tregues si ritmi, rima, temat, zhanret letrare – elementë që ata i trashëgonin nga kriticizmi historik. Kjo është dëshmi për karakterin e ndërlikuar të metodës së tyre. Vetëm ps vitit 2000 dy studiues anglofonë, Neal Robinson[7] dhe A.H. Mathias Zahisner[8] kanë bërë përpjekje për të analizuar edhe kompozimin e sureve më të gjata medinase duke përdorur tregues si përsëritja, në një distancë të caktuar, e termave apo vargjeve që mund të zbulojnë simetri tekstuale. Metoda qe me vend, por vuante mungesën e sistemimit të nevojshëm teorik për të arritur sigurinë absolute të përfundimeve dhe ajo u fokusua vetëm në strukturën e përgjithshme të tekstit.

Një sistematizim i tillë ekziston, por në fushën e ekzegjesës shkencore biblike. Për këtë arsye, studimet kuranore kanë shumë çfarë të fitojnë nëse përdorin qasjen ndërdisiplinore.

Nga studimet biblike te studimet kuranore

Qasja sinkronike ndaj teksteve biblike, ndonëse ka patur vështirësi në afirmimin e vetes përkrah qasjes diakronike të kritikës historike, nuk është një zhvillim i ri.[9] Konturet e saj të para mund të gjenden në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë me zbulimin e paralelizmit të pjesëtarëve në tekstet poetike të Biblës nga studiuesi anglez Robert Lowth dhe kuptimi i rëndësisë së kompozimit bashkëqëndror ose unazë dhe chiasmus në Bible nga gjermani Johann Albrecht Bengel. Por, qenë mbi të gjitha anglezët John Jepp dhe Thomas Boys të cilët, në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, i dhanë trajtë tëorike pjesës më të madhe të rregullave të kompozimit të tekstit biblik. Ata dëshironin t’i përgjigjeshin të njëjtës pyetje që ne kemi ngritur më lart për Kuranin: çfarë është uniteti dhe koherenca e teksteve biblike – të tilla që janë ende të pranishme në një mënyrë shumë të fragmentuar, si një seri njësish semantike ndërmjet të cilave ka evidence të rralla të lidhjes së tyre logjike? Të marrin katër librat e fundit të Pentatekut, që bëjnë bashkë ligje, histori, këshillime dhe kërcënime, librat profetikë të përbërë nga një gjerdan orakujsh të pavarur, ose edhe Ungjijtë fragmetarë të të cilëve përziejnë me njëra-tjetrën histori mrekullish, parabola dhe mësime të tjera të Jezusit. Për fat të keq, intuita e Jebb dhe Boys zor se u shfrytëzua dhe, me përjashtim të disa studiuesve që ndoqën të njëjtën rrugë (Albert Condamin, Nils W. Lund, Marcel Jousse dhe disa të tjerë), ata u injoruan përgjithësisht nga shkolla ngadhënjyese e kritikës historike.

Sot, siç përmendëm edhe në Hyrje, është jezuiti Roland Meynet që meriton të gjithë lëvdatat për sistemimin mjeshtëror të rregullave të kompozimit për tekstet biblike sipas metodës që ai e quan ‘analiza retorike’ dhe që është shpjeguar në anglisht në dy libra: Rhetorical Analysis. An Introduction to Biblical Rhetoric (Analiza Retorike. Një Hyrje në Retorikën Biblike) (1998), i rishikuar së fundi dhe i përditësuar në veprën madhështore të titulluar Treatise on Biblical Rhetoric (Traktat për Retorikën Biblike) (2012).[10]

 Metoda të tjera sinkronike të analizimit të teksteve bilibike janë zhvilluar në rrjedhën e këtyre dekadave të fundit – veçanërisht analiza strukturore (që më vonë u shndërrua në semiotikë), analiza e rrëfimit dhe ‘kritika retorike’, që zbaton kategoritë e retorikës greko-romake mbi tekstet biblike. Këto metoda u sofistikuan jashtë ekzegjezës biblike, që thjesht i zbatoi ato në fushën e saj. Islamologët perëndimore ndoqën të njëjtën rrugë: Le Coran revisite: le feu, l’eau, l’air et la terre nga Heidi Toelle, për shembull, është një zbatim i shkëlqyer i metodës semiotike mbi kozmologjinë e Kuranit. Analiza retorike, nga ana tjetër, buron drejtpërdrejt nga studimi i hollësishëm i vetë teksteve biblike. Këtillësisht, ligjët e saj janë marrë krejt natyrshëm në sy, në një reaksion të parë, si ligje të “retorikës hebraike’, e ndryshme nga retorika greko-latine. Kur vijmë tek kuptimi se këto ligje zbatohen jo vetëm mbi tekstet hebraike të Dhjatës së Vjetër, por edhe mbi tekstet greke të Dhjatës së Re, atëherë flasim për një ‘retorikë biblike’. Studimet paraprake në tekste të tjera të shenjta semite të lashtësisë  – akkadiane, ugarite dhe faraonike (mijëvjeçari i dytë dhe i tretë p.e.s) – kanë treguar se të njëjtat ligje të kompozimit rregullojnë gjithashtu këto tekste – tekste shumë më të lashta se Bibla.[11] Në Liban, në filim të viteve 1990, një grup i vogël për katër studiuesish, përfshirë të krishterë dhe myslimanë, u rrek të bënte një krahasim ndërmjet kompozimit të teksteve biblike dhe ato të disa hadithev që ishin marrë kryesisht nga korpusi i Bukhārīut (shekulli i nëntë) dhe arritën të njëjtin rezultat.[12] Sa na përket neve, në vitin 1995, duke përdorur të njëjtën metodë publikuam artikujt e parë mbi kompozimin e sureve të Kuranit. Që atëherë, ‘retorika biblike’ u ripagëzua si ‘retorika semite’, sepse u bë e qartë se ajo nuk kufizohej tek Bibla, por mund të gjendej gjetkë në botën semite në tekste përpara dhe pas Biblës. Për momentin, kërkimet janë të pandërprera në fusha të tjera të Lindjes së Mesme, Greqisë dhe Iranit të lashtë, tekstet më antike të të cilave i nënshtrohen të njëjtës retorike ‘semite’. Një ditë, kjo do të sillte një ndryshim të kualifikimit të këtij lloji të retorikës (Kapitulli 8 i këtij libri).

Një shpjegim i shkurtër i metodës

Para se të hyjmë në hollësitë e retorikës semite, është e udhës që të shpjegojmë disa koncepte themelore që (shpresojmë se) do të ndihin lexuesin të ndjekë zhvillimin e prezantimit tonë.

Retorika semite, siç e kemi treguar tashmë, ngrihet tërësisht mbi parimin e simetrisë, që i fal kompozicionit të tekstit një formë që është, njëfarësoj, më gjeometrike ose hapësinore sesa lineare. Lexuesi do të bëhet lehtësisht i vetëdijshëm për këtë përmes tabelave që do të paraqiten në kapitujt në vijim.

Simetria mund të marrë treforma ose tre “skica të kompozimit’ – një karakteristikë e vërejtur tashme nga Loëth dhe Bengel në shekullin e tetëmbëdhjetë: paralelizmi, kur termat e lidhur janë vendosur sipas të njëjtit rend: për shembull AB/A’B’; kompozimi pasqyrë, kur termat e lidhur janë paraqitur në një rend të anasjellë: AB/B’A’ (në nivelin e frazës, përdoret termi chiasmus); kompozimi bashkëqëndror, kur elementi qëndror vendoset ndërmjet dy anëve të paralelizmit (ABC/x/A’B’C’) ose konstruksioni pasqyrë (ABC/x/C’B’A’).

Këto tre skica të kompozicionit mund të gjenden në nivele të ndryshme të tekstit; në nivelin më të ulët, segmenti mund të ndërthurë dy ose tre elementë (që, përgjithësisht, përkojnë me një numër të barabartë sintagmash) sipas një njërës apo tjetrës skicë të kompozicionit; në nivelin tjetër më të lartë, fragmenti do të gërshetojë segmented në të njëjtën mënyrë dhe ky proces do të vijojë në nivelet përndjekëse që quhen, në rendin rritës, pjesa, pasazhi, sekuenca, seksioni dhe, përfundimisht, libri. Duke patur në sy se mund të ekistojnë nënpjesë, nënsekuenca, nënseksione, një teksti i gjtë, si surja e pestë,[13] mund të kenë deri në dhjetë nivele tekstuale.

Cilat janë shenjat e simetrisë? Kjo mund të jetë një përsëritje e thjeshtë, një sinonimi, një antitezë, një asonancë, një paronimi (apo një afro-homonimi) – madje një homografi (shkrimi primitive arab injoron shenjat diakritike dhe përdor format të shkruara në mënyrë identike për germa të ndryshme fonetike). Mund të ekzistojnë edhe simetri në një forma gramatike të njëjtë: për shembull, dy folje në mënyrën urdhërore ose dy fraza me të njëjtën strukturë sintaksore.

Kur pjesa më e madhe e termave të simetrisë përkojnë, kemi të bëjmë me simetri tërësore. Më shpesh, vetëm disa nga termat përkojnë dhe kjo njihet si simetri e pjesshme.

Shenjat e simetrisë pjesore mund të gjenden në fillim të njësive korresponduese (si terma fillestarë), në fund (termat përfundimtarë) ose në mes (termat qëndrorë); atom und të gjenden në fillim dhe në fund të njësisë që kufizojnë (terma skajorë – inclusio klasike) ose edhe në fund të një njësie dhe në fillim të një njësie përndjekëse me qëllim që t’i lidhin ato me njëra-tjetrën (termat e ndërmjetëm – studiuesit biblikë i njohin ato si lidhje ose fjalë çengel).

Në Kuran, dhe sidomos në surën 5, skica e kompozimit që është më e shpeshta në nivelet e larta tekstuale është kompozimi bashkëqëndror. Në retorikën semite, qendra e një kompozimi të tillë ka një rëndësi shumë të veçantë: është shpeshherë çelësi i interpretimit të një tërësie tekstuale, qendër e së cilës ajo është. Ajo është shpeshherë një pyetje, ose një maksimë, një citim, një parabolë – diç që provokon relfektim dhe mbajtjen e një qëndrimi.

Siç mund të shihet nga ky vështrim nga lart i metodës, origjinaliteti i retorikës semite nuk bun në përdorimin rastësor të paralelizmave ose chiasmës, apo edhe kompozimit unazor – skica që s’do mend se mund të zbulohen në mënyrë të atypëratyshme apo më rrallë apo më shpesh në të gjitha llojet e letërsisë. Ajo që është karakteristike për retorikën semite është përdorimi absolutisht sistematik i këtyre skicave të kompozimit në të gjitha nivelet e tekstit. Retorika semite ndërton vërtetë një sistem. Kjo është arsyeja përse është e nevojshme, në analizën e tekstit, për të nxitur zbatimin e këtij sistemi sa më shumë të jetë e mundur sepse ekziston një sistem dhe ai strukturon tekstin e tërë – në tërësinë si edhe në hollësitë e tij.

Disa studiues na qortojnë për zbatimin e rregullave të retorikës semite në një mënyrë që është shumë sistematike dhe konstante. Përgjigja jonë është se skicat e kompozimit nuk janë figura stolisëse të cilave një autor mund t’u drejtohet rastësisht – por pa ekzagjërim, nëse ai ose ajo dëshiron të shmangë nje manierizëm të tepruar. Është me e përshtatshme të krahasohet sistemi i retorikës semite me gramatikën. Me përjashtim të poezisë moderne, një autor nuk mund të zgjedhë të zbatojë ose jo rregullat e gramatikës. Këto rregulla përbëjnë një sistem që imponohet mbi tërësinë e tekstit – ndonëse me një shkallë të caktuar përkulshmërie: autori apo redaktori nuk do të kenë zgjedhje ndërmjet disa strukturave sintaksore, por ata duhet t’u binden të gjitha mundësive të një gjuhe të dhënë. E njëjta gjë qëndron edhe për kompozimin retorik të ligjërimit semit. çfarë është e vërtetë – dhe ne do të kthehemi tek kjo pikë në studimin e niveleve tekstuale – është se skema e kompozimit mund të theksohet më shumë apo më pak. Në një vend një paralelizëm është vështirësisht i shqueshëm, ndërsa në një tjetër ai është shumë i dukshëm. Me më pak a më shumë ngulmim, retorika semite është, prapëseprapë, përherë në punë në të gjitha pjesët e tekstit për ta kompozuar atë dhe për t’i dhënë koherencë.

Presupozimet i Analizës Retorike

Nga çfarë kemi thënë më lart, rrjedh që analiza retorike e tekstit kuranor ngërthen presupozime të caktuara.[14] Këto presupozime nuk janë paragjykime a priori të imponuara ndaj tekstit si një teori e parafabrikuar, por pasojat e vrojtimeve të gjata dhe të përpikta të teksteve biblike dhe, së fundmi, edhe të tëkstit kuranor. Qëkur këto rrjedhoja janë konfirmuar nga përvoja, ato mund të shërbejnë, kësisoj, si presupozime që lehtësojnë punën e çdo analize të re.

Teksti kuranor është i mirëkompozuar

 Përtej vrojtimeve pjesore të traditës ekzegjetike islame sa i përket përshtatshmërisë (munāsebe) ndërmjet vargjeve (marrëdhënien e një vargu mevargun pararendës, përfshirjen ndërmjet fillimint dhe fundit të një sureje etj) dhe marrëdhënieve sematnike ndërmjet vargejve të shpërhapura në Libër (që janë objekti i parapëlqyer i ‘komentarëve tematikë’), besohet se ansambli i tekstit të një sureje është kompozuar sipas një structure të ndërlikuar dhe është përpikmërisht qëllimi i analizës retorikë që ta manifestojë këtë strukturë. Ndryshe nga kritka historike perëndimore, analiza retorike nuk do të marrë në shqyrtim njësi të ndryshme tekstuale të një sureje si fragmente të shkëputura të bashkuara me njëra-tjetrën në mënyrë të rastësishme nga redaktori përfundimtar i librit, por si elementë të një tërësia marrëdhënia semantike dhe e formës së të cilës duhet zbuluar. Theodor Noldeke, duke përqafuar pikëpamjen e kritikës historike, e denoncon si dobësi stilistike faktin që Kurani ‘ndërpret brutalisht një temë dhe hidhet në një tjetër, të cilën do ta braktisë sërish për t’u kthyer tek e para.[15] Por, ky është saktësisht përshkrimi (i pasjellshëm) i një strukture retorike të qëllimshme (kompozim bashkëqendror apo pasqyrë) dhe jo pasojë e neglizhencës stilistike.

Struktura e tekstit nuk përshfaqet lehtë – të paktën pë rata që nuk mendojnë apo shkruajnë si semitët e antikitetit. Nevojitet shumë durim dhe ngulmin. Ngandonjëherë mund të përpiqesh me një tekst për muaj – madje vite – përpara se të zbulosh përfundimisht strukturën e tij të vërtetë dhe plotësisht të kënaqshme. Debutuesit ose amatorët duhet të jenë të matur! Është e nevojshme të njihet puna, të gëzosh eksperiencë dhe me gjasë një gatishmëri e caktuar e shpirtit për të ndjerë lidhjet ndërmjet elementëve të tekstit. Por, përfundimisht, teksti do ta shpërfaqë arkitekturën e tij, herë herë shumë të zhvilluar e madje të sofistikuar, herë herë më të kthjellët dhe çlirët.

Ekziston një retorikë semite e ndryshme nga retorika greke

 Qoftë sa i takon traditës letrare arabe, apo asaj perëndimore, retorika merret në shqyrtim nga një pikëpamje e retorikës greke. Libri i parë i retorikës arabe që ka mbërritur në duart tona, Kitāb el-Bedī´ nga poeti dhe kalifi (për një ditë të vetme) Ibën el Mu´tazz (vrarë në 295/908), shprehet se qëllimi i tij është të demonstrojë se skemat e retorikës që ‘stili i ri’ i huazonte nga Retorika e Aristotelit, e përkthyer së fundmi në arabisht, nuk ishin zbulim as i grekëve as i poetëve ‘modernë’, por mund të gjendeshin atëbotë në Kuran; ai nuk kishte dyshime se ndonjë retorikë tjetër ekzistonte, e cila, në fakt, kishte mbarsur tekstinkuranor. E çuditshme dhe e papranueshmë siç duket, kjo retorike tjetër, faktikisht, ishte harruar tërësej në atë kohë.

Studimet perëndimore moderne të retorikës së Kuranit mbështeten gjerësisht tek literatura klasike islame dhe traditat ekzegjetike, të qendërzuara në studimet e figurave retorike ose figurave letrare – mbi të gjitha, metaforës. Duke u frymëzuar nga Formgeschichte biblike, ata kanë shtuar edhe studimin e formave karakteristike të Kuranit: përmes krahasimit të teksteve kuranore ndërmjet tyre, ata zbuluan një numër të caktuar formash që lejonin klasifikimin e teksteve (p.sh. pasazhet-shenja, që evokojnë shenjat e Gjithëmadhështisë së Zotit në natyrë ose në shpallje; betimet, që hapin një numër të caktuar suresh të shkurtra, ligjet etj). Retorika semite nuk merret drejtpërdrejt me figurat letrare, as me këto forma të përftuara të “shpërhapura” kudo në Libër. Ajo e shqetësohet për organizimin specific të secilës sureje, sipas ligjeve të përpikta, por të aplikuara secilën herë në mënyrë origjinale.

Respekti për tekstin ashtu siç është

Ky presupozim është një pozicion kritik sa i takon kritikës historike. E ballafaquar me ‘inkoherencat’ e tekstit, mungesën e një sekuence logjike, ata të shkollës së kritikës historike kanë një prirje për të zhvendosur vargje të caktuara me qëllim që të rikompozojnë tekstin në një mënyrë më koherente dhe logjike (sipas logjikës tonë të trashëguara nga grekët). Përkthimi i Richart Bell ‘me një rivendosje kritike të sureve[16] është shembulli më i plotë. Por, nëse ligjet e retorikës semite njihen, pjesa më e madhe e inkoherencave zhduken vetë. Ne e kemi paraqitur më lart një rast me citimin nga Theodor Noldeke. Në studimin tonë të sures 5 (Banketi ) ne kemi treguar, në disa raste, zhvendosjen e vargjeve të sugjeruar nga Bell ose Blachere.[17] Këto vargje, në të vërtetë, janë vendosur përsosurisht në vendin e duhur sipas ligjeve të retorikës semite.

Së këndejmi, janë pikërisht ato ‘thyerje të logjikës’, ‘mungesa të lidhjeve logjike’ etj, që identifikon kritika historike, që shpesh përkojnë me ato që vërehen nga analiza retorike. Por, në vend që të arrijë në përfundimin se ka patur modifikime redaktimi apo shtesa, analiza retorike sheh në to shenja të njësive të ndryshme tekstuale dhe përpiqet të gjejë lidhjet që i bashkojnë ato në të njëjtën strukturë koherente.

Michel Cuypers

Përktheu nga gjuha angleze: Vehap Kola

Shënime:

[1] Ibrāhīm ed-Dīn el-Biḳā´ī, Naḍhm ed-durar. Fī tenāsub el-ajāt ue s-suuar (Cairo, 1992).

[2] Sa´īd Ḥeuuā, El-Esās fī l-tefsīr (Cairo, Dār el-Islām, 2003), p. 21.

[3] Shih Mustansir Mir, Coherence in the Qur’ān. A Study of Iṣlāḥī’s concept of Naẓm in Tadabbur-i Qur’ān (Indianapolis: American Trust Publications, 1986), pp.75-84.

[4] Alfred T. Welch, ‘Al-Kur’ān, Encyclopaedia of Islam (2nd edn) (Leiden: Brill, 1986).

[5] Forma primitive e shkruar e Kuranit ishte plot defekte: e njëjta shenjë mund të përfaqësonte disa germa dhe nuk kishte tregues të zanoreve të shkurtuara. Kësisoj, ishte e lehtë të lexoje tekstin në mënyra të ndryshme. Pak nga pak, disa lexime u bënë të pranuara si kanonike ndërsa të tjerat qenë refuzuar. Aktualisht, një tekst i publikuar në Kajro nga Mbreti Fuad në vitin 1923 pranohet nga pothuaj të gjithë myslimanët. Do të shtonim se variantet ndërmjet leximeve të ndryshme kanonike kanë të bëjnë vetëm me hollësi dhe nuk kanë asnjë ndikim në kuptimin e përgjithshëm të tekstit.

[6] Shih Angelika Neuwirth, Studien zur Komposition der mekkanischen Suren (Berlin – New York: Walter de Gruyter, 1981); Pierre Crapon de Caprona, Le Coran: aux sources de la parole oraculaire. Structures ruthmiques des sourates mecquoises (Paris: Publications Orientalises de France, 1981).

[7] Shih Neal Robinson, Discovering the Qur’an. A Contemporary Approach to a Veiled Text (Washington: Georgetown University Press, 2003), veçanërisht pp.201-223.

[8] Shih A. H. Mathias Zahisner, ‘Sūra as Guidance and Exhortation: The Composition of Sūrat al Nisā’, në A. Afsaruddin dhe A. H. Mathias Zahisner (eds), Humanism, Culture and Language in the Near East: Studies in Honor of Georg Krotkoff (Winona Lake/Indiana, 1997), pp. 71-85; ‘Major Transitions and Thematic Borders in Two Long Sūras: al Baqara and al Nisā’, në Literary Structures of Religious Meaning in the Qur’ān, I. J. Boullata (ed.) (London – Richmond: Curzon Press, 2000), pp. 26-55.

[9] Një studim i përgjithshëm i historisë së analizës retorike mund të gjendet në dy vepra të Roland Meynet: Rhetorical Analysis: An Introduction to Biblical Rhetorics (Sheffield: Sheffield Academic Press, 1998), pp. 42-166 dhe Treatise on Biblical Rhetorics (Leiden – Boston: Brill, 2012), pp. 27-47.

[10] Shih seksionin Referenca në fund të këtij libri.

[11] Dy nga tekstet mund të gjenden në fund të Meynet, Rhetorical Analysis, pp. 357-359 dhe një tekst faraonik në kapitullin e fundit të këtij libri.

[12] Rezultatet e këtij studimi u publikuan fillimisht në arabisht: Ronal Meynet, Louis Pozet, Naula Farouki dhe Ahyaf Sinno, The rhetorical and hermeneutical method. Analyses of texts from Bible and from the Muslim Tradition (Beyrouth: Dar el Mashreq, 1993) (në arabisht); një version i rishikuar dhe i përditësuar më vonë doli në frëngjisht: Rhetorique semetique. Texts de la Bible et de la Tradition musulmanei (Paris: Cerf, 1998).

[13] Shih Cuypers, The Banquet

[14] Ne po përmbledhim dhe përshtasim për tekstin kuranor presupozimin që R. Meynet zhvillon sa i përket analizës retorike të Biblës në Lire la Bible (Paris: Flammarion, 2003), pp. 145-162.

[15] Theodor Nöldeke, Remarques critiques sur le style et la syntaxe du Coran (Paris: Maisonneuve, 1953), p. 13.

[16] Richart Bell, The Qurān. Translated with a critical rearrangement of the Surahs (Edinburgh: T.&T.Clark, 1937).

[17] Shih më poshtë, shembullin e elementit 2f të sures 5. Richar Bell mendon se ky element është ‘zhvendosur’ (Bell, 1937, p. 93, n 3).