Sipas një hadithi të mirë të transmetuar nga Ahmedi dhe et-Taberani, Profeti i Zotit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk do të besoni derisa të tregoni mëshirë ndaj njëri-tjetrit.”
“Të gjithë në ajemi të mëshirshëm, o Profet i Zotit” – u përgjigj një bashkëudhëtar i tij. Profeti, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, shpjegoi: “Nuk po flas për mëshirën që shfaqni ndaj miqve tuaj: po flas për mëshirën universale – mëshirën kundrejt gjithkujt”.

Për ata muslimanë dhe njerëz të feve të tjera që kanë humbur të dashurit e tyre në tragjëditë e fundit në Bagdat dy ditë më parë, në Bangladesh të premten e kaluar, në Stambol një ditë më parë dhe në Liban e Afganistan javën e kaluar, në Jemen dhe Orlando këtë muaj, jam thellësisht i trishtuar dhe mund të ofroj vetëm lutjet e mia, ndonëse jam trishtueshmërisht i vetëdijshëm për pafuqinë time të plotë mbi atë që po i ndodh komunitetit tonë global.

Ndërsa shkruaj këtë, mësova se një tjetër bombë ka vrarë 4 rojet të pafajshëm të sigurisë jashtë xhamisë së Profetit tonë të dashur në Medinë, ndërsa besimtarët po bëheshin gati të çelnin iftar mbrëmë. Për fat, për shkak të bekimeve të vendit, zhurma e shpërthimit u kuptua si krisma e topit që përdoret për të njoftuar se iftari ka arritur, kështu që njerëzit nuk u trembën apo pësuan ndonjë panik. Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kushdo që frikëson banorët e Medinës ka mallkimin e Zotit, të engjëjve dhe të krejt njerëzimit”. Nuk është e nevojshme të themi se llahtara e këtyre barbarizmave është e dyfishtë, sepse po kryhen – qëllimisht – në muajin e bekuar të Ramazanit.

Një murtajë ka rënë mbi ne dhe ajo ka vektorët e saj. Si amebat tru-ngrënëse që kanë sulmuar ujërat e ngrohta të shteteve jugore në Amerikë, një murtajë fe-ngrënëse është përhapur nëpër komunitetin mysliman botëror. Kjo sëmundje tinëzare ka një burim dhe ai burim duhet identifikuar, që të mund të nisim vaksinojmë komunitetet tona kundër saj.

Versione të reja të fesë tonë të lashtë kanë lindur dhe kanë infektuar zemrat dhe mendjet e shumë të rinjve anembanë globit. Imam Adel El-Kelbani, i cili drejtonte lutjet në Xhaminë e Shenjtë të Mekës për disa vite, ka pohuar publikisht se këta të rinj janë fryti i hidhur i mësimeve që kanë zëfillur nga minberet në Gadishullin Arabik, mësime që kanë përshkuar të gjithë skajet e botës, mësime që përqëndrohen në urrejtjen, përjashtimin, provincializmin dhe ksenofobinë. Këto mësime anatemojnë çdo mysliman që nuk bashkëndan formën naive, literaliste, kundërmetafizike, primitive dhe të varfëruar të Islamit, duke hedhur poshtë kësisoj trupin e paanë të dijes islame nga kandilët e traditës sonë.

Për shkak të një rrjeti të sofistikuar financimi, këto mësime kanë pushtuar libraritë nëpër botën islame, madje edhe në Amerikë, Europë dhe Australi. Si rast studimor të asaj që kanë pjellë, mund të marrim Kosovën. Shkollat tona “islame” janë mbushur tashmë me libra të publikuar nga ky sekt që josh mendjet e ndikueshme të rinisë tonë në një moshë kur ata janë më të cenueshëm nga indoktrinimi. Megjithatë, ky sekt i Islamit nuk është burimi i vetëm i krizës sonë aktuale dhe do të ishte gabim të fajësosh vetëm atë. Shumë ithtarë të tij e duan paqen dhe thjesht duan të lihen të praktikojnë fenë e tyre ashtu siç e shohin të përshtatshme. Ekskluzivizmi i tyre është kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për urrejtjen ksenofobike që çon në një dhunë të tillë.

Islamistët terroristë janë hibridë të një versioni ekskluzivist tekfirist të të mësipërmes dhe ideologjisë politike islamiste që është përhapur shumë në botën arabe dhe Azinë Jugore gjatë dekadave të fundit. Është kjo martesë e bërë në ferr që kuptuar, me qëllim që të rrokim plotësisht gjendjen katastrofike në të cilën e gjejmë komunitetin tonë. Ndërsa roli që ndërhyrjet perëndimore dhe fatkeqësitë në rajon kanë luajtur në krijimin e kësaj moçalishteje nuk duhet lënë mënjanë, minimizuar apo mohuar, por gjithsesi do të duhet të marrim në konsideratë se myslimanët janë pushtuar shumë herë në të shkuarën dhe kurrë nuk kanë reaguar si këta fanatikë. Historikisht, armiqtë ndërluftues shpeshherë admironin fisnikërinë që shfaqnin myslimanët në besnikërinë e tyre sktrikte ndaj rregullave themelore njerëzore të sjelljes që kanë qenë përcaktuar nga vetë Profeti, për të garantuar që mëshira të mos braktisej për shkak të egërsisë së konfliktit.

Ne duhet të shohim qartë natyrën e rrezikshme dhe infektive të kësaj murtaje ideologjike dhe përgjegjësisë së saj për kaosin dhe terrorin që po përhapet edhe në qytetin e Profetit tonë, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, me gjithë pacenueshmërinë e këtij vendi. Viktimat më të dobëta të saj janë rinia jonë e pakënaqur që shpesh jeton në rrethana të braktisura me pak shpresë për të ardhmen e tyre. Promtimet me parajsë dhe strategji të daljes së lehtë nga mërzia e kësaj bote kanë këndellur këta të rinj vetëvrasës për të shprehur patologjinë e tyre në kauzat djallëzisht mashtrimtare të radikalizmit “islamik”. Fotografitë që ata lënë pas – me buzëqeshjet fodulle në fytyrat e tyre, ndonëse në duart e tyre fatkeqe mbajnë pushkë perëndimore – janë testament i trushpëlarjes efektive që po ndodh.

Dëmi që shkaktohet nuk bie vetëm brenda Islamit por edhe mbi emrin e mirë të Islamit në sytë e botës. Këto ngjarje shkatërrimtare dhune të mbushur me urrejtje janë fillimi i mbytjes së zërave të Islamit normativ, duke kultivuar kështu një urrejtje të vërtetë në zemrat e atyre që nuk u përkasin komuniteteve tona. Në mendjet e shumë njerëzve nëpër botë, Islami – dikur i konsideruar një fe e madhe botërore – po reduktohet në një ideologji të neveritshme politike që kërcënon sigurinë globale, çka nga ana tjetër del të jetë katastrofike për komunitetet myslimane pakicë, që sot banojnë në mjedise gjithnjë e më armiqësore në shoqëri sekulare.

Ajo që na nevojitet për të kundërshtuar këtë murtajë janë zërat e shkollarëve, si dhe të aktivistëve socialë, të cilët mund të nisin identifikimin e fajtorëve të vërtetë pas kësaj ideologjie fanatike. Çfarë nuk na duhen janë janë ata zëra që mbulojnë problemin me argumentat boshë, të rremë dhe të zbrazët se ky militantizëm pak ka të bëjë me fenë. Ka të bëjë shumë me fenë: fenë e devijuar, fanatike, ideologjike dhe të politizuar. Është feja e fyerjes, lakmisë, pafuqishmërisë dhe nihilizmit. Megjithatë, nuk ka të bëjë asgjë me mësimet e dhimbsura të Profetit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të.

Pa e mposhtur, ne do ta shohim këtë murtajë të ndezë më shumë dhunë të tillë derisa një ditë – mos e dhëntë Zoti – këta ithtarë të urrejtur dhe të ndyrë të shtënë në dorë pajisje bërthamore, përdorimi i të cilës është sanksionuar tashmë nga “dijetarët” e tyre, përfshirë edhe një të tillë që së fundi është burgosur në Arabinë Saudite. Nëse një skenar i tillë shpaloset, është shumë e mundshme që i gjithë zemërimi i fuqive perëndimore të lëshohet mbi botën e pambrojtur myslimane, që do t’i bënte edhe pushtimet lebetitëse mongole të shekullit të XIII të duken si një shëtitje në park.

Në çdo rast, disa do të vërejnë se frika nga hakmarrja perëndimore është shenjë e frikacakërisë. Për këta fanatikë, unë do të rekomandoja të ktheheshin tek Kurani, specifikisht për të reflektuar mbi Musain, Profetin pamohueshmërisht trim, paqja qoftë mbi të, i cili vrau padashur një egjiptian pasi e goditi atë me grushtin e tij të fuqishëm, vetëm sepse ai konsiderohej armik dhe më pas kërkoi faljen e Zotit dhe “iku nga frika” (28:21). Kjo është një rrëfenjë paralajmëruese dhe është detyrë e të gjithëve të reflektojnë mbi të si një mësim i asaj që s’duhet të bëjmë kur jemi të shtypur, veçanërisht kur nuk kemi autoritet politik apo mënyra për të zgjidhur ankesat tona. Imam el-Sahruardi ka pohuar, “Të ikësh nga fatkeqësitë është Sunnet i Profetëve”. Nuk duhet të lejojmë veten tonë të ulët, apo etjen tonë për hakmarrje të përpijë pjesën tonë më të mirë.

Do të bënim mirë të pranonim se shumë nga ajo që po ndodh në botën islame dhe ndaj komuniteteve myslimane në Perëndim është fryt i asaj që kemi ngritur me duart tona. Myslimanët janë në Perëndim prej shumë kohësh dhe kanë bërë pak për t’u mësuar njerëzve këtu fenë tonë; shumë prej nesh kanë qenë të zënë me punët tona tokësore, ndërkohë që disa nga xhamitë dhe shkollat tona, në vend që të shtronin terrenin për Islamin, e kanë bërë një gjë të tillë për një islamizëm ideologjik.

Kurani na udhëzon qartësisht se kur ballafaqohemi me katastrofa, më parë duhet të kthejmë sytë nga ajo që mund të kemi bërë për ta merituar atë. Analiza e vetvetes është një urdhëresë kuranore. Derisa t’i nënshtrohemi kësaj të vërtete kuranore, ne do të mbetemi të zhytur në sqotën e mirazhit të shfajësimit, duke drejtuar gjithmonë gishtin në çdo drejtim përveç vetes. “Vërtet, Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten (Kuran, 13:11).

Duke i’u afruar fundit të Ramazanit, të lutemi për të shtypurit dhe për udhëzimin e shtypësve, për ata që janë vrarë dhe për ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe mbi të gjitha, le t’i vëmë veshin thirrjes së Profetit tonë dhe të duam mëshirë për këdo.